RKL: Vuku, (Ujku) qimen e ndërron, por jo edhe vesin

Kryetari i Lëvizjes së Përtëritjes Serbe, Vuk Drashkoviq, i njohur për qëndrimin e tij fashist kundër shqiptarëve dhe ideator i përzënies së tyre përtej “Bjeshkëve të Nemuna”, tani, 15-vjet pas luftës në Kosovë,  ka deklaruar  se Sigurimi Shtetëror i Serbisë, me Radomir Markoviqin në krye, përmes “legjionarit”, Milorad Ulemek ka masakruar gjashtë të rinj serbë, në kafenenë “Panda”, në Pejë, më 14 dhjetor 1998. Sipas tij, krimi është kryer me urdhrin e ish-kryetarit të atëhershëm serb, Slobodan Milosheviq.  Vendimin për një seri të krimeve kundër serbëve dhe shqiptarëve që kanë mbështetur Serbinë dhe kanë akuzuar UÇK-në, e ka sjellë Milosheviqi në nëntor 1998 dhe shtabi i tij strategjik. Atëherë u vendos që me një seri të sulmeve terroriste, që do të kryente “legjioni i vdekjes” në sytë e ndërkombëtarëve, UÇK-ja të paraqitej  si organizatë terroriste dhe që të njëjtën kohë të ngrihej  në maksimum pasioni antishqiptar në Kosovë dhe në tërë Serbinë.


Vuk Drashkoviqi ka fshehur faktin kryesor në këtë dramë, të cilën po bën përpjekje ta bëjë sa më tragjike vetëm për popullin serb. Ai e di mirëfilli  se në mëngjesin e acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998, në Gorozhup të Hasit, duke kaluar pikën kufitare kishin rënë në pritën e kurdisur nga ushtria serbe, 41 luftëtarë të UÇK-së.


 


Sipas informatave të Drashkoviçit, Radomir Markoviq para disa muajsh paska kërkuar amnisti nga kryetari serb, Tomislav Nikoliq, duke kërcënuar që do ta rrëzojë në gjunjë Serbinë nëse publikon të gjitha krimet ndaj serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, si dhe ndaj serbëve e myslimanëve në Bosnje, krime këto që i ka kryer Serbia me urdhër të Milosevicit. “Serbia është në gjunjë e tij derisa jemi pengje të kriminelëve që kanë bërë këtë dhe derisa e fshehim të vërtetën”, thotë çetniku kriminel, Drashkoviq, duke pretenduar ta lajë vetën nga të gjitha krimet.


 


Krimi në Pejë, më 14 dhjetor 1998 kishte për qëllim ta tërhiqte vëmendjen nga rënia dhe vrasja  në kufi e 41 luftëtarëve të UÇK-së


 


 


Krimi në Pejë, i kryer, kundër disa të rinjve serbë  nga regjimi i Milosheviqit, ndodhi pikërisht në ditën kur në Gorozhup të Hasit, kishte  rënë në pritë një formacion i luftëtarëve të lirisë, me ç’ rast gjatë luftimeve, krejtësisht të pabarabarta, në pritën e zënë dy ditë më parë nga ushtria e policia serbe, kishin rënë duke luftuar 41 luftëtarë të UÇK-së, në mesin e tyre edhe komandanti, Mujë Krasniqi, ndërsa ishin zënë rob 9 luftëtarë, gati të gjithë të plagosur.


Krimi në Pejë ishte bërë me qëllim  për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga luftimet në Gorozhup, për ta krijuar bindjen se UÇK-ja pas humbjeve në kufi, mllefin e kishte derdhur te disa të mitur serbë, në një lokal të Pejës.  Këto dy zhvillime, më 14 dhjetor 1998 kanë qenë të planifikuara dhe të kryera sipas urdhër-dhënësve të Beogradit, meqë asokohe  dihej se regjimi serb, përmes burimeve të veta brenda UÇK-së, kishte dijeni se luftëtarët shqiptarë ishin duke hyrë nga Shqipëria në Kosovë, pikërisht në vendin ku ishte zënë prita. Informatën e  parë lidhur me luftimet në Gorozhup dhe humbjet që kishte pësuar UÇK-ja, Beogradi zyrtar i kishte dhënë qysh në mesditë, ndërsa krimi në lokalin “Panda” kishte ndodhur në orët e mbrëmjes.  


Nuk është kjo kurdisja e vetme e forcave serbe gjatë dhe pas luftës në Kosovë.


 


Publikimi i këtij rasti po bëhet me qëllime politike, për të treguar se gjoja shkaktari kryesor për krimet paska qenë vetëm Milosheveqi  me klanin e tij, por  jo koalicioni qeveritar i Drashkoviqit e forca të tjera çetnike serbe,  jo edhe 90 për qind e qytetarëve të Serbisë, të cilët unanimisht kishin mbështetur regjimin e Milosheviqit, qysh prej vitit 1988, madje edhe pas mbarimit të luftës dhe nënshkrimit të kapitullimit, më 10 qershor të vitit 1999, në Kumanovë.


 


Vuk Drashkoviqi, i njohur për urrejtjen e tij patologjike kundër shqiptarëve, ka ditur për këtë krim ashtu sikur di edhe për të gjitha krimet e tjera, për të cilat nuk ka folur publikisht gjatë këtyre 15 viteve edhe pse pas luftës ka qenë i mirëpritur nga shumë politikanë e gazetarë në Kosovë, madje ka marrë pjesë edhe në debatet e KTV-së, ku ka insistuar për të na bindur se  Kosova ka qenë dhe do të mbetet provincë e Serbisë. Ai, në kohën e demonstratave paqësore në Beograd,  kundër Milosheviqit ka pasur edhe përkrahjen e fuqishme të Sali Berishës, i cili kishte kërkuar nga shqiptarët e Kosovës që t’i mbështesnin demonstrata antiqeveritare të Drashkoviqit, me qëllim që ta përmirësonin pozitën e tyre në Krahinën Autonome të “Kosovë-Metohisë”.


 


Tani, duke qenë se Serbia, në bisedimet e Brukselit ka fituar Veriun e Kosovës dhe Bashkimi Evropian po e pret krahëhapur për të inkuadruar në procesin e anëtarësimit në BE, Drashkoviqi po përpiqet të tregojë se për krimet e kryera kundër shqiptarëve madje edhe serbëve qenka vetëm një fajtor, vetëm Sllobodan Milosheviqi i vdekur gjatë kohës së gjykimit në Hagë, më 11 mars të vitit 2006.


Drashkoviqi po mundohet ta lajë nga krimet  veten dhe të gjithë serbët, të cilët sipas tij qenkan manipuluar nga regjimi i Milosheviqit, ndërsa meqë ky i fundit nuk është më në mesin e të gjallëve, nuk paska fajtorë të tjerë dhe Serbia qenka e larë përfundimisht nga krimet e luftës. Vuk Drashkoviqi me hipokrizinë e djallëzinë e tij po bën përpjekje të tregojë se nuk  paska asnjë arsye për kërkim falje, meqë si shqiptarët ashtu edhe serbët paskan qenë viktima të Milosheviqit, andaj pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve dhe fillimi i një bashkëjetese të re qenka punë e kryer.


 


Drashkoviq tash nuk flet për kohën e ngritjes së Milosheviqit, në krye të Jugosllavisë e të Serbisë, në vitin 1988, kur ai   u bënte thirrje serbëve të vet për t’ i përzënë shqiptarët  përtej “Bjeshkëve të Nemuna”. Nuk flet se ishte në koalicion qeveritar  me Milosheviqin, pikërisht në kohën kur Serbia e tij dhe e Milosheviqit kryenin krime monstruoze kundër popullatës civile shqiptare, ashtu sikur kreu edhe kundër boshnjakëve në Sanxhak,  në Bosnje e Hercegovinë dhe kundër kroatëve në Kroaci.


Drashkoviq, ashtu sikur edhe shumë kriminelë të tjerë  di mirë edhe për rastin  në qytezën e Fushë-Kosovës, në vitin 1989, kur ishte inskenuar vrasjen e 12 fëmijëve serbë, me qëllim që për atë krim të fajësoheshin shqiptarët. Edhe pse ishte marrë vendimi, përkrahësit e idesë nuk kishin pranuar që fëmijët e tyre të viktimizoheshin.


Tani, 15 vjet pas luftës, ai tregon se i ka ditur të gjitha, por ka heshtur, ndërkohë që gishtin për krime ia drejton  vetëm Milosheviqit të vdekur, por jo edhe kundër vetvetes dhe  çetikëve të tjerë të kryetarit aktual, Tomisllav Nikoliq. 


 


Drashkoviq është ngritur në skenën politike  të Serbisë, pikërisht me idetë e tij nacional-shoviniste e çetnike kundër shqiptarëve, myslimanëve, kroatëv,  hungarezëve dhe të gjithë jo serbëve,  sidomos në vitet 80-të të shekullit të kaluar. Ai, së bashku me Milosheviqin e krerët e tjerë të shtetit serb ka qenë i angazhuar në dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, ndërkohë që vazhdimisht ka kërkuar asgjësimin e shqiptarëve. Pretendimi i  tij hipokrit për të përmirësuar imazhin e zi të çetnikut të regjur, tregon se Vuku (Ujku) dëshiron ta ndërrojë qimen, por kurrsesi nuk e ndërron vesin fashist. Ai, me dinakërinë e tij me kohë e ka kuptuar qëndrimin antishqiptar të pjesës dërrmuese të shteteve të Evropës dhe tash po bën përpjekje të transformohet, si dikur Sauli, persekutuesi i  të krishterëve të parë, i cili shumë vjet më vonë kishte bërë përpjekje t’ i mbronte ata. Këtë po e bën, me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme në Serbë të përfitojë edhe mbështetjen ndërkombëtare, sidomos mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Kontrolloni gjithashtu

Hasan Prishtina

Ahmet Qeriqi: Përpjekjet për ta mjegulluar dhe deformuar origjinën e Hasan Prishtinës, janë të papërgjegjshme dhe antihistorike

Më 13 gusht të vitit 1933, në Çimisqi të Vogaxhikut, përpara një bakallhaneje, në Selanik …