RKL

RKL: Urrejtja anti-islame në Kosovë ka një adresë të njohur, një që vepron hapur, në medie…

Urrejtja  anti-islame në Kosovë ka një adresë të njohur, një që vepron hapur, në medie, sidomos në portalin, “Ekspress” dhe një tjetër  që vepron të terr, në orët e vona të natës dhe që mjaftohet me  shkrimin e grafiteve. Lidhmëria nuk është e domosdoshme, por ka shumë indikacione, të cilat lidhin jo vetëm fijet e dyshimit, por edhe disa veprime të njohura, që mund të dëshmohen me fakte…

Në 10 vitet e fundit, në Kosovë me shumicë dërrmuese shqiptare, po ashtu me shumicë dërrmuese të besimit islam,  kanë ndodhur mjaft anomali, e shëmti, të cilat janë anashkaluar, meqë  tehu i luftës “zyrtare” ka qenë kundër të  ashtuquajturit “ekstremizëm islamik”, një fushatë thjesht politike, me qëllim për të treguar besnikëri ndaj Amerikës, pavarësisht se Amerika nuk ka kërkuar as ka nevojë për një  fushatë të tillë, në vendin më proamerikan në botë.

Pretendimi, i tillë është thjesht paragjykues, politik, për ta arsyetuar  qëndrimin se “Kosova është tokë e pëlleshme e ISIS-it”.  Kjo i ka tërbuar disa antislamistë dhe u ka thënë material besimtarëve të “Svetisavës” të Janjiqit dhe grigjës së tij, njëjtë me Rada Trajkoviqin, e cila sot  në medie të Beogradit ka thënë se në Kosovë po vendoset projekti i kalifatit,  që paska përkrahje edhe nga institucione dhe sistemi i sigurisë. Këta dhe të tillët me  vjet të tëra kanë pritur e po presin, mos po ndodh një sulm terrorist, për ta arsyetuar teorinë e tyre të rrezikut permanent, duke paralajmëruar ditë për ditë, në disa medie,  se sot ose nesër do të ndodh një sulm i ISIS-it, në Kosovë. Për fat, nuk ndodhi dhe nuk do të ndodh, një sulm i tillë,  por këta që shkruajnë grafite natën, janë në gjendje ta kurdisin një akt të tillë,  për t’i arsyetuar veprimet e tyre, duke ua veshur islamistëve, që i kanë piketuar sipas mendjes së tyre qorre.

Në fushatë kundër “ekstremizmit islam” regjimi në Kosovë ka ndjekur disa hoxhallarë, në mesin e tyre edhe të papërgjegjshëm për fjalën publike, të cilët janë  sorollatur  nga një medium në tjetrin për t’u dukur, për të qenë të pranishëm me oratorinë e tyre, shpeshherë të pakontrolluar, shpeshherë shterpë,  duke ngjallur diversitete të pa pranueshme, ( në kombin të cilin e stolisin katër fe, pavarësisht numrit të madh apo të vogël të besimtarëve)   dhe që kanë rënë  ndesh me kulturën e tolerancës fetare, shekullore, ndër shqiptarë, disa kanë rënë ndesh edhe me ligjet e Shtetit të Kosovës, për çka edhe janë dënuar e ndëshkuar.

Të dyja ekstremet i ka përpunuar për nevoja të veta politika aktuale, e cila me qëllim për të mbijetuar ka shpikur armiq, ( islamikë me këtë rast) i ka ndjekur, i ka dënuar, disa i ka liruar të pafajshëm dhe ka thithur jo pak fonde për luftën kundër “ekstremizmit mysliman”.

Kjo fushatë, ashtu sikur çdo fushatë tjetër, e kurdisur ose jo, i jep forcë anës kundërshtare, asaj anti – islame, që përpiqet  ta manifestojë qëndrimin e vet, por jo vetëm me urrejtje publike, sikur shprehet zakonisht, por edhe me kërcënime faktike, sikur ka ndodhur kohëve të fundit me disa organizata fantome, me sy e pa sy, me duar të arta e të ndyta, të cilat lidhjet e tyre i kanë shumë të dyshimta, meqë kontaktojnë persona të rëndësisë së veçantë.

Është krejt e pamundshme të AKI-ja të mos ketë shënime, kur disa grupe të tilla veprojnë krejt lirshëm, madje edhe me paraqitje të hapura publike, që diskreditojnë imazhin e Kosovës, duke u bazuar në faktin si dy treqind shqiptarë nga Kosova paskan marrë dhe po marrin pjesë në luftën e Sirisë kundër Assadit, por edhe në organizata të tjera terroriste, ku veprojnë e luftojnë pjesëtarë të  85 kombeve të botës. Ky numër i shqiptarëve të Kosovës, në krahasim me numrin e besimtarëve islamë, apo të deklaruar si të tillë, është krejt minor, por është i mjaftueshëm për një fushatë gjithëpërfshirëse kundër islamit, si shkaktar që paska lindur ISIS-in, organizatë e cila bie ndesh me vetë islamin. Sharës, lehës e zhgarravitës  prapashpine ka pasur e do të ketë por rruga e karvanit të mbijetesës së shqiptarisë, nuk është ndalur as mund të ndalet.

Urrejtja anti-islame në Kosovë, në radhë të parë është urrejtje mediatike, së cilës dihet se cilat portale e gazeta e kanë prirë dhe i prijnë, është edhe urrejtje e një tarafi të gazetarëve ateistë të shkollave të ish gazetarisë titiste, dhe e individëve të frustruar, disa “pishpirikëve” që pretendojnë të paraqiten analistë të gjithëdijshëm, por edhe e medieve dhe ndonjë portali “qorr”, pa adresë e me adresë, që abuzojnë duke botuar shkrime fyese e denigruese kundër atyre, që ata për qëllime të tyre të ulëta e profane, i piketojnë si të tillë  dhe nuk japin fare përgjegjësi.

Grafitet vetvetiu janë pjellë e mendjeve të frustruara, të çoroditura, ato zakonisht shkruhen në WC-të publike, ku shkruesit e tyre frekuentojnë shpesh, pastaj  në podrume ku fiksohen me drogë, apo ku degjenerohen, por edhe në objekte periferike, madje në Prishtinë edhe në muret e fakulteteve ku nuk frekuenton policia. Realisht marrja me grafite nuk duket punë serioze, por kërcënimi i zyrtarëve të caktuar politikë e institucionalë, doemos se vë në lëvizje policinë, e cila zakonisht nuk zbulon asgjë, por edhe kur zbulon është organi kompetent, ai i cili merr qëndrim për ta publikuar apo ta fshehur Ixin apo Ypsilonin.

Toka e pëlleshme e ISIS-it, Kosova”  tani mund të etiketohet si  tokë e pëlleshme e “Svetisavës” e kryqit kundër hënës, kjo më së shumti i intereson Serbisë, Vuçiqit e Daçiqit.  Shqiptarët në Kosovë me 2000 vjet kulturë qytetëruese të tolerancës fetare janë një digë madhështore, e cila vetëm mund të përlyhet   nga jashtë me grafite, me “pjellori e pa pjellori”, por nga brenda ajo është diga e identitetit historik shqiptar  e identitetit, Gjergj Kastriot, por edhe Skënderbe, dhe si e tillë kjo digë vetëm mund të shahet e të përbuzët nga sharës e përbuzës, por nuk ka njeri, klan apo politikë që kësaj kështjelle shqiptare, mijëravjeçare, t ia heq qoftë edhe një gur të vetëm.

Grafitet, më së shumti u mbesin në kujtesë mendjeve të çoroditura, autorëve dhe pjellës së tillë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …