RKL: Të rishqyrtohen kriteret bazë lidhur me përcaktimin e statusit të veteranit të UÇK-së

Është e nevojshme dhe më se e domosdoshme të  përcaktohet definitivisht numri i  veteranëve të luftës së UÇK-së. Po ashtu, është më se e nevojshme të rishqyrtohen kriteret bazë, duke u mbështetur në të dhëna relevante, në dëshmi të faktuara dhe në argumente, gjatë marrjes së vendimit për të shpallur veteranin e UÇK-së, pavarësisht se si do të trajtohen të drejtat e tyre nga institucionet e vendit. Organizata e Veteranëve, me seli në Prishtinë ka shtrirje në tërë territorin e vendit dhe ka mundësi që të evidentojë në mënyrë të përpiktë të dhënat, për secilin pretendent për veteran, nëse i përmbahet rregullores dhe statutit dhe nëse kjo rregullore dhe ky statut janë hartuar me kompetencë profesionale.>>>


 


Është e vërtetë se disa nga luftëtarët e lirisë, gjatë luftës kanë lëvizur nga një zonë në tjetrën, disa kanë qenë të mobilizuar në logjistikën e luftës, disa gjatë luftës asnjëherë nuk janë futur në Kosovë, disa të tjerë kanë dezertuar dhe kanë ikur nga një zonë në tjetrën, disa kanë shkuar në Shqipëri te familjet e tyre, ku kanë pritur çlirimin e Kosovës dhe janë kthyer në vend pasi ka mbaruar lufta. Një pjesë syresh, sidomos pas luftës  kanë bërë vepra të pamira në përvetësimin e pronës publike, madje janë marrë edhe me trafiqe e punë të pista. Numri i tyre mund edhe të mos jetë i madh, por për hir të luftës dhe gjakut të derdhur për liri, çdo rast duhet të shqyrtohet veç e veç dhe të trajtohet meritorisht, pavarësisht se duhet kohë për të hulumtuar faktet dhe dëshmitë.


Duhet pasur parasysh faktin se, me shpalljen e mobilizimit të Përgjithshëm, nga SHP i UÇK-së, në dimër të vitit 1999, në zonat operative u rrit për së tepërmi numri i vullnetarëve, por për ta nuk kishte armë, as municion. Ata, në shumicë mbetën duke u dyndur nga një zonë në tjetrën, duke hapur bunkerë, duke rregulluar transhe, duke bartur municion dhe ushqime nga një vend në tjetrin, duke bartur të plagosurit. Jo pak luftëtarë të tillë kanë rënë nëpër fusha të minuara. Ata, shpeshherë janë  futur edhe në radhët e popullatës së zhvendosur,  ku edhe ushqeheshin. Shumë prej tyre kanë rënë nga granatat e makinerisë armike, derisa kanë lëvizur nga një vend në tjetrin. Duhej të binte një apo disa  luftëtarë  në front, në mënyrë që ndonjëri nga vullnetarët ta merrte armën dhe ta zinte vendin e dëshmorit. Duhet marrë para sysh edhe faktin se një numër shumë i madh të rënëve për çlirimin e Kosovës kanë rënë  në përpjekje për të marrë armë në Shqipëri.


 


Shumë nga këta vullnetarë, qëndruan në mesin e popullatës, duarthatë, duke ndarë fatin me ata qindra mijëra shqiptarë liridashës, që iu kishin qepur maleve, grykave e shkëmbinjve për të mos e lëshuar atdheun, për të mos lejuar boshatisjen e tij, meqë ky ishte qëllimi primar i regjimit të Milosheviqit, të cilin edhe e realizoi pjesërisht, për disa muaj të fundit të luftës, duke dëbuar nga Kosova rreth 700.000 shqiptarë, por meqë u detyrua ta nënshkruajë kapitullimin, më 10 qershor të vitit 1999, të dëbuarit dhe ata që kishin ikur për të shpëtuar kokat, filluan të kthehen pa humbur kohë.


Janë mijëra ikanakë që tani kanë  aplikuar, apo që aktualisht  kanë statusin e veteranit, disa syresh  kanë madje edhe  statusin e invalidit.


 


Në saje të rrethanave dhe përshkrimit të aktivitet të veteranit, mendojmë se do të duhej të kishte shkallëzim të statusit, si për shembull, veteran i klasës  të parë, të dytë dhe të tretë. Kjo për shkak se nuk mund të jetë veteran i njëjtë, ai që prej fillimit të luftës ka luftuar ballë për ballë kundër armikut, si ai që ka ardhur nga Shqipëria, pas mbarimit të luftës, apo ai që ka tubuar para në Fondin “Vendlindja thërret”në shtetet e Evropës, apo në shtete të tjera, apo ai që ka qenë i angazhuar diku në logjistikë, larg vendit ku është zhvilluar lufta. Respekti u takon të gjithëve, sipas punës, angazhimit dhe meritave, për aq sa kanë kontribuar, por aktiviteti e secilit  është individual dhe si i tillë duhet të trajtohet, nëse duam të vendosim rregull, rend dhe ligj. Nëse e duam ligjin dhe kërkojmë të drejtat tona, atëherë vetë, ne,  veteranët duhet t’i respektojmë kriteret e shëndosha, të bazuara dhe të faktuara. Në mungesë të kritereve dhe dëshmive reale faktografike për statusin e veteranit, bëhet me dije se kanë aplikuar dyfish më tepër, sesa ka aktualisht veteranë të UÇK-së. Pikërisht për këtë është deformuar edhe projektligji dhe për shkak të fryrjes së numrit, veteranët mbase edhe për shumë kohë do të mbesin jashtë përkujdesjes institucionale.


 


Është më se e nevojshme që shoqatat që merren me këtë çështje të dhe bashkëpunojnë me ekspertë të këtyre lëmenjve, pastaj me komandantët e zonave dhe zëdhënësit e tyre, me familjarët e dëshmorëve, që kanë paraqitur ankesa për rishqyrtim, me qëllim  për të mos i hyrë në hak askujt, por edhe për të mos lejuar, qoftë edhe një të pamerituar të krekoset me trikën e veteranit, duke qenë madje edhe dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë së EULEX-it, apo bashkëpunëtor i ish regjimeve. Mjerisht ka të tillë. Ata nuk lënë gur pa lëvizur për t’i  fshehin veprimet e tyre të dënueshme, duke i kamufluar me triskën e veteranit. Veteranët nuk duhet të lejojnë shkelje të tillë, në mos për tjetër, gjithsesi për amanetin e bashkëluftëtarëve, që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës nga barbaroidët serbë.


 


Me rastin e marrjes nën përkujdesje institucionale, duhet të trajtohen me benificione vetëm ata veteranë që nuk punojnë dhe nuk kanë burime të tjera të ardhurash, ose kanë fare pak dhe nuk ia dalin dot. Kurrsesi nuk do të duhej lejuar që të kenë benificione veteranët, që aktualisht janë deputetë, zyrtarët e lartë të Qeverisë, zyrtarë të lartë të komunave, arsimtarë, apo punëtorë shëndetësorë sikur ndodh me pensionin e pleqërisë.


 


Në kushte dhe rrethana të një papunësie në rritje, e cila i ka prekur edhe kategoritë e dala nga lufta, nuk është lehtë për të vepruar dhe për të përcaktuar statusin e veteranit,  por duhet të bindemi njëherë e përgjithmonë  se nuk mund të shkohet përpara me metodat dhe traditën destruktive të së kaluarës, nuk mund të shpallet veterani i UÇK-së me dy dëshmitarë, sikur shpalleshin luftëtarët partizanë pas Luftës së Dytë Botërore, meqë Fadil Hoxhës i duhej numri më i madh i partizanëve, për të dëshmuar se kishte luftuar fashizmin. Nuk mund të shpallet veteran dezertori, bashkëpunëtori i Serbisë, dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë dhe të gjitha ata që me veprimet e tyre kanë shkelur betimin e UÇK-së. Në rast se edhe kësaj radhe lejohen shkelje të tilla, atëherë kjo shkelje dëmton jo vetëm imazhin e luftës, por edhe vlerat e saj fondamentale. Ka shumë veteranë në Kosovë, të cilët të irrituar nga këto shkelje nuk kanë aplikuar fare dhe kanë deklaruar haptas se në rrethana të një anarkie të tillë nuk do të kërkojnë triskën e veteranit, të bindur se koha do të lajë e do të shpërlajë gjithçka që është baltosur nga përbaltuesit, profiterët dhe ata që ia kanë punuar,  dhe po ia punojnë Kosovës, si gjithnjë,  nën rrogoz.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …