Në 621-vjetorin e vrasjes së Sulltan Muratit të Parë, në Betejën e Kosovës të vitit 1389, nga kalorësi i mirënjohur i Drenicës, Milush Nikollë Kopiliqi, në Tyrbën e Sulltan Muratit, në Gazimestan afër Prishtinë, kohë më parë u mbajt një tubim i organizuar nga zyrtarë të kulturës së Turqisë, pastaj të komunës së Mamushës, ku mori pjesë edhe kryemyftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Në përkujtim të vrasjes së Sulltan Muratit, u tha se ai nuk kishte ardhur në Kosovë si pushtues, me qëllim për të përfituar, apo për të ngritur pasuri, por vetëm si mbret dhe me qëllim kryesor të përhapjes së islamit. Vrasja e tij, sipas disa pjesëmarrësve paskësh ndodhur në rrethana ende të pasqaruara. Ky manifestim, ngjalli shumë reagime sidomos në disa portale interneti, shprehur me opinione tejet të pamatura dhe të motivuara armiqësisht.
Ky paradoks nuk duket edhe aq i shëmtuar kur kemi para sysh faktin se kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shpalli hero të Kosovës, Tahir Zemën, dezertorin e luftës së UÇK-së dhe njeriun e rryer, të lyer e të përlyer në të gjitha shërbimet sekrete serbe. Edhe pse i vrarë, pesë vjet pas luftës, në rrethana ende të pasqaruara dhe të mjegulluara, meqë në xhipin e tij thuhet se janë gjetur rreth 40 kg drogë, ai shpallet dëshmor me të njëjtin urdhër, që është shpallur edhe Adem Jashari dhe disa dëshmorë të tjerë, të përzgjedhur nga kabineti i kryetarit. Andaj në rrethana të tilla, ku tradhtari shpallet dëshmor, nuk është për t’ u habitur kur një ditë Bashkësia Islame e Kosovës, apo ndonjë shoqatë myslimane turke do ta shpallin dëshmor edhe Sulltan Muratin mbase edhe Dërgut Pashën e pashallarët e tjerë turq, që vranë, prenë e masakruar qindra mijëra shqiptarë të besimit islam.
Kjo ndodh, sepse po jetojmë në kohën kur janë përzier vlerat dhe antivlerat, kur lufta pushtuese shpallet luftë çlirimtare dhe ku luftëtarët e lirisë, çlirimtarët e Kosovës gjykohen në Hagë dhe në gjykatat kuislinge të EULEX-it, për shkak se gjatë luftës paskan vrarë policë e ushtarë kriminelë serbë e pas luftës edhe bashkëpunëtor të tyre.
Myslimanët shqiptarë të Kosovës e më gjerë, nuk e pranuan islamin për hatër të sulltanëve, as për hatër të merhumit ,Sulltan Murat, që la kockat në Kosovë, por për hir të përkushtimit ndaj krijuesit dhe me qëllim që të ndaheshin nga Kisha ortodokse serbe, greke, e cila të gjithë shqiptarët e krishterë i konsideronte dhe i konsideron edhe sot si serbë e grekë.
Kujtesa jonë e pasur kombëtare e afishuar edhe në tekstet tona të historisë, flet për qindra luftëra e beteja, që zhvilluan shqiptarët myslimanë kundër despotizmit të sulltanëve, kundër mëkëmbësve e pashallarëve gjakatarë turq, por edhe atyre shqipfolës në shërbim të tyre. Në të gjitha lëvizjet çlirimtare kundër pushtimit turk, prej kohës së Skënderbeut, të Halil Patronës, i cili udhëhoqi kryengritjen më të madhe të të gjitha kohëve në Stamboll, në shtator të vitit 1730, Ali Pashë Tepelenës, Abdyl Fshashërit, Imer Prizrenit, Haxhi Zekës, Isa Boletinit, Ismail Qemalit e qindra të tjerëve, e deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912, rezistencën heroike në mbrojtje të identitetit kombëtar dhe në luftë për çlirim nga Turqia e kanë mbartur mbi supe shqiptarët me besim islam, të cilët nuk e luftuan islamin, sepse të tillë ishin edhe vetë, por luftuan despotizmin, dhunën, shkombëtarizimin, luftuan kundër detyrimeve të dhunshme në ndërrimin e fesë, kundër marrjes së dhunshme të fëmijëve të krishterëve, kundër tagrave e plaçkitjeve, kundër marrjes nizamë dhe kundër katandisje së përgjithshme që ndodhi për afër 500 vjet pushtim aziatik mbi kurriz të popullit shqiptar.
Në luftërat e tilla morën pjesë edhe vëllezërit tonë krishterë, vëllezërit e gjakut e të gjuhës. As ata nuk e luftuan islamin si fe, por luftuan kundë despotizmit turk përkrah vëllezërve të tyre, të cilët ishin shumicë, luftuan dhe u copëtuan për krijimin e Shqipërisë etnike, pa dallim feje e ideologjie.
Pretendimet për ta përzier përkatësinë islame të shqiptarëve me kohën e pushtimit turk, meqë në atë kohë, të parët e pranuan islamin, janë pretendime hileqare dhe nuk përkojnë me realitetin historik dhe shkencor. Është e vërtetë se islami erdhi në Shqipëri me turqit, por konvertimi zgjati disa qindra vjet. Shumica shqiptare pranoi islamin, por jo edhe kulturën, zakonet gjuhën dhe pushtimin turk, sepse përcaktimi për një fe nuk nënkuptonte, as nuk nënkupton në asnjë mënyrë edhe ndërrimin e identitetit kombëtar, gjuhësor e kulturor.
Miqësia që kanë shqiptarët sot me turqit, e veçmas me shtetin turk, nuk nënkupton vasalitetin, nënshtrimin dhe keqinterpretimin e falsifikimin e së kaluarës. Turqia nuk e kërkon këtë, por janë disa shqiptarë pacifistë dhe pa kurriz, janë të nënshtruarit denbabaden, të cilët i thurin himne pushtimit, ashtu sikur i kishin thurur himne sulltanit, më vonë Pashiqit e kralit, Musolinit, Hitlerit, Josip Broz Titos e tërë sojit të pushtuesve. Kjo klasë shqipfolësish e injoron identitetin kombëtar dhe pikërisht për këtë e injoron edhe historinë shumëshekullore të rezistencës.
Përpjekjet për ta shtrembëruar historinë janë bërë alfa dhe omega e shumë “intelektualëve, shkrimtarëve dhe historianëve” shqiptarë, të cilët këtë luftë të pandershme e bëjnë për lekë, e bëjnë për hir të padronëve të tyre, për përfitime të pista mbi kurriz të gjakut të derdhur rrëke për liri gjatë shumë shekujve.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, të cilat aktualisht janë në ngritje, historia e shkruar me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të kombit, do t ua errësojë, jo vetëm shkrimet perverse, por edhe sytë e tyre të lëbyrur nga përfitimi, lakmia e mashtrimi.
Shqiptarët që kanë përkatësi fetare islame nuk kanë asnjë nevojë të ndihen turq, arabë apo kurdë. Këtë nuk e kërkon Turqia as shtetet arabe. As vëllezërit tanë të krishterë nuk kanë nevojë të ndihen italianë apo grekë.
Çështje e fesë është çështje individuale e besimit dhe nuk duhet të keqpërdorët, meqë keqpërdorimi i fesë për qëllime politike dënohet edhe në Kur’an. Bashkëjetesa e besimeve të ndryshme fetare në mesin e shqiptarëve, ka qenë dhe do të mbetet diga kryesore e përcaktimit kombëtar dhe këtë digë nuk e shpërthejnë dot mendjet e terratisura dhe ata që prore i ndërrojnë bindjet dhe përcaktimet e tyre.