21 vjet më parë, më 28 shkurt 1998, njësitet e UÇK-së, të cilat i drejtonte, Komandanti, Adem Jashari sulmuan forcat policore serbe në vendin e quajtur, “Te lisat Gjashtënjakë” me fshatrave, Qirez dhe Likoshan. Gjatë ndeshjeve, luftëtarët e lirisë shpartalluan një patrullë policore ku mbeten të vrarë 4 serbë dhe disa të tjerë të plagosur rëndë. Në shenj hakmarrje për këtë ndeshje ballë për ballë, forcat policore serbe zemërimin e tyre fashist e derdhën mbi popullatën civile, në fshatrat Çirez e Likoshan të Drenicës, ku ekzekutuan mizorisht 2o banorë të këtyre fshatrave, në mesin e tyre, gra e fëmijë dhe një grua shtatzënë.
Në rrethimin e fshatrave, forcat serbe kishin përdorë artileri të rëndë, duke përfshirë helikopterë dhe shumë mjete tjera të motorizuara, tanke e topa.
Më 28 shkurt 1998 gjatë luftimeve me policinë serbe, në Qirez dhe Likoshan të Drenicës, kanë rënë 4 dëshmorë të UÇK-së, Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, Muhamet Gjeli dhe Naser Gjeli. Policët serbë kanë masakruar 20 pjesëtarë të popullatës civile: Beqir Sejdiun, Ilir Nebihun, Rukie Nebihun, (shtazënë) Xhemshir Nebihun, Nazmi Sejdiun, Bedri Sejdiun, Bekim Sejdiun, Ibish Ramën, Ismail Behramin, Behram Fazliun. Nga familja Ahmeti janë martirizuar: Ahmet Ahmeti, Gani Ahmeti, Hilmi Ahmeti, Hamzë Ahmeti, Driton Ahmeti, Naim Ahmeti, Lumni Ahmeti, Shemsi Ahmeti, Basri Ahmeti dhe Elhami Ahmeti, dy të fundit të mitur.
Në ditët vijuese, ushtria dhe policia serbe do të përshkallëzonte sulmin duke vënë në rrethim të hekurt ushtarak e policor, lagjen Jashari, në Prekaz, ku për tri ditë rresht ishin zhvilluar luftime të ashpra dhe të pandërprera. Gjatë luftimeve, forcat serbe kishin vënë në përdorim edhe artileri e topa të rëndë të kalibrave të mëdhenj.
Gjatë tri ditëve kanë rënë në altarin e shenjtë të lirisë, 56 pjesëtarë të familjes së gjerë Jashari dhe disa miq e nipa të jasharëve, që kishin ndodhur në këtë lagje, me rastin e luftimeve. Në mesin e të rënëve ishin 21 anëtarë nga familja e ngushtë e Legjendarit të UÇK-së, Adem Jashari.
Heroizmi kolektiv dhe qëndresa e pashembullt e Jasharëve në Prekaz i dha hovin vendimtar mobilizimit gjithë popullor në radhët e UÇK-së, derisa në anën tjetër Lëvizja pacifiste, në Prishtinë dhe kudo në Kosovës kishte organizuar dhe mbante zgjedhje “të lira” nën regjimin gjakatar dhe shqiptarë vrasës të Milosheviqit, dhe ftonte popullin të mos i kundërvihej forcave serbe, të cilat nuk penguan “zgjedhjet e lira” të LDK-së, me qëllim për të lënë të kuptohet se edhe ata pajtoheshin me politikën pacifiste, por nuk kishin paralajmëruar asnjë favor dhe asnjë mbështetje institucionale, asnjë shpërblim për pacifizmin, përveç ftesave për bisedime në Beograd, të cilat i kishte kornizuar me kohë, regjimi i Milosheviqit.
Pas luftimeve të përgjakshme në Prekaz, një delegacion i LDK-së kishte vizituar degën në Skënderaj dhe i kishte bërë të ditur anëtarësisë se ajo që kishte ndodhur më 5.6 dhe 7 mars, nuk ishte rruga e LDK-së, as e Ibrahim Rugovës.
Edhe gjatë varrimit të të masakruarve në Çirez e Likoshan, militantët politikë të LDK-së ishin mobilizuar për ta paraqitur rezistencën e luftëtarëve të UÇK-së si një vetëvrasje, duke lënë të nënkuptohej se rruga e vetme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ishte ajo e Ibrahim Rugovës. Gjatë varrimit të martirëve, pati edhe incidente, meqë iu mor fjala një aktivisteje, e cila ftonte popullin të mobilizohej për luftë, sepse nuk kishte rrugë tjetër.
Beteja në Çirez e Likoshan më 28 shkurt të vitit 1998, pastaj Beteja e Jasharëve në Prekaz, më 5.6 dhe 7 mars të po atij viti, sado që krijuan një ndasi në perceptimin e politikës në mesin e shqiptarëve, ajo nuk degradoi me luftë të brendshme, meqë luftës për liri iu bashkuan mijëra shqiptarët liridashës, duke lënë anash partitë dhe bindjet politike të tyre.
Ideatori i LDK-së, Jusuf Buxhovi me disa nga bashkëmendimtarët e tij, i cili asokohe ndodhej në Gjermani, nga atje kërkonte publikisht nga kryetari, Ibrahim Rugova ta pacifikonte Drenicën dhe të mos lejonte që njerëzit e papërgjegjshëm ta përsërisnin kohën e Shaban Palluzhës, të shkurtit të vitit 1945. Nga ato deklarata të papërgjegjshme dhe antihistorike, nuk ishte distancuar kreu politik i LDK-së, në Prishtinë, dhe krejt kjo kishte krijuar një kaos edhe përbrenda strukturave të kësaj partie, e cila mjerisht gjatë tërë kohës së luftës nuk e ndërroi orientimin politik, pacifist, edhe pse në radhët e saj u diferencua një segment që përkrahte luftën e armatosur, por kërkonte që ajo t’ i bindej strukturave “institucionale” që quan të krijimin e FARK-ut, forcë kjo e cila kishte pranuar të luftonte nën emblemën e UÇK-së, por me kushte të papranueshme nga Shtabi i Përgjithshëm.
Sot në përkujtim të luftëtarëve e martirëve të rënë në Qirez, Likoshan dhe kudo në Kosovë, është qartësuar definitivisht dilema se çka do të kishte ndodhur me shqiptarët, po të mos kishte filluar dhe të mos ishte zhvilluar lufta çlirimtare, e cila fitoi besimin e popullit, por edhe përkrahjen e simpatinë e forcave demokratike e përparimtare të botës. Intervenimi i NATO-s kundër makinerisë ushtarake e vrastare të Milosheviqit, ushtrisë dhe politikës së tij, duke filluar nga 24 marsi e deri më 9 qershor të vitit 1999 i dha fund regjimit më kriminal në Evropë, pas Luftës së Dytë botore, por nuk e dëmtoi sa duhet ADN-në kriminale, kolonialiste dhe hegjemoniste të Serbisë politike.
Sot, 21 vjet më pas ballafaqohemi me mbetjet e rizgjuara, kriminele të po atij regjimi, i cili jo vetëm që nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendimi për krimet fashiste, gjenocidin dhe krimet e luftës që ka kryer në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë, në vitet 90 të shekullit të kaluar, por pretendon që përmes Rusisë të rikthehet në të kaluarën e përgjakshme, duke kërcënuar me një luftë edhe më të përgjakshme deri në shfarosje të të gjithë atyre që nuk janë serbë.
Serbia e sotme, gjithnjë e më shumë, po merr jo vetëm përkëdheljen por edhe përkrahjen zyrtare të Bashkimit Evropian, që po përpiqet t i bind shqiptarët në Kosovë, të pajtohen me Serbinë, duke bërë kompromise të dhembshme që shkojnë në dëm të pavarësisë dhe integritetit territorial të vendit.
Në këtë situatë, të gjithë ata politikanë që nuk e kundrojnë vizionin dhe kujtesën e tyre në akord me pamjet nga masakrat që kanë kryer serbët, kundër shqiptarëve, kundër fëmijëve, grave dhe pleqve, jo vetëm në luftën e fundit, por gjatë më shumë se një shekulli, dhe, kërkojnë që njëanshëm ta falin Serbinë për krimet, duke ia shtrirë dorën e pajtimit, për hir të partneritetit me shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën, duhet ta kanë të qartë se shkelja mbi atë gjak shekullor, të derdhur për liri do t ua zë sytë dhe do t’ i dërgojë në plehrat dhe jashtëqitjet e historisë.