Romeo Gurakuqi: Kosova dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913

Në Konferencën e Ambasadorëve, interesat e Shqipërisë u ndëshkuan veçanërisht nga qëndrimi i Rusisë. Për kohën për të cilën flasin, prirja konstante e Rusisë në përkrahje të botës ballkanike sllavo-orthodokse mbështetej thjesht dhe qartë në një filozofi racore dhe religjioze dhe nuk përmbante, asnjë parametër analitik parimor dhe objektiv bashkëkohor. Rusia, më 1913, u përpoq me të gjitha mënyrat dhe ia arriti që të krijonte një Shqipëri sa më të vogël që të ishte e mundur, duke u bërë presion Fuqive të tjera që t’u lëshonin Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi, rajone të banuara eskluzivisht nga shqiptarë.

Kosova rast historik kolonial

Me anën e trajtesës së mëposhtme dua të sjell në vemendjen e opinionit publik, ngjarjet të cilat sollën në aneksimin e Kosovës nga ana e Serbisë në vitin 1912 dhe arsyet e njohjes ndërkombëtare të këtij procesi fillimisht pushtues e më pas kolonizues. Synimi i trajtës është të nenvizojë se, duke qenë se kemi të bëjmë me një rast historik kolonial, tërësisht të errësuar dhe të fshehur, populli i këtij entiteti ka të drejtën të jetë i lirë për të vetevendosur sërish për ardhmëninë e vet. Paradoksi qendron në faktin se rasti i Kosovës është rasti i fundit i pazgjidhur kolonial, që po zgjidhet në një kohë kur epoka koloniale është tashmë e përmbyllur. Kosova është një rast kolonial që ka mbetur i fshehur për shkak të rrethanave të marrëdhënieve ndërkombëtare në të gjithë periudhën vijuese 1912-1995, për shkak të dobësisë dhe famës së keqe që ka pasur shteti amë në botën demokratike dhe për shkak të orientimeve të pastabilizueme orientuese të Shqipërisë komuniste dhe post komuniste.

Rasti kolonial i Kosovës ka qenë aq i fshehur, sa ka qenë i fshehur edhe realiteti aq i thyeshëm jugosllav, ky grumbull territoresh dhe popujsh të mbledhur artificialisht nga pamundësia për të zgjidhur mosmarrëveshjet në marrëdhëniet mes Fuqive të Mëdha nga vitit 1912 deri më 1919. Në këtë bashkim shtetëror artificial ekzistonin akumulime urrjetjesh reciproke, sa që bota e qytetruar europiane në kohën e presidentit Tito as që i imagjinonte dhe as i kishte kuptuar. Interesat e dhenies së zgjidhjeve të pjesshme, imponuan mbajtjen fshehur të rastit Kosovar deri edhe në Marrëveshjet e Paqes së Daytonit më 1995. Në këtë marrëveshje, çështja e 2 milion shqiptarëve u injorua tërësisht, gjë që u kuptua nga ish presidenti Millosheviq si një dritë jeshile për gjithë atë çfarë bëri më pas.

Po, si u përfshi Kosova në Serbi?

Trajtesa merr shkas nga puna gati 11 vjeçare kërkimore e zhvilluar dhe e mbështetur tërësisht në dokumentat që gjenden në Public Record Office-përkatësisht Arkivi Shtetëror i Anglisë Uellsit dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në këtë arkiv për vitet 1913-1914, me të cilat zën fill dhe stabilizohet faza e parë e procesit të lartpërmendur, gjenden dosje të tëra të Foreign Office dhe të Admiralatit të Flotës Britanike, që japin në hollësi trajtimin e plotë diplomatik të problemit. (Dokumentat e vitit 1913 janë të vendosur në PRO.FO.371.1770, 1771, 1806, 1757, 1758, 1759, 1769, 1805, 1808, 1819, 1807, 1809; ndersa ato të vitit 1914 janë të vendosura në dosjet: 1886, 1891, 1894, 1885, 1887, 1888, 1889, 1890, 1892, 1893, 1895, 1896, etj.)

Pikësëpari do të më duhet të bëhet një përshkrim të shkurtër të kuadrit historik të zhvillimit të ngjarjeve. Procesi i aneksimit të Kosovës nga Serbia, njëlloj sikurse Hotit dhe Grudës, nga Mali i Zi, është i lidhur me ngjarjet e Luftës së Parë Ballkanike, 1912-1913. Shtetet e reja ballkanike, pas lidhjes së Aleancës me tyre në pranveren e vitit 1912, synonin të përfitonin nga turbullira që shkaktoi në Kostandinopojë disfata në luftën Italo-Turke 1911 dhe nga kryengritjet e herepashershme të shqiptarëve, veçanërisht ajo e vitit 1911. Ashtu sikurse shkruan historiani Ferdinand Schevill: “Ata e ndjenë fitoren shqiptare, tashmë të pashmangshme, nepërmjet të cilës Shqipëria ishte duke u ndërtuar si një shtet autonom i përbërë nga katër vilajete, i Shkodrës, Janinës, Monastirit dhe Kosovë. Në qoftë se propozimi shqiptar do të pranohej, secili prej katër aleatëve, (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria shënim i imi. R.G.) do ta shikonte derën e mbyllur në një krahinë të caktuar, të cilen secila në mënyrë të veçantë lakmonte.” ( Ferdinand Scevill, The History of Balkan Peninsula, from the earliest times to the present day, New York (revised edition) 1953, faqe 471).

Më 12 tetor 1912 shpertheu Lufta Ballkanike. Brenda një periudhe të shkurtër, shtetet e reja të Ballkanit e dërrmuan Perandorinë Osmane. Lufta Ballkanike e vitit 1912 erdhi në mënyrë të papritur në botën e trazuar të para Luftës së Parë Botërore, mbasi Fuqitë e Mëdha nuk ishin të përgatitura për një fitore të shpejtë të aleatëve të vegjël para një perandorie. Por, siç shkruan Richard C. Hall, “fitorja ishte një fitore krejt e natyrshme, për shkak të përparimit kuptimplotë moral, ekonomik dhe ushtarak që kishin bërë shtetet e krishtera që prej çlirimit të tyre. Nepërmjet një pune plot pasion ata shtete ia arritën të përqafonin shumë nga mentalitetet dhe institucionet europiane dhe të pajisur me ato, u kyçen në një betejë me një popull aziatik, i cili i kishte rezistuar në mënyrë të qendrueshme europianizimit…”. (Richard C. Hall, The Balkan Wars 1912-1913, London and New York 2000, faqe 72.) E ballafaquar me këtë shkatërrim shumë të madh, Porta e Lartë, e kapur nga paniku, kërkoi ndërmjetësim tek Fuqitë e Mëdha të kohës, Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria dhe Rusia, të cilat me 3 dhjetor arritën të ndërmjetësonin dhe të vendosnin një armëpushim. Në këto rrethana u mblodh Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër më 17 dhjetor 1912, për të zgjidhur problemet e lindura nga lufta në mes Aleatëve Ballkanikë dhe Turkisë.

Në ditën ku u hap konferenca, turqit mbanin në Europë ende, Konstandinopojën me rrethinat dhe tre qytetet e fortifikuara: Adrianopojën, Janinën dhe Shkodrën. Më 17 dhjetor 1912 ambasadorët e Fuqive të Mëdha të akredituar në Britaninë e Madhe u takuan nën kryesinë e Sir Edward Grey-t, për të mbikqyrur procesin e paqes në Ballkan dhe për të mbrojtur interesat e Fuqive të Mëdha në rajon. Kjo Konferencë u mblodh me cilësinë e “Mbledhjes së Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha nënshkruese të Trataktit të Berlinit”. Konferenca e Ambasadorëve i zhvilloi punimet mes shqetësimeve të Fuqive të Mëdha se lufta ballkanike mund të përshkallëzohej në një konflikt më të gjërë që do të përfshinte shtete të tjera. Për shumëkend asokohe ishte e qartë se çështja ballkanike mund të përshkallëzohej drejt në luftë europiane dhe për këtë arsye Fuqitë e Mëdha kërkuan ta parandalonin një gjë të tillë.

Duhet të kihet parasysh se Konferenca e Ambasadorëve synonte gjithashtu të zgjidhte kundërshtitë në mes Fuqive të Mëdha, në mënyrë të veçantë, ata në mes tre prej tyre, më drejtëpërdrejtë të interesuara në Gadishullin Ballkanik: Austro-Hungarisë, Italisë dhe Rusisë. Në këtë mënyrë, rendi gjeopolitik i vendosur në Konferencën e Berlinit më 1878, në Londër u zëvëndësua me një marrëveshje të re. Shikuar në një kontenkt historik më të gjërë, Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1912-1913 ishte etapa e fundit e Sistemit të Kongreseve, të vënë në jetë më së pari nga Kongresi i Vjenës 1814-1815. Në ditët e para të kësaj mbledhjeje u zhvilluan bisedime dhe shkëmbime mendimesh, mes përfaqësuesve të Fuqive Europiane. Në këtë konferencë, përveç çështjes shqiptare, u bisedua për një paqë të përgjithshme midis Fuqive Europiane, u diskutua problemi i daljes së Serbisë në Adriatik dhe çështja e ishujve të bregdetit Jonian, kufirit të Bullgarisë më Perandorisë Osmane në Traki. Për fat të keq, Çështja e Shqipërisë, u zgjidh pa respektin më të vogël ndaj shqiptarëve, dhe kufiri i shtetit të ri shqiptar u përcaktua vetëm nën prizmin e shmangies së një ballafaqimi në mes Austro- Hungarisë dhe Rusisë, për të cilin shqiptarët nuk ishin fajtorë dhe me të cilin ato nuk kishin të bënin fare. Austro- Hungaria, e gjendur përballë faktit të kryer të ndryshimit të status quo-së ballkanike në disfavorin e saj dhe në të mirë të shteteve sllavo-orthodokse, pra në fund të fundit të Rusisë, u përpoq ta balanconte këtë me krijimin e një shteti shqiptar sa “më të madh që të ishte e mundur”, duke pasur parasysh këtu trojet ku banonte popullsia shqiptare.

Është mjaft e trishtueshme sot, kur shikon se me çfarë lloj cinizmi, është ndarë trualli etnik shqiptar

Shqyrtimi i kujdesshëm i dokumentacionit arkivor të Foreign Office të një përiudhe 8 mujore, që nis nga dhjetori i vitit 1912 deri në korrik 1913, të jep një ide të qartë mbi mënyrën dhe kriteret e përdorura për klasifikimin dhe ndarjen e territoreve ballkanike në përgjithësi dhe atyre shqiptare në veçanti, dhe mund të kuptohet krejt mirë ajo çfarë sot, në prag të zgjidhjes së statusit “përfundimtar” (termi përfundimtar është relativ mbasi në qoftë se jepen zgjidhje në kundërshti me parimin e vetvendosjes, këto zgjidhje vërtet mund të krijojnë një balance mes fuqive, por nuk krijon stabilitetin e brendshëm të entitetit të interesuar) të Kosovës.

Është mjaft e trishtueshme sot, kur shikon se me çfarë lloj cinizmi, është ndarë trualli etnik shqiptar, si i janë shkëputur atij troje kompakte etnike, dhe si janë nënvleftësuar në këtë ndarje kriteret më të domosdoshme etnografike dhe historike dhe se si është pranuar sovraniteti i shteteve të reja mbi territoret që Perandoria e kalbur Otomane kishte ceduar. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Austro-Hungaria argumentoi se përfshirja e Shkodrës ishte thelbësore për ekonominë e shtetit të ri shqiptar dhe kërkoi dhe mbrojti gati e vetme, të drejtën e shtetit të ri shqiptar mbi një pjesë të madhe të Kosovës së sotme, përfshirë qytetet e Pejës, Gjakovës Prizrenit dhe krahinën e Dibrës në tërësi, sepse, sipas saj, ekzistonin arsye racore dhe fetare për të mos ia dorëzuar këto qytete Malit të Zi dhe Serbisë. Rusia, njëlloj siç sillet sot pas 95 vitesh, nuk hapi rrugë për zgjidhjen e problemit të Shkodrës pa kënaqjen deri në fund të ambicjeve të Serbisë në Shqipërinë Verilindore, gjegjësisht në Kosovë. Në përgjigje të presionit gjerman për të mos prishur konferencën, Austro-Hungaria bëri një seri lëshimesh deri sa Rusia ra dakord në përfshirjen e Shkodrës në Shqipëri.

