Kanë kaluar 16 vjet prej mbarimit të luftës në Kosovë dhe për gjatë gjithë këtyre viteve, veteranët e UÇK-së kanë qenë kategoria sociale më e përbuzur dhe më e anashkaluar nga të gjitha qeveritë e derisotme të vendit. Fakti se sot, ( 5 tetor 2015) janë tubuar mijëra veteranë, para ndërtesës së Qeverisë për të aplikuar me qëllim për të marrë “pensionin” 170 euro në muaj, apo lëmoshën e Qeverisë, dëshmon më së miri se këtë tollovi e ka shkaktuar vetë Qeveria, mbase edhe Komisioni përkatës, i cili nuk ka caktuar data të veçanta për të gjitha zonat, por ka shpallur fillimin e aplikimit për të gjithë veteranët në të njëjtën kohë. Imazhi që sot veteranët po e shfaqin publikisht tregon më së miri se deri në cilin nivel është katandisur dinjiteti i tyre, lufta e tyre për çlirim nga robëria shekullore serbe.
Asnjë qeveri e derisotme e vendit, asnjë institucion nuk mund të justifikojë zvarritjen 16 vjet të përcaktimit të kategorive të luftës së UÇK-së. Kjo zvarritje, jo e paqëllimshme është bërë për shumë shkaqe e arsye.
Në radhë të parë për t’i demotivuar veteranët për luftën e tyre, të cilën nuk e ka përkrahur shumica e shqiptarëve të Kosovës, ( sepse shumica e tyre ose kishte ikur ose kishte marrë pozitë pasive) dhe, nga qarqet pacifiste kjo luftë as është pranuar as pranohet. Po ashtu një shkaktar tjetër relevant për degdisjen e veteranëve mbetet edhe qëndrimi injorues i pjesës më e madhe vendimmarrëse të faktorit ndërkombëtar, që nuk ishte pajtuar me intervenimin e NATO-s në vitin 1999 kundër Serbisë fashiste në krye me Milosheviqin.
Mungesa e përkrahjes institucionale të pjesës dërrmuese të veteranëve gjatë tërë këtyre viteve ka sjellë një gjendje kaotike, nga e cila nuk mund të dilet duke u caktuar veteranëve një pension mëshire edhe për faktin se disa parti politike me qëllim të përfitimit të votave kanë shtuar numrin e veteranëve, sidomos të invalidëve, shumë prej të cilëve në rrugë të paligjshme, vetëm me nënshkrime të dy mjekëve dëshmitarë, (si në kohën e partizanëve të Fadil Hoxhës) janë shpallur invalidë, pa marrë asnjë plagë në trup dhe pa u gërvishtur gjatë luftës.
Kaosi që ka përshkruar kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së gjatë tërë këtyre viteve ka rezultuar me diskreditimin vit pas vitit të luftës dhe luftëtarëve më të dëshmuar të saj, ndërsa gjatë këtyre viteve, mbi kurriz të veteranëve, invalidëve të vërtetë, familjarëve të dëshmorëve kanë përfituar profitetët e luftës, mjerisht duke u thirrur pikërisht në vlerat e saj, të cilat i kanë shndërruar në kapital financiar. Të tillët, në mënyrën më të papërgjegjshme kanë dyfishuar numrin e veteranëve e invalidëve, duke u njohur statusin madje edhe familjarëve të vet, farefisit, të afërmeve e miqve, të cilët as kanë qenë në luftë, as e kanë ndihmuar atë. Në rastin më real mund të kenë qenë simpatizantë, të cilët nuk i ka “lagur lufta”, ata vetë as familjet e tyre. Në rastin më ekstrem veteranë janë shpallur edhe disa bashkëpunëtorë të regjimit serb, por edhe dëshmitarë bashkëpunues të gjykatave të UNMIK-ut, të EULEX-it etj.
Veteranët, ata që kanë mbetur në hall dhe nuk kanë ditur si të gjenden pas luftës, po shtyhen e do të shtyhen qoftë edhe mes veti, sepse janë lënë në mëshirë të kohës, sepse janë mashtruar nga disa komandantë të tyre, sepse janë mbajtur me premtime qe 16 vjet, sepse janë keqtrajtuar, janë diskriminuar dhe janë katandisur si mos më keq. Tani, kur Qeveria ka ndarë lëmoshën, ata po bëjnë përpjekje që edhe atë lëmoshë ta marrin sa më parë, qoftë edhe duke e shtyrë dhe duke e shtypur njëri tjetrin.