RKL: Të gjithë në protesta për ruajtjen e dinjitetit të luftës për çlirimin e Kosovës dhe kundër arrestimeve nga EULEX-i

 


Nesër në mbarë vendin, organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, parashihet të zhvillohen protesta  kundër fushatës së pandalshme të  EULEX-it në arrestimin e luftëtarëve të lirisë, fushatë kjo që po intensifikohet në kohën e bisedimeve të Kosovës me Serbinë, me qëllim për ta forcuar pozicionin e Beogradit zyrtar në bisedime, duke diskredituar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe personalitetet më të njohura të kësaj lufte.


Këto veprime të EULEX-it kanë për qëllim ta fshehin pazotësinë e këtyre misionarëve të paftuar të Evropës, për sikur thuhet  vendosjen e “sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit” dhe të ligave të tjera, karakteristike për shoqëritë në tranzicion. Duke dështuar në këto drejtime, EULEX-i po demonstron dhunë kundër luftëtarëve të lirisë dhe po i arreston ata me akuza të ngritura 12 vjet më parë nga Prokuroria e Serbisë,  sepse luftëtarët shqiptarë   paskan vrarë policë serbë, ushtarë serbë dhe bashkëpunëtorë shqipfolës të regjimit të Milosheviqit, gjatë viteve 1998-1999.


EULEX-i po e mban nën mbikëqyrje,  me pretendime për ta arrestuar edhe një komandant  të njohur të luftës së UÇK-së, me qëllim që fushata të marrë dimension kundër kreut të luftës, për ta diskredituar edhe pavarësinë e Kosovës, të cilën nuk e njeh ky mision, meqë pavarësinë nuk e njeh as Serbia.


EULEX-i në Kosovë është segment i Prokurorisë dhe i Policisë së Serbisë, sepse jo vetëm që bashkëpunon ngushtë me kreun e Beogradit, por edhe vepron në akord me politikën zyrtare të Serbisë. Ky mision ka stopuar dhe nuk ka lejuar hapjen e varrezave masive në Kosovë, me qëllim për ta kursyer imazhin e Serbisë, sidomos gjatë bisedimeve me delegacionin e Kosovës, bisedime këto që po mbahen me insistim të Serbisë, me përkrahje të BE-së dhe me shantazh të hapur kundër kreut të Kosovës.


Protestat kundër veprimeve antishqiptare të EULEX-it janë protesta të drejta, të ligjshme dhe të ngjashme me të gjitha protestat në botë, që zhvillohen kundër mekanizmave shtypës, kundër diskriminimit në pikëpamje kombëtare, kundër kolonializmit  dhe kundër të gjitha forcave, që synojnë kthimin prapa të historisë, për qëllime që kuptohen.


Protestuesit, nesër në Prishtinë dhe në të gjitha qytetet e Kosovës,  me praninë e tyre do t’ i tregojnë EULEX-it, por edhe mbarë botës, se gjatë luftës në Kosovë nuk është vrarë, as është masakruar qoftë edhe vetëm një fëmijë i përkatësisë kombëtare serbe, në kohën që janë vrarë e masakruar rreth 800 fëmijë shqiptarë, duke filluar prej moshës së sapolindur e deri në moshën 12-vjeçare. Gjatë luftës në Kosovë nuk është dhunuar asnjë femër serbe, ndërkohë që policët dhe ushtarët e Serbisë kanë dhunuar pastaj kanë masakruar barbarisht mijëra shqiptare.


Gjatë luftës në Kosovë, serbët kanë kryer rreth 300 masakra kolektive mbi popullatën civile të Kosovës. Masakrat janë kryer në mënyrat më barbare dhe më shtazarake, që janë parë ndonjëherë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.


Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 12.000 shqiptarë dhe konsiderohen të zhdukur rreth 1.800.


Kanë rënë në fushën e nderit duke luftuar përballë forcave masakruese serbe rreth 2000 dëshmorë. Shumica e tyre kanë rënë në frontet e luftës dhe në përpjekje për ta shpëtuar popullatën civile nga masakrimet e serbëve.


Këto krime serbe kundër njerëzimit çuan  edhe në intervenimin e NATO-s,  në pranverë të vitit 1999,  kundër makinerisë serbe të luftës. Këtë e di e gjithë bota përparimtare, por nuk e di EULEX-i, i cili merr në mbrojtje oficerët serbë, të vrarë nga UÇK-ja, pikërisht ata oficerë e policë të Serbisë, që kanë kryer masakra të tilla dhe disa shqipfolës, të cilët kanë bashkëpunuar me regjimin në zbulimin e bazave të UÇK-së, apo disa të cilët edhe kanë vrarë luftëtarë të lirisë.


Pretendimet për t’ i paraqitur këta bashkëpunëtorë të Serbisë si pjesëtarë apo kuadro të LDK-së janë krejtësisht të pavërteta, sepse luftën nuk e kanë zhvilluar partitë politike në Kosovë, por shqiptarët liridashës të vendit.


Askush gjatë luftës në Kosovë nuk është vrarë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës,  sepse ka qenë pjesëtar i LDK-së, por edhe nëse ka pasur ndonjë rast të tillë, këtë e kanë bërë policët e ushtarët serbë dhe ndonjë shqiptar trutharë, me qëllim për të krijuar ndasi dhe për ta paraqitur luftën tonë çlirimtare si luftë civile. Nuk janë vrarë madje as disa shqiptarë që kanë qenë pjesëtarë të partisë Radikale të Sheshelit apo Partisë Socialiste të Milosheviqit. Dihet botërisht se ka pasur të tillë.


Duke marrë para sysh këto dhe shumë fakte të tjera, del se fushata e arrestimeve dhe dënimeve të shqiptarëve liridashës, nga policia e EULEX-it  po bëhet me qëllim për t’ia  përmirësuar imazhin gjakatar, kriminal dhe vrastar të Serbisë, për ta paraqitur Serbinë si viktimë të UÇK-së, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të NATO-s dhe me qëllimin final për ta diskredituar shtetin e Kosovës, duke e paraqitur si krijesë kukull të Amerikës në Ballkan.


EULEX-i duhet ta kuptojë më në fund se trimat dhe trimëreshat e UÇK-së e kanë filluar luftën në Kosovë, edhe atëherë kur nuk e kishin përkrahjen e amerikanëve dhe nuk shpresonin në asnjë përkrahje në botë, por ishin mbështetur vetëm në forcat e veta.


Nëse EULEX-i nuk e kupton moralin, guximin  dhe gatishmërinë e shqiptarëve për ta mbrojtur  me çdo kusht  lirinë, pa e ndarë nga vlerat e luftës dhe pa e ndarë kurrë nga UÇK-ja si mbivlerë kombëtare, atëherë do të ballafaqohet me zemërimin e luftëtarëve të lirisë dhe të gjitha forcave liridashëse të Kosovës.


EULEX-it duhet t i bëhet e qartë, se me qëllimet për diskreditimin e vlerave të luftës së UÇK-së po e diskrediton në radhë të parë misionin e vet, sepse tekefundit prania e kësaj force në Kosovë, varet nga gatishmëria që kanë shqiptarët për bashkëpunim parimor me BE-në, por vetëm mbi baza të reciprocitetit dhe bashkëpunimit me qëllim të zhvillimit të shtetit të ri të Kosovës, dhe jo për ta kthyer Kosovën nën Serbi. Nëse ky mision policësh, prokurorësh, gjyqtarësh, banditësh, mercenarësh vazhdon praktikën,  të arrestimit në grupe  një nga një të luftëtarëve të lirisë, atëherë do të detyrohemi të marrim hapa të tjerë, hapa konkretë, në akord me zhvillimet.


EULEX-i edhe ashtu e ka tepruar zullumin.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Albin Kurti mendon se mërgimtarët e kanë ngatërruar regjistrimin e popullsisë me regjistrimin për votim

Kryeministri, Albin Kurti i ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohen për të votuar në …