Vetëvendosje

RKL: Vetëvendosja nuk vendos dot vetë, pavarësisht pretendimeve

Pavarësisht  se doli partia më e votuar në zgjedhjet e parakohshme të 6  tetorit, Vetëvendosja nuk fitoi shumicën e ulëseve në Kuvend dhe këtë nuk e fiton dot asnjë parti politike në vendin tonë, për shkak të polarizimit të thellë, vijave të kuqe  dhe urrejtjes çoroditëse të disa krerëve, që kanë për njëri tjetrin.  Kjo përçarje e thellë përbrenda nesh, është pasojë e robërisë së gjatë, e konfrontimeve në dy taborë kryesorë, e mendësive bajraktare e fisnore, krahinore e fetare, ideologjike e politike, pacifiste e revolucionare…

Shpresat e shqiptarëve se çështjen e madhe të bashkimit të kombit e zgjedhin krerët politikë në Tiranë, Prishtinë e në Shkup, tashmë janë vdjerrë përfundimisht, sepse lufta e krerëve tanë politikë, nuk është e orientuar në mënyrë primare rreth idesë së bashkimit, për të krijuar një forcë unike kombëtare, për t’i bërë krerët shqiptarë unikë dhe faktor vendimmarrës në këtë segment.

Edhe ajo që është pritur nga Vetëvendosja, tashmë jo vetëm është zbehur por edhe është lëbyrur krejtësisht sepse, përnjëherë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, oreksi sa më shumë pushtet, doli mbi interesin e Kosovës dhe mbi interesin kombëtar në përgjithësi. Për më keq, që në nismë po shkelen parimet, marrëveshjet paraprake, zotimet për krijimin e shpejtë të Qeverisë, duke krijuar  një gjendje kaotike, nga e cila vështirë se do të dilet.

Arroganca, mospërfillja e partnerëve, imponimi, vrazhdësia, injorimi i të gjithë të tjerëve që nuk kanë votuar për Vetëvendosjen, nuk janë fare veprime të mençura, por veprime të ngutshme, tejet mujshare, të cilat nuk premtojnë ditë të mbara, lerë më  ardhmërinë e premtuar. Sipas kësaj mendësie u dashka që Vetëvendosja ta themelojë Qeverinë dhe institucionet  me pakicat, me krerët e OJQ-ve apo të shoqatave, me politikanë të ish nomenklaturës komuniste jugosllave dhe me  ata që e pranojnë ekskluzivisht programin e kësaj partie.

Krerët e Vetëvendosjes e dinë se në zgjedhjet e fundit kanë fituar vetëm 25 për qind, të atyre qytetarëve të Kosovës e të mërgatës që kanë marrë pjesë në votime. Me këtë rast kemi të bëjmë me një fitore, me një deputet më shumë sesa ka fituar LDK-ja apo tre më shumë sesa ka fituar PDK-ja. Nuk është ndonjë fitore për t’ u krekosur as vlen gjë  për vetëlavdërim. Nuk është sikur fitorja e fundit e Partisë Socialiste në Shqipëri, e cila e vetme i fitoi votat, por e futi në Qeveri edhe partinë deledash të Ilir Metës.

Një segment brenda Vetëvendosjes, mbase edhe me mendimin e qëllimin më të mirë, po e dëmton vetveten, sepse kjo parti nuk e ka forcën, me të cilën do ta qeveriste vetë vendin, nuk e ka besimin e 75 për qind të atyre që kanë marrë pjesë në votime,  nuk e ka besimin e një pjesë të madhe të anëtarësisë së vet,  sidomos me veprimet  që ka ndërmarrë prej kohës kur janë shpallur zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme të 6 Tetorit. Pretendimet për të lidhë koalicion domosdo vetëm me LDK-në, duke e trajtuar si parti viktimë, si një lloj partie, e cila mund dhe u dashka të lakohet majtas e djathtas, si partia e Metës e Kryemadhit, në Shqipëri, janë përpjekje koti dhe po shihet fare mirë se përpjekjet e tilla se nuk kanë sjellë dhe vështirë se do të sjellin ndonjë rezultat.

Prepotenca, arroganca, sjelljet e papërgjegjshme, veprimet e pamatura, qëndrimet e ngurta, nuk i sjellin dobi asnjë partie. Ja edhe shembulli i fundit. Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se kreu i kësaj partie, Albin Kurti,  ia ka kthyer përgjigjen kryetarit  të Kosovës,  Hashim Thaçi lidhur me takimin, sipas detyrës zyrtare. Kryetari Thaçi kishte kërkuar përmes një letre takim me kreun e Vetëvendosjes për  ditën e martë, në orën 10:00, në kabinetin e tij. Në arsyetim ai kishte shkruar…“Me qëllim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës, si kryetar i Kosovës do t’i ndërmarrë të gjitha hapat e përcaktuar në Kushtetutë”.

Kryetari Thaçi kërkon që në këtë takim konsultativ t’i konfirmohet të  propozuarit për kryeministër lidhur me formimin e qeverisë së Kosovës. Por, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti,  tri herë e ka  refuzuar ftesën, duke mos iu përgjigjur kryetarit, Thaçi, ndërkohë ka propozuar që takimi të mbahet në datën që ai e ka propozuar vetë, për ditën e hënë, më 6 janar 2020, duke i lënë të kuptohet se është Albini ai i cili cakton datat e takimit e jo  Hashimi.

Ky veprim i Albin Kurtit, më tepër del të jetë frustrim lidhur me pamundësinë e formimit të Qeverisë me LDK-në dhe me  këtë rast çdo takim me Thaçin nuk do të kishte asnjë kuptim. Edhe ftesat e njëpasnjëshme të Thaçit kanë një prapavijë të zbrazjes së zemërimit nga ana e tij, meqë ai e di fare mirë se nuk ka pse e takon Albin Kurtin, me aq ngut, për ta caktuar mandatar, kur ai ende nuk ka asnjë mandat, përveç manovrimeve dhe pritjes së paparashikueshme dhe nevrastenike. Vetëvendosja nuk vendos dot vetë, pavarësisht pretendimeve…

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …