RKL

RKL: Tregti me territore nuk ka, por do të ketë një Republikë serbe në veri të Kosovës

Kosova ndodhet në një pikë stagnimi të disa proceseve, që kërkojnë zgjidhje në radhë të parë nga faktori ndërkombëtar, veçmas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat duke parë ngecjen, zvarritjen dhe stërkeqjen e dialogut Kosovë- Serbi, po përpiqen që të marrin përsipër  ndërmjetësimin dhe arritjen e një marrëveshjeje. Tani kur pala serbe sado me rezervë ka pranuar interesimin amerikan për ndërmjetësim në dialog, pala shqiptare e Kosovës, unanimisht mbështetëse e projekteve amerikane, në momentin më kritik doli shpërfillëse dhe kryeneçe.

Koalicioni qeveritar: Vetëvendosje LDK, nuk përfilli kërkesën amerikane për tërheqjen e shpejtë dhe pa kusht të taksës 100 për qind, të vendosur një viti e më tepër ndaj mallrave të Serbisë e të Bosnjës. Mosmarrëveshje të thella ka edhe brenda koalicionit nëse është për t’ iu besuar deklarimeve mjaft divergjente, por në realitet nuk po ndodh ajo që pritej. LDK-ja në shumicë mbështet heqjen pa kusht  të taksës sipas kërkesës amerikane, ndërsa Vetëvendosja dhe një krah i LDK-së me Vjosa Osmanin, kryekuvendare, mbështet Albin Kurtin në vendosjen graduale të reciprocitetit dhe heqjen po ashtu graduale të taksës.

Ngërçi rreth taksës po vazhdon ndërsa po forcohet patriotizmi për ruajtjen e kufijve të Kosovës, veçanërisht veriun, të cilin, de facto, prej qershorit të vitit 1999 e ka nën kontroll Beogradi zyrtar. Koalicioni  bën të ditur se nuk do të ketë tregti me territore, që do të thotë se Kosova nuk pranon t’ ia japë tri komuna Serbisë, për t’ i marrë tri komuna shqiptare nga Serbia, por nuk sqaron se çka do t’ i japë Serbisë, e cila e ka bërë të ditur sa e sa herë deri tani  se nuk do të ketë bisedime, as marrëveshje pa kompromis dhe kompromisi, sipas kryetarit të Serbisë, Vuçiq,  do të thotë se “kurrë nuk do të arrihet një marrëveshje që Kosova ta fitojë të tërën e Serbia asgjë”. Këtë e ka thënë edhe në Uashington edhe në Bruksel, madje  sa e sa herë.

Kërkesa e Vuçiqit, që është edhe kërkesë unanime e Serbisë i ka dy opsione, shkëmbimin e territoreve, ose krijimin e një republike serbe në veri të Kosovës, (e cila për fillim nuk ka nevojë të quhet republikë, madje as Zajednicë, por asociacion gjithsesi) por që do ishte një entitet zyrtar, që do të lidhte të gjitha enklavat në princip të eksterritorialitetit dhe funksionimit të shtetit autonom serb brenda Republikës së Kosovës, të lidhur në të gjitha segmentet me Qeverinë e Shtetin në Beograd. Kjo është e liga më e madhe që do t’i ndodh Kosovës.

Këto dy opsione janë në tavolinën e Serbisë për bisedime me Kosovën dhe jo përrallat për minishengenin apo maksishengenin.

Trumpetimi i idesë se nuk do të ketë tregti me territore, lë të kuptohet se do të ketë Republikë serbe brenda  territorit të Kosovës, pra do të ketë “Zajednicë” të cilën me aq zell e ka luftuar Albin Kurti dhe partia e tij. Zëvendës-kryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti duke folur për zhvillimet e fundit brenda koalicionit lidhur me  taksën dhe bisedimet me Serbinë ka saktësuar: Deklarimi për taksën, para mediave, nga kryeministrit Albin Kurti nuk ka qenë i dakorduar brenda koalicionit. Ndërsa, në marrëveshjen finale me Serbinë nuk do të ketë tregti me territore, duke  u shprehur i vendosur se Kosova nuk do të bëjë asnjë kompromis karshi Serbisë, si kompensim i njohjes reciproke. Hoti thotë se pozicioni i qeverisë Kurti është i qartë, integriteti territorial dhe rendi kushtetues janë të pacenueshme. “Tregti me territore nuk ka. Nuk mund të diskutojmë këtë temë, besoj që kjo temë është mbyllur në bisedat e Vjenës dhe shpalljen e pavarësisë. Ata që duhet të bëjmë tash është të fuqizojmë shtetin e Kosovës brenda. Rendi dhe organizimi kushtetues brenda vendit është i padiskutueshëm, i panegociueshëm. Ne jemi për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, i cili duhet të qojë tek njohja reciproke”, thotë ai.  Kjo është një deklaratë tipike populiste deri në një masë edhe naive, sepse Dulla e di fare mirë se Kosova nuk ka pushtet veri të Ibrit e më tutje, e di se atje ndodhet një polici  vetëm me uniforma të policisë  së Kosovës por që është qind për qind me pjesëtarët të pakicës serbe. E di po ashtu se Isa Mustafës, madje as Albin Kurtit  ua  mbanë ta vizitojnë veriun, në cilësi të zyrtarëve të lartë të vendit as besohet se mund të kenë shkuar ndonjëherë, përveç ilegalisht sikur kanë bërë nganjëherë, apo disa herë disa nga autoritetet e larta të vendir, apo sikur ka bërë një vizitë të paparalajmëruar, kryetari Hashim Thaçi për t’ u fotografuar në një traget, në Ujman, më 29 Shtator, 2018 në kohën kur Vetëvendosja mbante një protestë në Prishtinë. Albin Kurti asokohe kishte thënë se  Thaçi ishte  frikësuar të qëndronte, në Prishtinë dhe shkuarja e tij në Ujman,  ishte vetëm inskenim.

Ata që mendojnë se veriu do të jetë gjithnjë pjesë e Kosovës dhe do të qeveriset nga Prishtina zyrtare, janë njëjtë me autoritetet serbe në Beograd që insistojnë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe kurrë nuk do të lejohet ndarja e saj. Serbia në hartën e vet e mbanë Kosovën brenda saj, ashtu si Kosova që e mbanë veriun….

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …