RLK: Mbrojtja e luftës së UÇK-së, e etiketuar nga Dik Marti dhe nga qarqet antishqiptare, është detyrë patriotike

 


Shpifjet raciste dhe thellësisht antishqiptare të Dik Martit, kundër kreut të luftës së UÇK-së, prapa të cilit qëndrojnë Beogradi, Kremlini zyrtar dhe qarqet antiamerikane dhe antishqiptare të Evropës kanë për qëllim devalvimin e pavarësisë së Kosovës, duke pretenduar të krijohet pozicion fillestar për bisedimet e ardhshme dhe duke lënë anash statusin e Kosovës. Pikërisht këtë pozicion e ka kërkuar Serbia, e cila nuk e ka mohuar as rolin vendimtar që ka pasur dhe e ka në raportin e Dik Martit. Kreu i Beogradit e ka shpallur një fitore të madhe  për Serbinë raportin  e miratuar nga Asambleja Parlamentare, pavarësisht rezultatit të hetimeve. Serbia, mendon se  ka arritur që përmes etiketimeve dhe instruktimit të dosjeve të fitojë epërsi në bisedimet e ardhshme me autoritetet e Kosovës.


 Qëllimi i Serbisë është që duke shfrytëzuar raportin me shpifje e gënjeshtra të Dik Martit,  të fitojë diçka nga ato ka humbur në luftë, në mos më shumë, të fitojë edhe zyrtarisht veriun e Kosovës si dhe autonominë e plotë të enklavave, dhe me këtë rast  do të mjaftohet  edhe me statusin  që është siguruar për këto enklava nga plani famëkeq i Ahtisarit.


Po ashtu, Serbia pretendon që duke inkriminuar kreun e luftës së UÇK-së, të kërkojë partner tjetër në bisedime nga radhët e kreut politik i Kosovës, sidomos nga ata që kanë mbajtur një qëndrim të hapur kundër UÇK-së dhe kreut të saj politik. Këto pretendime të Serbisë po gjejnë mbështetje në krijimin e një klime të rrezikshme nga disa mediume që identifikohen me ish nomenklaturat dhe opozitën e fuqishme politike të pothuajse të  të gjitha partive kundër PDK-së. Po të lexohen me kujdes publikimet e ndryshme në “Koha Ditore”, Zëri” e “Bota Sot”, vërehet  krijimi i një disponimi në rritje kundër kreut të luftës dhe kundër kreut të PDK-së, në shumë drejtime, duke i akuzuar për trafikim, për eliminim të kundërshtarëve poltikë, për korrupsion, veprime mafioze e të tjera. Pretendimet shkojnë aq larg sa po bëhen përpjekje që kreu i lutës të paraqitet si kupola e krimit tash dhe në të kaluarën.


Përmes përkthimit dhe botimit të të gjitha faqeve të zeza të internetit, për çdo ditë në këto gazeta botohen shkrime ku etiketohen sidomos, kryeministri Hashim Thaçi, pastaj Xhavit Haliti, Azem Syla, Fatmir Limaj  e të tjerë, që të katërtit zyrtarë të lartë të PDK-së dhe politikanë e eprorë ndër më të suksesshmit  të UÇK-së.


Përpjekjet për ta diferencuar këtë katërshe nga UÇK-ja, pretendimet për izolimin e tyre, edhe nga një segment me ndikim në radhët e opozitës, duke u mbështetur në shpifjet e Dik Martit, Tadiqit e Jeremiqit, pa asnjë dëshmi apo fakt konkret,  po bëhen me qëllim për diskreditimin e klasës politike me prejardhje nga lufta.


Krejt kjo po ndodh në sytë e opinionit dhe mjerisht propaganda e tillë dita-ditës po jep rezultate, fillimisht duke krijuar huti te një shtresë shqiptarësh, që nuk kanë sa duhet informacione, pastaj duke krijuar bindjen se të gjithë ata që kanë bërë “krime”, qofshin ato edhe të supozuara, u  dashka të përgjigjen para drejtësisë.


Në këto tri gazeta, vetëm rastësisht mund të prezantohen krimet që ka kryer Serbia dhe të gjitha monstruozitet, të cilat i rrëfejnë të gjallët, ata që kanë shpëtuar nga barbaria dhe  që jetojnë në mesin tonë. Në asnjërën prej këtyre gazetave nuk vërehen rubrika speciale për “Krimet serbe në Kosovë”, apo fejtone për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo shkrime për veteranët, invalidët e tema të tjera që lidhen me luftën dhe fitoren.


Në emisionin “Rubikon” të Kohavizionit, ku ishte i ftuar Xhavit Haliti, analisti A. Kelmendi, pas shfletimit një nga një të të gjitha akuzava të sajuara nga të gjitha qaret antishqiptare dhe përgjigjes krejtësisht të ftohtë e të qetë të Xhavit Halitit, në fund fare pyet sesi është e mundshme që asnjëra prej të gjitha atyre akuzave të mos jetë e vërtetë?. Ai, në cilësinë e një hetusi me përvojë, do të mjaftohej po qe se i ftuari në studio, të paktën për hir të emisionit dhe hetimeve nga ana e tij,  të pranonte një apo dy akuza, për shkak se qenka i akuzuar, nga Serbia, nga Dik Marti, UNMIK-u, hetimet e pas luftës së LDK-së e nga qarqe  të tjera, të cilat kanë vetëm një burim, dhe që të gjitha mbështeten vetëm në dosjet, që i ka krijuar regjimi serb i kohës së Milosheviqit dhe janë shpërndarë pastaj  ashtu si puplat nga jastëku.


 


 


Ja, si përvidhet para syve tanë propaganda e egër, antikombëtare dhe aspak në shërbim të së vërtetës, por krejtësisht në shërbim të Beogradit. Sipas rezonimit të tillë, fakti se je i akuzuar rëndë, dashur pa dashur  do të thotë se ke faj. Po cili është ai shqiptar, që ka marrë pjesë në luftën e UÇK-së nuk është i shpallur fajtor nga serbia, kur vetë UÇK-ja edhe sot e kësaj dite vazhdon të trajtohet si terroriste në Serbi, ashtu sikur e kishte trajtuar krimineli Milosheviq? Beogradi kurrë nuk e ka shpallur fajtor Ibrahim Rugovën, as Veton Surroin, as Isa Mustafën, as Behxhet Pacollin.


Është për të ardhur  keq që Xhavit Haliti, njëri ndër më meritorët e UÇK-së, njeri,  i cili tërë jetën e tij ia ka kushtuar kombit e atdheut pranon të hetohet nga një gazetar hetues, i një mediumi, i cili 24 orë rresht lanson të pavërteta e gënjshtra kundër UÇK-së, kundër PDK-së, kundër Qeverisë së Kosovës, (madje duke u shërbyer edhe me banalitete e thashetheme të rrugës),  kundër veteranëve  dhe kundër vlerave më të dëshmuara të kombit.  Gatishmëria e tij për ta treguar pafajësinë në çdo rast dhe në çdo vend, është për t u përshëndetur, por kjo gatishmëri dhe ky sinqeritet abuzohet dhe mendojmë se është abuzuar gjatë tërë emisionit.


Veprimtarët dhe çlirimtarët e Kosovës, si Xhavit Haliti, jeta në burg dhe në luftë  i ka mësuar të jenë shumë të durueshëm, madje më shumë sesa mund të durojë njeriu. Ky durim i tij dhe  i bashkëveprimtarëve është një këmbanë alarmi për të gjithë shqiptarët liridashës. Veteranët e luftës, invalidët, familjarët e dëshmorëve, të burgosurit politikë dhe të gjithë shqiptarët liridashës  e të dëshmuar kombëtarisht, duhet të jenë edhe më unikë në mbrojtjen në çdo rrethanë dhe me çdo kusht të vlerave të luftës. Nëse lejojmë që për hir të ruajtjes së status-quosë, për hir të BE-së dhe deputetëve të Evropës  të heshtim dhe të rrimë duarkryq, kjo nuk do të na falet dhe fare lehtë mund të na përsëriten mësimet e pa mësuara mirë  të historisë.  

Kontrolloni gjithashtu

Kur Kina të zgjohet … bota do të dridhet II

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se SHBA-të po luajnë me zjarrin

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë me …