Kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholz, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bisedat ishin shumë produktive

RKL: Takimi i Berlinit, vazhdim i status-quosë në rrethin vicioz, Prishtinë, Beograd, Bruksel, Berlin

Takimi i Berlinit, ashtu sikur edhe paragjykohej nga analistët si Bodo Veber, Janus Bugajski e shumë të tjerë, nuk solli asgjë të re përveç retorikës boshe, tashmë bajate dhe pa kurrfarë vlere. Ajo që është për t’ u veçuar me këtë rast, sikur edhe në Takimin e Uashingtonit afër dy vite më parë, është përpjekje e nikoqirit për ta imponuar konceptin dhe strategjinë e vet.  Kompromisi  me Serbinë, është “shpata”  që i rri te koka Albin Kurtit dhe krejt Kosovës, andaj, duhet seriozitet dhe jo rrahje gjoksi, andaj duhet unitet dhe jo urrejtje e inate  patologjike…

Përderisa, ish kryetari i Amerikës, Donald Trump, takimin e Uashingtonit e kishte organizuar dhe mbajtur në prag të zgjedhjeve presidenciale, duke e paraqitur si një të arritur të madhe të  administratës, kancelari gjerman, Olaf Sholc, takimin e 4 majit 2022 në Berlin, ia atribuon vetvetes si përpjekje për ta mbajtur gjendjen nën kontroll nga frika e eskalimit të situatës, me rastin e intervenimit të Rusisë në Ukrainë.

Ashtu sikur Trumpi uli në tavolinën e bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti me kryetarin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, edhe tani, kancelari gjerman uli në tavolinë, kryeministrin Kurti me kryetarin e Serbisë, Vuçiq.

Megjithatë dallimi nuk mbetet vetëm në anën formale, meqë ish kryetari amerikan, Donald Trump kishte arritur marrëveshjen që do ta përfitonte vetë, sikur ishte njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, me kusht që Kosova ta njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, ndërsa Serbia të mos prishte marrëdhëniet shtetërore me Izraelin, por ajo nuk ishte kushtëzuar me njohjen e Palestinës së kryeqytet. Pikat e tjera të marrëveshjes ishin vetëm dekor, përfitim kohe, status-quo e asgjë më shumë.

Tani krejt ngjashëm në Berlin, kancelari gjerman insiston në  kërkesat e Qeverisë Federale gjermane  drejtuar shteteve të Ballkanit Perëndimor sa i përket Procesit të Berlinit të mbesin të njëjta, ka saktësuar kancelari gjerman  Scholz në një  konferencë për media pas takimit në Berlin me Albin Kurtin dhe Aleksander Vuçiqin. Në vitin e  kaluar, Berlini kërkonte që liderët e Ballkanit Perëndimor t’iu përmbaheshin zotimeve të tyre sa i përket finalizimit të negociatave të marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit, e ku si më i rëndësishëm është krijimi i Tregut të Përbashkët Rajonal. Ndërkohë, ishte theksuar se duhej zbatuar edhe tri marrëveshje të tjera, të cilat  janë liria e udhëtimit me kartela të identitetit, liria e udhëtimit për shtetasit e vendit të tretë dhe njohja e kualifikimeve akademike. Me procesin e  Berlinit, Gjermania ka vite që angazhohet në këtë drejtim. Këtë dëshiroj ta bëj së bashku me partnerët me një ftesë në Berlin, në pjesën e dytë të vitit, dëshiroj ta ringjalli me një ftesë. Projekti aktual më i rëndësishëm i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesi të Berlinit është krijimi i një Tregu të Përbashkët rajonal. Siç e shihni, patëm shumë tema, dhe gëzohem që do t’i vazhdojë ato në një vizitë në Prishtinë”, ka thënë Scholz në konferencë për media pas takimit të 4 majit. Nëse Serbia për  përfitime politike përkrah Procesin e Berlinit, Kurti do të bashkohet me Vuçiqin, në radhë të parë për ta vënë në vend egon kundër “Ballkanit të hapur” për dhunë të Edi Ramës.

Albin Kurti që dikur anatemonte, mallkonte gjuante gur e helm kundër politikanëve të Kosovës që shtrëngonin duart e përgjakura me gjak shqiptarësh sikur ishte dhe është Vuçiqi, tani edhe ky ia shtrëngon duart Vuqes, fotografohet me te dhe, hiç pa të keq, pa asnjë keqardhje  atë foto e shpërndanë vetë, në postimet e tij.  Ky është morali politik i Albin Kurtit dhe atyre që e ndjekin…

Kancelari, Olaf Sholc, i cili njihet për pragmatizëm tipik gjerman, po ashtu sikur edhe ish kancelarja, Angela Merkel, është i vetëdijshëm se  ka një rol të fuqishëm dhe të pazëvendësueshëm në politikat mes Rusisë e Bashkimit Evropian, dhe kjo ka një histori të gjatë,  të cilën nuk do ta shpalosim me këtë rast.

Gjermania është  tepër e kujdesshme me veprimet e saj me Rusinë, qoftë për interesat e veta strategjike, qoftë për marrëveshjet  ekonomike, e sidomos për ruajtjen e status-quasë, nga frika se Rusia mund të sulmojë edhe shtetet e tjera në rajon, nëse bindet se NATO-ja nuk do të kundërvihet. Ashtu sikur Gjermania në Evropë edhe Turqia në Azi, mban një qëndrim të ballansuar lidhur me Rusinë, duke ditur jo vetëm forcën ushtarake e bërthamore të këtij Shteti, por edhe ambiciet për ta kthyer fuqinë e dikurshme dominuese  të Bashkimit Sovjetik.

Në këtë konstelacion të forcave, Kosova nuk heq ndonjë peshë, sepse ka qenë dhe mbetet nën një kontroll e vet kontroll puro pacifist, që edhe po të dojë nuk bën dot një hap të vetëm, përveç retorikës të vjetër e bajate. Por ndryshon puna me Serbinë, e cila është kali rus i Trojës në Ballkan, andaj Gjermania e BE-ja kanë hallin e madh si ta joshin Serbinë, qoftë edhe duke dëmtuar Kosovën, sepse ajo paraqet rrezikun serioz,  dhe aspak retorika e çakorduar e Albin Kurtit.

Olafi dhe Otto Bizmarku, nuk janë të njëjtë, pasi kanë ndryshuar kohët dhe epokat, pasi është derdhur rrëke gjaku i shqiptarëve, sidomos prej vitit 1878, nga padrejtësie djallëzore që i kishte nënshkruar, Otto Bizmarku e të tjerë në Kongresin e Berlinit të atij viti.

Për hir të paqes në Ballkan, në Konferencën e Londrës, në vitin 1913 shtetet e Evropës kishin bërë kurban Shqipërinë, duke e copëtuar, duke e masakruar e djegur, duke e bërë pre për këlyshët e Rusisë në Ballkan, sikur do të thoshte Gjergj Fishta.

Olaf Sholci e di mjaft mirë këtë histori, por nuk ka politikan shqiptar në Ballkan i cili merr guximin ta përmend atë kapitull të historisë. Madje këtë nuk e thotë dot as i djeguri që po përvëlohet dita ditës, në djallëzinë e tij,  Sali Berisha, herë duke rënë për tokë duke e përbetuar për Amerikën, edhe pse e ka shpallur non grata.

Frika se Gjermania do të flijojë Kosovën për hir të paqes në Ballkan është evidente te të gjithë ata shqiptarë që mendojnë esëll, që e njohin të kaluarën dhe përvojat e hidhura të “miqësisë politike” shqiptare gjermane.

E keqja më e vogël në këtë moment konsiderohet kompromisi të cilin e kërkon Serbia, fjalë tabu, që nuk guxon ta përmend me asnjë rast, Albin Kurti, ashtu sikur nuk ia lejon “morali politik” ta përmend emrin e mbiemrin e Hashim Thaçit.

Kompromisi  me Serbinë, është “shpata”  që i rri te koka Albin Kurtit dhe krejt Kosovës, andaj, duhet seriozitet dhe jo rrahje gjoksi, andaj duhet unitet dhe jo urrejtje e inate  patologjike…

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës shënon virtualisht Ditën e Demokracisë

Kuvendi i Kosovës diskuton në Seancë Plenare për Buxhetin e Vitit 2025

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të …