Për javë të tëra paqja në Europë u var në fatin e Pejës, Prizrenit, Dibrës dhe veçanërisht të Gjakovës. Më caktimin e këtyre qyteteve për Serbinë, dhe Hotit dhe Grudës për Malin e Zi, natyrisht që ekzistenca jetësore për banorët e Shqipërisë së Veriut do të bëhej e pamundur ekonomikisht, mbasi gjithçka që i lihej këtij rajoni ishte vetëm një zonë e tërë shkëmbore jo produktive dhe sepse jeta e kësaj zone kishte qenë e lidhur historikisht ngushtë, sidomos me Gjakovën. Gjithashtu, Malësia e Madhe shqiptare u nda në mes, duke iu këputur lidhjet e komunikimit, përvecse ekonomiko-tregtar edhe familjar. Me shkëputjen e rajoneve të sipërthëna, trungut të shtetit të porsa njohur shqiptar iu ndërprenë arteriet themelore që e bëjnë të funksionueshëm një komb, lidhshmëria politike, ajo ekonomike, komunikimi i brëndëshën njerëzor.

Pasojë e drejtëpërdrejtë e saj, natyrisht se nuk do të ishte tjetër veçse, varfërimi i mëtejshëm ekonomik i rajoneve të tëra malore shqiptare si rezultat i ndërprerjeve të marrëdhënieve tradicionale, ruajtja e konservatorizmit gjysëm-mesjetar edhe me tej në epokën moderne, mbajtja konstante e pasigurisë së brendshme politike në shtetin e ri shqiptar, dobësim i mëtejshëm i nukleve kulturore europiane brënda kombit shqiptar, një ballkan perëndimor krejtësisht të destabilizuar për një kohë të gjatë. Një Shqipëri e tillë e lënë në mëshirë të fatit, nën kërcënimin e vazhdueshëm e konstant, të shteteve më të fuqishme fqinje me institucione demokratike dhe europiane të pastabilizuara, jo vetëm që do të bëhëj detyrimisht një njollë mjerimi në Europë për një periudhë të konsiderueshme, por gjithashtu, pozita e saj e gjymtuar do të mund të shkaktonte një seri ndërlikimesh që do të shtriheshin shumë përtej kufijve të saj, Serbisë dhe Malit të Zi.

Trajtimi i problemit të kufirit të shtetit të ri shqiptar nuk u mbështet në konsiderata etnografike, historike, ekonomike etj, por u bë nga Fuqitë nën prizmin e mosprishjes së ”koncertit europian”, gjë e cila, në këndvështrimin e kësaj diplomacie, do të mund të çonte më pas në një luftë europiane. Para një “nevoje” të tillë të konsideruar si parësore për Fuqitë, por shkatërrimtare për Shqipërinë, diplomacia britanike u mundua të luajë rolin e ndërmjetësit, rol i cili për mendimin tonë, e detyroi atë të heqë dorë nga disa parime themelore konstante pozitive ndaj çështjes shqiptare, të kristalizuara, sidomos në krizën shqiptare të vitit 1911, që e kishin bazën në eren e re që po frynte në diplomacinë britanike. Kështu, megjithëse ishte e bindur për përkatësinë etnike shqiptare të disa qyteteve që i kaluan Serbisë, ajo nuk qe në gjendje t’i jepte rrugë situatave të vështira që u krijuan në Konferencë. Kjo ndodhte kur ekzistonin raporte historiko-etnografike, memorandume edhe nga personalitete të paanshme botërore, të cilët argumentonin historikisht përbërjen kompakte etnike dhe origjinën historike të pandërprerë të popullit shqiptar. Ndër ato do të dëshiroja të përmendja memorandumin e dërguar nga misionari amerikan Telford Erickson, Sir Edward Grey-t (PRO. FO. 371. 1823, doc. No. 25388, June 2, 1913). Erickson pasi argumentoi me fakte dhe dokumente historike lashtësinë iliro – arbënore të shqiptarëve, pyet se “si mund të ndahet në mes kjo tokë antike dhe ky popull antik në mes aleatëve si një plaçkë lufte”?! Më pas ai shton: “Ne Zotërinj kemi pas mësuar se drejtësia duhet të jetë guri themeltar i çdo rendi jetëgjatë në shoqërinë njerëzore”.

