RKL

RKL: Tetë-vjetori i Pavarësisë e gjen Kosovën në një pikë të rrezikshme të stagnimit dhe udhëkryqit

           Tetë-vjetori i Pavarësisë e gjen Kosovën në një pikë të rrezikshme të stagnimit, po thuajse në të gjitha segmentet e jetës institucionale, politike, shoqërore, ekonomike,  e pse jo edhe kulturore.

            Kjo datë, shqiptarëve liridashës të vendit e më gjerë  u sjellë në kujtesë kohën kur tetë vjet më parë, më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës, në një seancë solemne, u lexua deklarata e Pavarësisë dhe Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran.

Ishte kjo një ngjarje e shënuar për të gjithë shqiptarët, për sa e sa breza që kishin luftuar, kishin derdhur gjakun e tyre rrëke, kishin kaluar shekujt të tërë në burgjet e Jugosllavisë e Serbisë dhe më në fund falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës së botës përparimtare demokratike, ishte realizuar edhe një aspiratë e popullit më të nëpërkëmbur,  por edhe më qëndrestar të Ballkanit dhe Evropës.

            Mirëpo shpallja e Pavarësisë, vetvetiu nuk siguronte Shtet të pavarur, stabilitet, zhvillim ekonomik, krijim të kushteve për një jetë normale.

Realisht, pavarësia ishte shpallur e cunguar, e mbështetur mbi një plan të një diplomati, i cili tërë kujdesin e mundin ia kishte kushtuar perspektivës së minoritetit serb, si kompromis për një pavarësi të kushtëzuar e të mbikëqyrur të shqiptarëve në Kosovë.

Duke mbajtur mbi kokë pengun ndërkombëtar, për hir të Serbisë, Kosovës ia kishin lidhur duar e këmbë, që në aktin e shpalljes së Pavarësisë, edhe pse shtetin e ri të Ballkanit e njohën disa nga shtetet më të fuqishme të botës, por me kohë edhe procesi i njohjes kishte stagnuar sepse ashtu ishte paraparë nga mujsharët e Bashkimit Evropian dhe shumë nga shtetet, që nuk e kanë njohur dhe nuk duan ta njohin pavarësinë e vendit tonë.

              Degradimi i parë i pavarësisë filloi atëherë kur klasa politike e vendit, me qëllim për ta ruajtur pushtetin pranoi bisedime me Serbinë edhe pas shpalljes së verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në Hagë, më 22 korrik 2010 kishte  shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, meqë e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e tilla, kishte thënë kryetari i gjykatës, Hisashi Owada. Mendimin mbi Kosovën në GJND në Hagë e kishin marrë 15 gjyqtarë, nga të cilët 9 nga vendet që kishin njohur pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë edhe vet kryesuesin, japonezin Hisashi Owada. Dhjetë gjyqtarë të GJND-së kanë vlerësuar se deklarata mbi pavarësinë e Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndërsa katër gjyqtarë kishin  votuar kundër. Verdiktit të Gjykatës i kishte paraprirë ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, i cili më 15 gusht 2008, zyrtarisht dërgoi një kërkesë në OKB, për të kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth aktit të pavarësisë së Kosovës. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në takimin e saj në shtator 2008 vendosi ta çojë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. GJND vendosi më 22 korrik 2010 se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

           Pranimi i bisedimeve të përfaqësuesve të institucioneve dhe shumicë së liderëve të partive politike të Kosovës me Serbinë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte thjesht një akt që rezultoi me deformimin e pavarësisë dhe stagnimin e njohjeve nga shtetet e tjera të botës. Ky është lëshimi i parë fatal që iu bë pavarësisë  dhe për pasojë kemi arritur në pozitën më të rrezikshme për vendin që nga mbarimi i luftës.

           Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova kishte fituar një pozitë shumë të favorshme ndërkombëtare, dhe nuk kishte kurrfarë nevoje, as kurrfarë detyrimi ndërkombëtar, madje asnjë pikë kushtëzimi, që të fillonte bisedimet me Serbinë, fillimisht të nivelit teknik, mandej edhe bisedime politike,  që sollën deri në shkeljen krejt hapur të kushtetutës.

            Imponimi që iu bëri këtyre bisedimeve faktori ndërkombëtar, me qëllim për ta rikthyer sovranitetin e Serbisë jo vetëm në një pjesë të Kosovës, pse jo edhe  në tërë vendin, shkaktoi revoltën qytetare, e cila tashmë është formësuar me Opozitën e Bashkuar.

            Nënshkrimi i Marrëveshjes së 25 gushtit të vitit 2015, në Bruksel  mes kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, marrëveshje e cila lejon krijimin e një entiteti autonom serb brenda Kosovës, lejon krijimin e një mini shteti mono-etnik brenda territorit të Kosovës shumë-etnike, doli se ishte një shkelje flagrante e Kushtetutës, për të cilën jo vetëm që nuk kanë dhënë dhe nuk japin dorëheqje nënshkruesit e marrëveshjes, por pretendojnë të na bindin se ata paskan kryer një detyrim, apo një obligim ndaj  partnerëve ndërkombëtarë, qoftë edhe duke shkelur Kushtetutën e vendit.  Po kështu kjo Qeveri, nënshkroi edhe një marrëveshje me Malin e Zi lidhur me demarkacionin e kufirit, duke i dhuruar këtij shteti afër 8.000 hektarë tokë e pyje. Këto dy lëshime të papërgjegjshme, të dënueshme kombëtarisht e politikisht kanë bërë që partitë e bllokut opozitar: Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën të bashkohen me kërkesën unike për anulimin e të dyja marrëveshjeve, të cilat dëmtojnë interesin e vendit, duke shkelur edhe Kushtetutën.

            Me qëllim për ta detyruar Qeverinë që të anulojë apo të tërheq njëanshëm nënshkrimin e dy marrëveshjeve, opozita në katër-pesë muajt e fundit ka ndërmarrë një varg aksionesh, të cilat i kanë polarizuar skajshëm qëndrimet pozitë-opozitë dhe të cilat kanë arritur shkallën ekstreme të ndeshjes jo vetëm verbale.

            Protesta e nesërme (17 shkurtit 2016),  e paralajmëruar dhe e përgatitur nga opozita dhe qytetarët e vendit që mbështesin kërkesat e opozitës  dhe e caktuar pikërisht në ditën e tetë-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ka për qëllim dorëheqjen e Qeverisë, përderisa ajo nuk u tregua e gatshme të heqë dorë nga marrëveshjet me Qeverinë e Serbisë.

            Opozita ka paraparë dhe ka marrë të gjitha masat që protesta të jetë dinjitoze dhe paqësore, por askush nuk garanton se fare lehtë mund të vihet në jetë një skenar i paragjykuar i forcave të prapaskenave me qëllim të dëmtimit të vendit dhe jo vetëm të imazhit, sikur thuhet rëndom. Paragjykimeve të tilla të pamatura i ka paraprirë vetë kryeministri Isa Mustafa, i cili një javë më parë ka kërcënuar se nuk do të lejojë “heqjen zvarrë epo përgjakjen e policëve të Kosovës, pikërisht në ditën e tetë-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.

              Ky paragjykim i pamatur, ashtu edhe paragjykimi i zëvendësit të Mustafës, Hashim Thaçi, i cili beson se mund t i tubojë 1 milionë qytetarë të vendit në një kundër protestë, nuk i kanë hedhur ujë zjarrit, por i kanë hedhur benzol.  Ndeshja e mundshme dhe e paragjykuar mes protestuesve e policisë, në ditën e pavarësisë së Kosovës mund të komentohet si zakonisht me lojën për dhe kundër, por me këtë rast nuk do të ketë humbës e fitues, por vetëm humbës nga të dyja palët, nëse vjen deri te përleshja, e cila  nuk do të mund të mbahet nën kontroll.

              Pozita dhe opozita janë polarizuar në nivelin më të lartë të mundshëm mos-durimit. Fajtori kryesor në këtë polarizim dhe në këtë gjendje ku e ka katandisur  vendin, në radhë të parë është Qeveria, sepse ajo po bën përpjekje të qëndrojë me çdo kusht në pushtet, qoftë edhe duke shkelur kushtetutën, duke injoruar kërkesat e drejta të opozitës dhe duke vënë në veprim tërë aparatin policor në ndjekje e arrestime, madje edhe të deputetëve të opozitës, të cilët kanë bërë shkelje të shumta të ligjit, por nuk e kanë shkelur kushtetutën e vendit.

            Dallimi mes gabimeve dhe shkeljeve të deputetëve të opozitës, dhe shkeljes së Kushtetutës nga Qeveria nuk mund të baras-vlerësohen, sepse me këtë rast kemi të bëjmë me një shkelje flagrante, penale  nga ana e  Qeverisë dhe shkelje kundërvajtëse nga  deputetët dhe aktivistët e opozitës.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …