RKL

RKL: Vjosa Raif Osmanit nuk ia lejon “namuzi politik pacifist” ta përmend Adem Jasharin si komandant Legjendar të UÇK-së

Retorika politike e Vjosa Osmanit është e njohur në Kosovë dhe për fat të keq e pranuar nga një pjesë e madhe e shqiptarëve ikanakë gjatë luftës, të cilët as ia kanë njohur as ia njohin meritat për çlirimin e vendit, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo,  gjatë fjalimit të sotëm në Prekaz nuk e përmendi luftën dhe qëndresën e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe luftëtarëve të kësaj familjeje të ngushtë e të gjerë. Ja çfarë tha ajo: “Jemi këtu në Prekaz në vendin që e bëri bashkë një komb të tërë rreth kauzës për çlirim, në vendin që është shndërruar në ikonë të lirisë, dhe në simbol të sakrificës më sublime të komandantit legjendar Adem Jashari, të bacës Shaban, Hamzës,  grave dhe fëmijëve dhe gjithë familjes Jashari së bashku me bashkëluftëtarë dhe bashkëfshatarë të tjerë të komandantit legjendar. Sakrificë sublime që e rezultoi me Pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Zonja Osmani e di fare mirë çka thotë dhe si e thotë, për të mos bërë gabime, për të mos e tradhtuar vetveten dhe të gjithë ata që e kanë votuar.

Jo rastësisht, ajo nuk përmend luftëtarët e UÇK-së në krye të të cilëve ishte vetë Komandanti i kësaj lufte, por përmend bashkëluftëtarët duke iu shtuar atyre edhe  bashkëfshatarët e tij.

Po kështu trimërinë dhe heroizmin treditor të jasharëve përballë mijëra policëve dhe ushtarëve të Serbisë së Millosheviqit, ajo përcaktohen vetëm me fjalën sakrificë, vetë sakrificë, flijim, por kurrsesi fjalën qëndresë, heroizëm, luftë ballë për ballë.

Nuk duhet të habitemi nga vokabulari politik, pacifist i zonjës, Osmani, por  jemi zemëruar sa e sa herë nga bashkëluftëtarët e krye komandantit, Adem Jashari, të cilët asnjëherë nuk reaguan në këtë fjalor, nuk reaguan as shoqatat e luftës, politikanë e dalë nga lufta jo se jo, sepse edhe ata fjalimet e tyre, vetëm në fushata zgjedhore i ngjyrosin me fjalë militante, pas zgjedhjeve ua ulin pazarin.

Dihet botërisht sesi ishte shprehur  zonja Osmani për Masakrën në Reçak, duke përjashtuar luftën e qëndresën e të rënëve, luftëtarëve të Togës së vogël prej 30 pjesëtarësh të Reçakut, nëntë nga të cilët kishin rënë para hyrjes së forcave serbe në fshat  e dhjetëra të tjerë ishin plagosur.

Po ashtu edhe kur komentohet politikisht  sulmi i luftëtarëve të Adem Jasharit kundër forcave serbe me 28 shkurt të vitit 1998, në Qirez e Likoshan, flitet për masakrën e Qirezit dhe Likoshanit jo për dëshmorët, të plagosurit dhe ata që kryen atë aksion kundër policisë vrastare serbe.

Kjo qasje antihistorike, bëhet me qëllim që të mënjanohet e të anashkalohet  lufta e UÇK-së, me qëllim që ajo të paraqitet vetëm si konflikt mes shqiptarësh të armatosur dhe forcave serbe të Milosheviqit, madje nganjëherë me shumë hile e hipokrizi  thuhet kundër forcave paramilitare serbe, duke i kursyer forcat zyrtare të regjimit kriminal, për ta krijuar bindjen antihistorike  se kanë luftuar fshatarët  shqiptarë duke mbrojtur pragun e shtëpisë kundër paralimitarëve serbë.

Jo rrallëherë na ka rënë të lexojmë edhe komentime të tjera anti historike se në Prekaz ka luftuar fisi i Jasharëve dhe i pari i fisit, Adem Jashari, sikur ishte edhe shkrimi që më 7 mars të vitit 1998 u botua në një gazetë angleze, i përkthyer shqip nga Koha Ditore.

Kemi në anën tjetër  edhe qëndrimet krejtësisht antihistorike të njërit prej themeluesve të LDK-së, komunistit  dhe inspektorit jugosllav të UDB-së Jusuf Buxhovi, i cili në maj të vitit 1998 i kishte kërkuar Ibrahim Rugovës, përmes gazetës “Bujku” ta pacifikonte Drenicën madje edhe në bashkë ujdi me Milosheviqin, në mënyrë që të mos  lejonte të përsëritej koha e Shaban Palluzhës, e shkurtit të vitit 1945. Tani ky Buxhoi ia ka kthyer ndryshe. Ai e paraqet Adem Jasharin si krah luftarak të LDK-së, por nuk përmend FARK-n e Rugovës, që ishte krijesë e institucioneve fiktive të pacifizmit, e cila luftën e “kreu me heroizëm” duke qëndruar nëpër kazermat dhe hotelet e Shqipërisë, për të ardhur dhe për t’u imponuar  pastaj si forcë çlirimtare pas hyrjes së forcave të NATO-s, në Kosovë.

Një lapsus,  lidhur me mësimet e historisë  së familjes Jashari nga Albin Kurti

Albin Kurtit ia lejon “namuzi politik” ta përmend togfjalëshin, UÇK, por ajo që bie në sy në fjalimin e tij  në Prekaz, është kursimi i këtij togfjalëshi për konsum politik. Mbase edhe kjo  sintagmë një ditë do të fshihet nga arkiva 13-vjeçare e komunikatave dhe komenteve të Vetëvendosjes.

Edhe Albini kësaj radhe flet mbi të gjitha për sakrificën e jasharëve, jo për qëndresën dhe heroizmin.

“Liria jonë i ka rrënjët te dëshmorët e kombit, tek gratë dhe burrat që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë, e mbi të gjitha, nga Jasharajt. Neve duhet të mirëmbajmë trungun që del prej këtyre rrënjëve e që është shteti, degët që dalin prej trungut e që janë institucionet e organet shtetërore, gjethet që bëjnë kurorën e pemës e që janë partitë politike dhe organizatat e ndryshme në vend, kurse frutat janë mirëqenia që duhet të ndahet, shpërndahet e rishpërndahet te qytetarët e vendit tonë”.

Duke shpalosur historinë e Jasharëve nëpër shekuj i gjithë dituri, Albin Kurti ngatërron keq datat e betejave të kohës së Perandorisë Osmane, ku kanë marrë pjesë shqiptarët, për të mbrojtur Perandorinë, por edhe tokat e tyre, që ishin nën atë perandori.

Ai thotë se para më shumë se 300 viteve, i pari i familjes Jashari (nga sa mbahet mend), ishte Murati i cili shkon „asqer“ në Pleme të Vogël, në vend të vëllait të vet i cili ishte më i dobët fizikisht. Prej aty nuk kthehet kurrë më.

(Zyra e kryeministrit 6. 3. 2021: Kryeministri Kurti: Prekazi dhe Kullat e Jasharajve janë vendi prej nga ne marrim trimërinë, guximin dhe frymëzimin për të punuar dhe ndërtuar vendin tonë)

Lufta e Plemes së Vogël, është Lufta e Osman Pashës, në Plevne të Bullgarisë e vitit 1877 kundër Rusisë dhe forcave të vende sllave e të krishtera të Evropës, ndërsa ajo e para treqind e më shumë vitesh, në Shkup dhe në Kaçanik, konkretisht në vitin  1689,  nën forcat ushtarake të gjeneralit austriak,  Piccolomini, ku thuhet se kanë luftuar rreth 6000 luftëtarë nga Drenica, dhe  ku pretendohet të ketë qenë edhe Murati i parë i kësaj familjeje atdhetare, nëpër shekuj. Ngatërrimi i Kurtit të ngazëllyer me shumë entuziazëm nga fitorja, përngjet me gabimin e Nexhat Dacit, i cili Kosharen e Junikut e kishte paraqitur si Kosharen e Ferizajt  dhe Sefë Koshares, pa menduar se në  Kosovë kishte dy fshatra me të njëjtin emër,  sikur ka edhe shumë fshatra të tjera.

Përpjekjet për ta anashkaluar dalëngadalë por tinëzisht, me djallëzi, hipokrizi  e dhelpëri emrin e vërtetë dhe historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë marrë hov pikërisht tani në kohën kur Gjykata Speciale kundër UÇK-së, në Hagë,  luftën tonë të drejtë e paraqet si “ndërmarrje të përbashkët kriminale” të krerëve kryesorë të luftës, me qëllim  jo vetëm të devalvimit të asaj lufte por edhe kriminalizimit të saj, sepse, sikur thuhet në aktakuzë,  gjatë dy viteve  UÇK-ja kishte vrarë 87 kolaboracionistë shqipfolës si dhe disa serbë e romë, madje, sipas aktakuzës,  duke i shtuar kësaj edhe vrasjen e katolikëve shqiptarë, mbi baza të urrejtjes fetare. (!) Aktakuza nuk flet për vrasjen e masakrimin  e 13.000 shqiptarëve të Kosovës në këtë mes edhe 1440 fëmijë të mitur, nga regjimi kriminal i Milosheviqit.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …