Radio Kosova e Lirë

RKL: Të pretendosh se mund t’ i realizosh qëllimet, pa përfillur Amerikën e BE-në do të thotë, papërgjegjësi, arrogancë dhe naivitet politik

Të pretendosh se mund t’ ia dalësh dhe t’ i  realizosh qëllimet, pa i përfillur kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, sikur aktualisht beson madje verbërisht  dhe është pozicionuar në një bunker të tillë, kryeministri, Albin  Kurti me disa nga më të dëgjueshmit e më plastofilët e tij, në radhë të parë do të thotë, papërgjegjësi, pastaj shkurtëpamësi, diletantizëm politik  dhe të gjitha  këto e të tjera të lubrifikuara me arrogancë, prepotencë e mujshari naive.

Realisht kemi të bëjmë me një hipokrizi të llojit të vet, hipokrizi të ulët, sepse Albini dhe binët e dinë mirë se Amerika nuk e ndëshkon  Kosovën, me hakmarrje për shkak të injorimit që ai po iu bën Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Duke qenë të sigurt në këtë qëndrim amerikan,  “Kurti hedh valle politike në odë të mixhës”, ashtu sikur intervenon në Veri nën ombrellën e  forcave paqeruajtës të KFOR-it. Dhe kur policët trima të Xhelal ministrit rrethohen nga serbët, atëherë janë pjesëtarët e KFOR-it që rrezikojnë jetët e tyre, për të shpëtuar policët, këtë e ka thënë krejt hapur, javë më parë, Komandanti i KFOR-t, gjenerali italian, Angelo Michele Ristuccia, duke nënvizuar se me intervenimin e ushtarëve të tij ka parandaluar një masakër mbi policët e Xhelalit e të Albinit, sepse edhe pse ata janë policë të Kosovës, dhe të gjithë kemi respektin më të madh për ta, ata dirigjohen nga Bini e Xhela, për të treguar trimëri e guxim por nën mbrojtjen e KFOR-it.

I dërguari i posaçëm i Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ditë më parë në Dubrovnik të Kroacisë ka theksuar se zgjidhja më e mirë për daljen nga kriza është që Beogradi dhe Prishtina të pranojnë planin trepikësh të prezantuar nga Bashkimi Evropian. Ne kemi indikacione pozitive se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç është i gatshëm ta pranojë, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të bindet pak më shumë. Shpresojmë që Kurti në një moment të përmbushë kërkesat evropiane dhe amerikane”, ka thënë Escobar. Nëse Serbia dhe Kosova nuk i plotësojnë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për të deeskaluar situatën në veri të vendit Escobar tha se të dyja vendet do të humbasin mundësi të shumta. Pasojat nuk janë masa ndëshkuese, por janë mundësi të humbura për të dyja vendet nëse refuzojnë propozimin për dalje nga kriza. Për Kosovën kjo do të thotë distancim nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa për Serbinë mos avancim drejt rrugës në Bashkimin Evropian. Partneriteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  me Kosovën është partneritet me popullin e saj, jo me një parti apo figurë politike, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin. Përkushtimi ynë ndaj KFOR-it dhe investimi në të ardhmen e Kosovës mbetet i fortë”,  tha mes tjerash,  i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

 Qëndrimi i fortë dhe i palakueshëm në asnjë segment i përfaqësuesit të shtetit më të fuqishëm të botës, sikur është Amerika,  që për fatin e mirë tonin e ka farkuar sidomos kreu politik i luftës së UÇK-së, prej vitit 1998, me deklaratat e Riçard Hollbrukut, duke i anashkaluar ato të Kristofer Hillit, është qëndrim që nuk mund ta shkel, Kina apo  Rusia, e lerë më një  “mister Bin”, ëndërrimtar, sikur Albin Zaimi.

Escobar edhe kësaj  radhe ka paralajmëruar se Kurti megjithatë do të pranojë tri propozimet e BE-së,  por është në mendësinë e tij politike të zvarriset duke pritur dhe duke provuar se sa i fortë është kur nuk i lëshon pe madje as Amerikës, Por kjo nuk zgjatë shumë dhe për ketë kemi sa e sa shembuj të kameleonizmit të tij. Albini ka thënë kurrë nuk ia shtrëngon dorën Vuçiqit, se kurrë nuk bisedon me Serbinë pa u zbardhur fati i 1600 të zhdukurve, se kurrë nuk do ta pranojë, Asociacionin, të cilin e kishte emërtuar Zajednicë, se angazhimin primat e kishte bashkimin e Kosovës, me Shqipërisë,   se nuk do të ngutej të bisedonte me Beogradin, pasi kishte punë të tjera më me prioritet

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se plani evropian për Kosovën është i mirë dhe “nuk i përshtatet asnjërës palë”, ndërsa  kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të humbas mundësinë, nëse ai nuk pranon ta zbatojë atë. Escobar, saktësoi se masat ndëshkuese për Kosovën për shkak të mospërfilljes së kërkesave të aleatëve perëndimorë, nuk përfshijnë largimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it. I dërguari amerikan tha se ka indikacione pozitive se Beogradi mund t’i pranojë kërkesat e BE-së për dalje nga kriza, por se nuk mund të thotë të njëjtën gjë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Megjithatë  ai beson se  Kurti  më në fund do ta pranojë  kërkesën  evropiane dhe amerikane, saktësoi Escobar për Agjencinë kroate të lajmeve, HINA.

Emisari amerikan, Escobar e di se Kurti sillet e pështillet dhe më në fund do ta pranojë atë që  e quan “diktat amerikan”,  ( dikur medje me cinizëm amelika, amelika) ashtu sikur ka pranuar të gjitha “diktatet” duke filluar nga targat, marrëveshjet për Asociacionin e të tjera, por gjithnjë duke i shtyrë, duke i zvarritur, duke i stërkequr, duke dëmtuar Kosovën në raport me aleatët për shkak të egos së tij të sëmurë, kryeneçësisë dhe arr0gancës së tij dhe dëlirit për të treguar se mund ta kundërshtojë edhe shtetin më të fuqishëm të botës.

 

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …