RKL

RKL: Viti 2018 ishte në vazhdën e viteve të rënda e të vështira për Kosovën dhe popullin shqiptar në përgjithësi

Viti të cilin po e lëmë pas, edhe kësaj radhe  ishte në vazhdën e viteve të rënda dhe gjithnjë e më  të vështira për Kosovën e popullin shqiptar në përgjithësi.

 Viti 2018, mjerisht  shënoi një vit të rritjes së   ndarjes e të përçarjes brenda shqiptare, si gjithnjë të ndarë në pesë shtete, por shumë syresh vetëm  me mendje e  zemra të bashkuar, me shpresë që të jemi sa më afër njëri tjetrit, sepse vetëm nëse bashkohemi përbëjmë një faktor të fortë dhe mund të vendosim vetë për fatin, për ardhmërinë tonë, për brezat që do të vijnë pas nesh.

Nga viti në vit, qysh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, vendi ynë është ballafaquar me një presion jashtëzakonisht të madh,  në radhë të parë nga Bashkimi Evropian, i cili nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, për shkak se  pesë shtetet e Unionit, por nuk ka munguar as presioni i shteteve që e kanë njohur pavarësinë.

Tërë presioni bëhet me qëllim që Kosova të gjunjëzohet para Serbisë dhe të pranohet në BE vetëm së bashku me Serbinë, si një krijesë e vetme shtetërore me dallime specifike, vetëm  sa i përket vetëqeverisjes.

Ky vit do të mbahet  mend edhe për shumë zhvillime të tjera, që nga viti në vit shënojnë zgjerimin e përçarjes brendashqiptare, luftën tejet të ashpër politike kudo në trojet tona, presionin në rritje të Bashkimit Evropian, të Serbisë dhe Rusisë, paaftësinë gjenetike të shqiptarëve për të vepruar të gjithë tokë kundër këtij presioni, rritjes së shkallës së papunësisë, varfërimit rapid të të varfërve, rritjen rapide të të pasurve, krijimin e Qeverisë më të pasur, që kishte ndonjëherë Kosova, vendi më i varfër i Evropës, i cili me të ardhurat kombëtare për një kokë banori, radhitet me shtete më të pazhvilluara të Afrikës, degradimit deri në themel të arsimit, duke u shpallur vendi më nivelin më të ulët të dijes në botë, sipas raportit ndërkombëtar të PIS-as.

Krijimi i Qeverisë së parë në botë me rreth 100 ministra e zëvendës-ministra, rritja deri në 4000 euro pagë mujore për prokurorët, gjykatësit, dhe kreun më të lartë të Shtetit, inkuadrimi në punë i mijëra këshilltarëve, bodiguardëve, shoferëve, koordinatorëve, sekserëve nga nëntoka e kapitalit,  akordimi  nga një mijëra euro pagë mujore për familje të caktuara, por jo për familjet e dëshmorëve, zënia në punë ekskluzivisht e militantëve partiakë, përvetësimi i pronave publike nga mujsharët e politikës, shpallja e 60 mijë veteranëve duke rritur trefish numrin e tyre,  janë vetëm disa nga prapësitë e të ligat që solli Qeveria në vitin 2018.

Kjo qeveri sikur edhe ato parapraket janë fajtore lidhur me mos liberalizmin e  vizave dhe mashtrimin, që i kanë bërë popullit nga viti në vit, duke mos arritur ta kuptojnë se Bashkimi Evropian e konsideron Kosovën, provincë koloniale të Serbisë, dhe pa ia plotësuar asaj të gjitha kërkesat, nuk la liri të lëvizjeve për shqiptarët e Kosovës.

Pretendimet për ta treguar suksesin me aplikimin e taksës 100% mbi mallrat e Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës, në esencë janë përpjekje për ta fshehur përfitimin për 18 vjet të tërë klasës politike, tregtarëve e mujsharëve, pikërisht me shitjen e mallrave serbe në Kosovë. Për 18 vjet, për çdo vit shqiptarët e varfër të Kosovës kanë blerë deri në 900 milionë mallra nga Serbia. Këto mallra janë detyruar t’ i blejnë konsumatorët tanë sepse Qeveritë, përmes njerëzve e firmave të tyre  kanë trashur marrëveshjet tregtare me Serbinë, duke marrë ajkën e fitimeve.

Logjikisht shtrohet pyetja, kush ka përfituar qe 19 vjet nga ajo tregti me shtetin shqiptarë- vrasës serb të Beogradit, për ta dalë më në fund me një qëndrim, jo sepse Serbia e konsideron Kosovën koloni ekonomike të saj, por për shkak se ajo po lobon kundër pavarësisë së Kosovës dhe  jo për shkak të krimeve, masakrave, spastrimit etnik, dhe  humbjes së gjurmëve të rreth 1500 shqiptarëve,   që edhe 20 vjet pas luftës  konsiderohen të zhdukur.

Harrojnë këta qeveritarë se sa aktivistë të Vetëvendosjes dhe të popullit protestues janë rrahur e dënuar me burg, sepse për shumë vjet në të kaluarën kanë bërë përpjekje të ndalojnë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë. Tani krekosen me masën kundër Serbisë, por këtë nuk e shtyjnë edhe për shumë kohë, sepse vetë i kanë nënshkruar detyrimet që kanë ndaj BE-së, vetë e kanë nënshkruar pakon e Ahtisarit, e cila të ardhmen e Kosovës e kushtëzon me vullnetin e pakicës serbe, vetë e kanë nënshkruar marrëveshjen me CEFTEN, duke lënduar edhe pavarësinë e vendit, vetë e kanë nënshkruar themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, demarkacionin me Malin e ZI, Shtet  i cili një të tretën e territorit të vet e ka qepur me tokat shqiptare.

Me çka mund të krenohet sot Kosova, në fund të këtij viti?

Çka do të mund të shënonte optimisti më i madh që mbanë gojën hapareshur me të arriturat e vendit?

E arritura më e madhe e këtij vitit konsiderohet shndërrimi i  FSK-së në ushtri, gjatë  10 viteve  të ardhme. Çfarë e arritur është kjo e dinë të gjithë ata, që fshihen pas kësaj ombrelle të patriotizmit, sepse ata e dinë fare mirë se asgjë në Kosovë nuk është e sigurt, përveç përpjekjeve të tyre të pareshtura për t’ u mbajtur në pushtet, duke rrahur gjoks me shumë të arritura dhe duke mos përmendur asnjë nga pësimet, humbjet dhe degradimin që po i bëhet vendit.

Nëse është për t’ u krenuar me pasurinë e madhe që ka Kosova me rininë e vendit, atëherë duhet të shohim se a është e përcaktuar kjo rini të qëndrojë në Kosovë, apo të largohet sapo t’ i jepet mundësia. Statistikat zyrtare, sondazhet e monitoruesit ndërkombëtarë japin një pasqyrë reale, e cila nuk lë vend për t’u krenuar, sepse në Kosovë kanë perspektivë vetëm militantët e partive, Kosova është vetëm e tyre, sepse ata konsiderojnë se Zoti e ka krijuar Kosovën vetëm për ta qeverisur ata, të zgjedhurit, por harrojnë se në zgjedhje marrin pjesë vetëm rreth 38 për qind e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve me të drejtë vote.

Nëse Kosova krenohet me pasuritë e resurset nëntokësore e ato mbi tokë, ato pasuri tashmë i kanë përvetësuar bosët e kapitalit, kompanitë, firmat, të cilat kanë pasur dhe kanë lidhje me politikën, të djeshëm e të sotmen. Populli nuk ka fituar as fiton nga ato, sepse në procesin e privatizimit u shitën, u shkërmoqën dhe  u tjetërsuan fabrikat ku kishin punuar qindra mijëra punëtorë.  Një gjigant ekonomik, si Fabrika e Tubave në Ferizaj u shit me vlerën e gjysmës  të stoqeve të kishte në magazina. Shumë të tjera u shitën deri në 100 herë më lirë sesa vlera reale e tregut.

A mund të krenohen qeveritë e Kosovës me këto krime të rënda në shkatërrimin e tërë një infrastrukture ekonomike, me perspektivë për të ardhmen, të cilën edhe pse nën sundim të huaj e kishte ngritur djersa e punëtorëve të këtij vendi dhe e qytetarëve të saj.

Kosova, pjesa atdhetare e saj mund të krenohet vetëm me të arriturat që janë rezultat i gjakut të derdhur për çlirimin e vendit, mund të krenohet  me një segment të atdhetarëve të cilët veprat e tyre në interes të kombit nuk ia kanë nënshtruar pazareve ditore  politike

Duke qenë se Radio-Kosova e Lirë ka lindur në kohën e UÇK-së dhe si e tillë i ka mbetur besnike e përjetshme vlerave të kësaj lufte, sonte në natën festive të Vitit të Ri ne do t’ iu sjellim në kujtesë përpjekjet e pareshtura që kanë bërë faktorët ndërkombëtarë pro serbë për ta diskredituar luftën e UÇK-së, qysh prej themelimit e deri në ditët tona. Fakti se kemi përballuar këto sulme për më shumë se 20 vjet do të thotë shumë për ne, por nuk do të thotë se kjo luftë do të marrë fund ndonjëherë, krejt derisa të ekzistojë ndjenja e fuqishme liridashëse e shqiptarëve për bashkimin e trojeve të tyre. Derisa të jetë gjallë kjo aspiratë për bashkimin dhe unifikimin e kombit, nuk do të pushojë as lufta që iu ka bërë dhe po i bëhet UÇK-së, e cila me shembullin e vet tregoi dhe dëshmoi se sakrifica për lirinë kurdoherë  është e mundshme, e realizueshme dhe e qëndrueshme, pavarësisht kundërshtimeve dhe zezonave delirante pacifiste.

Afër 20 vjet pas mbarimit të luftës dhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kreu i Bashkimit Evropian, me qëllim për t’i përmbushur të gjitha kërkesat e Serbisë kundër shqiptarëve dhe me qëllim për ta shprehur urrejtjen historike-histerike, “bizmarkiane” kundër tyre,   ka filluar të ngrehë akuzat kundër kreut më të lartë të UÇK-së përmes Gjykatës që ka themeluar katër vjet më parë.  Vendimi ishte  arbitrar dhe nuk pyeste  asnjë institucion të Kosovës, edhe pse për hir të maskës dhe hipokrizisë djallëzore, BE-ja kishte  parapëlqyer  që Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës doemos të jepnin  pëlqimin e plotë për krijimin e një Tribunali të tillë dhe ashtu ndodhi.

Gjykata Speciale kundër UÇK-së është krijuar  për disa qëllime, të cilat në njëfarë mënyre janë të lidhura njëra me tjetrën

  1. BE-ja, në radhë të parë ka për qëllim ta njollos luftën çlirimtare, si dhe vetë konceptin e rrëmbimit të armëve nga grupet e organizuara për të luftuar për të drejta dhe liri, me qëllim për t iu dhënë një mësim paraprak militantëve të kombeve të ndryshme në Evropë, që kanë synim lirinë dhe luftën kundër kolonializmit e shfrytëzimit, sikur janë katalunjasit, baskët, Venetët, sicilianët, hungarezët e Vojvodinës, hungarezët e Rumanisë, sanxhaklinjtë në Mal të Zi dhe në Serbi, vllehët e Timokut e shumë të tjerë.
  1. BE-ja, përmes Tribunalit special kundër UÇK-së, synon ta degradojë luftën tonë çlirimtare si dhe intervenimin kundër Serbisë në ndihmë të kësaj lufte, që i ka bërë Amerika dhe Anglia, me qëllim që të mos ndodh ndonjë precedent tjetër, apo ndonjë përpjekje për luftë të armatosur, me synim për ta arritur lirinë.
  1. 3. Me themelimin e këtij Tribunali pretendohen të heshtën të gjitha krimet e masakrat që ka kryer Serbia në Kosovë, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroaci, me qëllim që Serbia ta pranohet në BE dhe të ‘shpërlahet’ nga krimet që ka bërë  në mënyrë sistematike prej vitit 1912 e deri në verë të vitit 1999 kundër të gjithë popujve të Ballkanit. Në krimet njëshekullore të Serbisë, sidomos kundër shqiptarëve kanë “merita” edhe shumë popuj e qeveri të Evropës.
  1. Tribunali nuk është i orientuar vetëm kundër individëve të caktuar, sikur flasin apologjetët tanë dhe të huaj, por në radhë të parë është i orientuar kundër kreut të luftës, kundër SHP të UÇK-së, kundër komandantëve të Zonave dhe kundër çdo luftëtari, për të cilin mendohet se mund të jetë kandidat potencial për rebelim. Pikërisht sepse gjykatat po dënojnë kreun e luftës e luftës është arrestuar dhe është shpallur fajtor, komandanti i SHP të UÇK-së, Sylejman Selimi, pastaj komandanti i Zonës Operative të Drenicës gjatë luftës, Sami Lushtaku, pshtë mbajtur katër vjet në burg për gjoja krime lufte, dhe më në fund është liruar në mungesë të fakteve. Është shpallur fajtor dhe është dënura  komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, Është akuzuar dhe është nxjerrë dy herë para tribunalit të Hagës komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, po ashtu është nxjerrë tri herë para gjyqit të Hagës dhe gjykatave të EULEX- it, Fatmir Limaj e shumë luftëtarë të lirisë, por jo të gjithë janë shpallur të pafajshëm.  Deri tani janë dënuar më shumë se 400 eprorë dhe ushtarë të UÇK-së, por politikanët e vendit dhe mediet pro jugosllave në Kosovë i heshtin këto fakte.

Hetuesit dhe prokurorët e Tribunalit, me qëllim për të ngritur akuzat do të mbështeten ekskluzivisht në dosjet e Ministrisë së Serbisë së kohës së Milosheviqit ku janë evidentuar emrat e disa qindra luftëtarëve  të lirisë të cilët trajtohen, “terroristë”, vetëm për faktin se kishin organizuar kryengritje të armatosur me qëllim të çlirimit nga robëria shekullore serbe.

  1. Për të arritur qëllimet maksimale në dënimin dhe diskreditimin e luftës së UÇK-së, hetuesit e EULEX-it kanë instruktuar qindra shqipfolës, të cilët gjatë luftës kanë qenë pjesë e shërbimit sekret serb dhe kanë vepruar brenda UÇK-së. Deklaratat e tyre do të jenë të besueshme, po në atë nivel sa janë edhe deklaratat e të instruktuarve të njohur.  Mjafton një i instruktuar për të nxjerrë para gjyqit dhe për të dënuar 10 apo 50 luftëtarë të lirisë. Dëshmitarët do të jenë të mbrojtur, të blerë me para dhe pas dëshmive do të ndërrojnë identitetin dhe do të jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës.

 

  1. Tribunali ka për qëllim ta mbajë peng lirinë dhe njohjen e Kosovës nga shtetet e botës, duke sjellë shembuj të inskenuar të krimeve, me qëllim për ta bindur opinionin se në Kosovë nuk kishte luftë, por vetëm krime bandash dhe se regjimi i Milosheviqit ka vepruar sipas kushtetutës së fuqi dhe në akord me të drejtën ndërkombëtare, për mos ndryshimin e kufijve të shteteve. Pikërisht për këtë po bëhen përpjekje që meritat për organizimin e luftës t i kalojnë të ashtuquajturës qeveri të improvizuar të Kosovës, në Tiranë, e cila paska projektuar luftën dhe FARK-un, qysh në verë të vitit 1998, në marrëveshje me kreun serb të luftës në Kosovë, e cila më vonë edhe dezertoi e iku për në Mal të zi e në Shqipëri.
  1. Tribunali ka për qëllim që përmes akuzave edhe pse të pabaza ta mbajë gjendjen e tensionuar në Kosovë në mënyrë që asnjë shqiptari të mos i bie në mend për ta kthyer veriun, apo për t’i bashkuar me Kosovën Medvegjen, Bujanocin e Preshevën. Të gjitha përpjekjet e tilla, jo rastësisht janë sanksionuar me një ligj nga Qeveria e Kosovës, e cila ua ndalon qytetarëve të saj të përfshihen në luftë, qoftë për ta ruajtur Kosovën Lindore, Iliridën apo edhe vetë Shqipërinë.
  1. Tribunali ka për qëllim ta godasë në vertebër çdo shqiptar që mendon të angazhohet seriozisht për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Në 10 e më shumë vitet e ardhshme se do të zgjasë jetën e vetë ky Tribunal, i ngjashëm me tribunalet inkuizitore të mesjetës evropiane, dhe instruksioneve gelebsiane të kohës së Hitlerit, si Procesi i Nyrnbergut, ndjekja e hebrenjve, etj.
  1. Gjykata Speciale kundër UÇK-së do të ketë kompetenca edhe brenda territorit të Shqipërisë, me qëllim për të damkosur dhe për të ndëshkuar të gjithë shqiptarët, që ndihmuan luftën e UÇK-së dhe që i dolën zot bashkatdhetarëve në momentin, kur ata ndodheshin para shfarosjes kolektive nga Serbia dhe Rusia. Pavarësisht se Shqipëria është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe nuk është  në juridiksionin e EULEX-it, Sali Berisha dhe Edi Rama i kanë lejuar BE-së të veprojë  lirshëm, në Shqipëri dhe të instruktojë “shtëpi të zeza e të verdha” me qëllim për ta diskredituar luftën tonë çlirimtare.
  1. Tribunali special kundër UÇK-së ka për qëllim diskreditimin shqiptarëve duke i paraqitur ata si pjesë “kanceroze të Evropës”, njëjtë sikur i trajtonte Rajhu i Tretë i “Evropës” hebrenjtë kudo ku ata jetonin në kontinentin plak.
  1. Tribunali kundër UÇK-së ka për qëllim, jo vetëm ta mohojë luftën e UÇK-së, por me demonizimin e kësaj lufte të shpall  në heshtje, “terroristë për së vdekuri” edhe të gjithë ata që luftuan dhe derdhën gjakun e tyre  për çlirimin e vendit nga barbaria dhe sodomia serbe. Të gjithë dëshmorët e UÇK-së, Serbia i ka trajtuar dhe i trajton terroristë, ashtu sikur aktualisht po vepron edhe Brukseli zyrtar.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …