Sot në 19-vjetorin e rënies heroike, përkujtohet komandant Mujë Krasniqi, 40 dëshmorët e rënë më 14 dhjetor të vitit 1998 te “Likenet e Hasit” në Gorozhup të maleve të Pashtrikut dhe 180 dëshmorët e Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, e cila kishte marrë emrin e heroit, Mujë Krasniqi.
Në nëntor të vitit 1998, Mujë Krasniqi, miku dhe shoku i luftës Beqë Gashi, vëllai Ali Krasniqi, pastaj Rifat Mëziu, profesor i fizikës nga fshati Marinë, Afrim Musliu nga Belinci, Gani Elshani, profesor nga Drenica, Vesel Aruqi nga Rezalla, si dhe shumë trimëresha e trima të tjerë nga zonat e luftimeve, depërtojnë me sukses në Shqipëri, për të marrë armatim dhe municion për nevojat e luftës në Kosovë. Mujë Krasniqi nga Shtabi i Përgjithshëm ishte caktuar komandant përgjegjës i formacionit luftarak, që kishte depërtuar me sukses në Shqipëri, meqë ai i kishte mësuar përmendsh ecejaket e lirisë nëpër bjeshkët e Pashtrikut, të Shkëlzenit dhe të Junikut.
Dimri dhe dëbora i kishte mbuluar malet e Pashtrikut. Rrugët ishin zënë, ndërsa në frontet e luftës ndihej mungesë e armatimit. Mujë Krasniqi ndiente thellë në shpirt përgjegjësinë që kishte për luftën, për bashkëluftëtarët që kishin mbetur pa municion përballë hordhive gjakatare serbe, të cilat, nga frika për të luftuar ballë për ballë luftëtarëve të lirisë, vrisnin e masakronin gra e fëmijë.
Ditën e 13 dhjetorit të dimrit të acartë të vitit 1998, Mujë Krasniqi kishte ndarë mendjen për të çarë kufirin dhe për t`u futur në Kosovë. Atë ditë, para bashkëluftëtarëve kishte mbajtur një fjalë rasti. Kishte kërkuar nga luftëtarët që të gjithë ata që mendonin se nuk do të mund ta përballonin futjen në Kosovë në rrethana të tilla, të mos niseshin, por të prisnin radhën tjetër. Kishte kërkuar nga ata që ishin sëmurë apo të plagosur të mos niseshin. Të njëjtat fjalë ua kishte përsëritur bashkëluftëtarëve edhe profesori luftëtar, Rifat Mëziu, shpjegon luftëtari Vesel Aruçi nga Rezalla. Mirëpo trimat dhe trimëreshat e Kosovës, nuk ishin mëdyshur. Rrugën për të kaluar nëpër bjeshkët e larta 1700 metra të Pashtrikut, nëpër dëborën, që vende-vende arrinte deri në 2 metra, e kishin marrë 143 luftëtarë, të cilëve në ballë iu printe Mujë Krasniqi, apo komandant Kapuqi, siç e quanin bashkëluftëtarët.
Disa nga bashkëluftëtarët kishin marrë informata se forcat serbe i kishin zënë shtigjet, ndërsa dëbora po ashtu kishte zënë disa shtigje të tjera, ku nuk arrinte këmba e armikut. Muja kishte vendosur. Kudo ku ta takojmë serbin, do të luftojmë, qoftë në kufi, qoftë brenda kufirit në frontet e luftës. Në luftë jemi dhe kthim prapa nuk ka.
Fjala e tij ishte aprovuar nga të gjithë.
Në mëngjesin e acartë të dimrit në Pashtrik, në relacionin “Likenet e Hasit-Gorozhup”, me të rënë agu i parë mëngjesor, forcat serbe, të cilat paraprakisht kishin zënë pritë, kishin goditur mu në mes të kolonës, me qëllim të krijimit të hutisë. Lufta nis nga të tri anët ku ishin pozicionuar forcat armike. Luftimet ishin zhvilluar fyt për fyt me forcat ushtarake e policore serbe, thotë luftëtari Vesel Aruçi nga Rezalla, i cili ndodhej në radhët e para. Breshëria e armës armike kishte përshkuar trupin e Mujë Krasniqit, të Beqir Gashit, Ali Krasniqit, Rifat Mëziut dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë. Disa prej tyre kishin mbetur në dëborë dhe ishin ngrirë. Disa të tjerë ishin plagosur.
Edhe forcat armike kishin pësuar humbje të konsiderueshme në njerëz.
Më 21 dhjetor të vitit 1998, trupat e 36 dëshmorëve, tok me Mujë Krasniqin, bashkëluftëtarët i varrosin në Polac të Drenicës, me nderime ushtarake. Pesë nga të rënët, në krye me Afrim Musliun kishin mbetur në dëborën e madhe dhe trupat e tyre janë zbuluar në qershor të vitit 1999, pas çlirimit të vendit nga regjimi serb. Nëntë të zënët robër ishin dërguan në burgun e Nishit, të cilët më pas shkëmbehen me tetë oficerë serbë, që luftëtarë e UÇK-së nga Zona Operative e Shalës i kishin zënë gjatë një prite. Rënia e Mujë Krasniqit dhe e disa trimave të tjerë të elitës luftarake të UÇK-së, më 14 dhjetor të vitit 1998, edhe pse ishte goditje e hidhur për luftën tonë çlirimtare, por ajo i dha edhe më shumë zjarrë luftës për liri, e cila përfundoi më 11 qershor të vitit 1999 duke përzënë nga Kosova forcat policore e ushtarake serbe.
Më 14 dhjetor të vitit 1998, në vendin e quajtur Likenet e Hasit, në Gorozhup të Pashrikut kanë rënë dëshmorë:
- Afrim Musliu,
- Agim Mziu,
- Agron Mehmeti,
- Ali Krasniqi,
- Arben Hyseni,
- Astrit Bytyçi,
- Avni Kutllovci,
- Bashkim Krasniqi,
- Bekim Bytyçi,
- Beqir Gashi,
- Besim Qarri,
- Cenë Qenaj,
- Enver Olluri,
- Fadil Rashiti,
- Faton Gjylani,
- Gani Elshani,
- Gani Zogaj,
- Hafir Bajrami,
- Haki Prokshi,
- Hazir Kryeziu,
- Hazir Selimaj,
- Hysen Bujupi,
- Hysni Kajtazi,
- Ilir Asllani,
- Isa Morina,
- Isa Olluri,
- Kadri Ademaj,
- Kadri Gashi,
- Luljeta Shala,
- Maliq Karaçica,
- Mentor Ibriqi,
- Mevlan Hoxha,
- Muhamet Dervishi,
- Mujë Krasniqi,
- Naser Kelmendi,
- Qamil Olluri,
- Ramadan Elshani,
- Rifat Mziu,
- Selim Selimi,
- Sylejman Elshani,
- Veli Ballazhi,
- Xheladin Xheladini,
- Xhevat Thaçi