Interesat e Shqipërisë u ndëshkuan veçanërisht nga qëndrimi i Rusisë

Në Konferencën e Ambasadorëve, interesat e Shqipërisë u ndëshkuan veçanërisht nga qëndrimi i Rusisë. Për kohën për të cilën flasin, prirja konstante e Rusisë në përkrahje të botës ballkanike sllavo-orthodokse mbështetej thjesht dhe qartë në një filozofi racore dhe religjioze dhe nuk përmbante, asnjë parametër analitik parimor dhe objektiv bashkëkohor. Rusia, më 1913, u përpoq me të gjitha mënyrat dhe ia arriti që të krijonte një Shqipëri sa më të vogël që të ishte e mundur, duke u bërë presion Fuqive të tjera që t’u lëshonin Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi, rajone të banuara eskluzivisht nga shqiptarë. Madje, Rusia arriti deri atje sa të parashtronte edhe objeksione ndaj marrjes në shqyrtim konsideratave etnografike nga një Komision Ndërkombëtar që do të krijohej për të zgjidhur çështjet e kontestueshme (PRO. F.O. 371.1769, pg 385 doc.10416). Këtë qëndrim të Rusisë, Faik Konica, një prej shqiptarëve më të shquar të asaj kohe, vëllai i kryediplomatit më të rëndësishëm shqiptar në Londër për 30 vite me radhë Mehmet Konica, u përpoq t’ia bënte të qartë Sir Edward Grey-t, me anë të një memorandumi të dorëzuar në Foreign Office me 5 shkurt 1913. (P.R.O. F.O. 371 1769 faqe 130-135, dokument nr. 6388 i regjistruar me datë 10.02.1913) Ai u shpjegoi Fuqive se pjesa me e madhe e tokave shqiptare të kërkuara nga Serbia dhe Mali i Zi janë të banuara nga shqiptarë katolikë dhe muhamedanë. Sa më e fuqishme të jetë Shqipëria, u përpoq të shpjegonte ai, aq më e aftë do të jetë ajo të qëndrojë mbi këmbët e veta, pa u mbështetur në fqinjë e saj të fuqishëm dhe pa qenë e detyruar të bëhët një instrument i tyre. Në këtë kontekst kujtesa historike ishte e qartë: Po ndahej padrejtësisht shtrati historik i një populli antik, po i shkëputej Shqipërisë Kosova, djepi shqiptar verilindor, barriere jo e këndshme për politikën ruse në ekspansion të vazhdueshëm. (Për fat të keq, Rusia e sotme e drejtuar nga Presidenti Putin po bën një rikthim dramatik, të pajustifikuar bashkëkohësisht, në politikën e jashtme cariste ndaj Kosovës, çfarë nuk i shkon një vendi europian të demokratizuar, të shekullit XXI).

Në këtë qëndrim të sajin antishqiptar në Konferencën e Ambasadorëve, Rusia pati përkrahjen indirekte, apo edhe direkte të Italisë. E nisur nga interesa të ngushta dinastike, por edhe nga një ambicje për hegjemoni në Adriatikun Lindor, Italia do ta minojë tërësisht balancën e Fuqive në trajtimin e çështjes shqiptare, duke anuar qartësisht në përkrahje të aneksimeve të tokave shqiptare. Mungesa e luajalitetit të qëndrueshëm, përkujdesi maksimal për interesat e saj ekonomike momentale, dhe nxjerrja në plan të dytë e parimeve kryesore që udhëheqin drejt një politikë të jashtme konsekuente, kanë qenë tiparet themelore që kanë drejtuar klasen politike italiane në raport me çështjen e themelimit të drejtë të shtetit shqiptar. Ky qendrim i saj, i rakorduar me pozicionin e hekurt politik të Gjermanisë, dhe politiken konstante prosllave të Francës së atëhershme, ishin shtyllat themelore mbi të cilat u mbështet mekanizmi i institucionit ndërkombëtar që sanksionoi atë që sot po quhet e drejta sovrane e Serbisë mbi Kosovën, e Malit të Zi mbi Malësinë.

Është vendi të përcaktojmë se e drejta e Serbisë mbi Kosovën nuk ka lindur si rezultat i integrimit normal të këtij territori, si rezultat i një konsensusi të përgjithshëm popullor, apo i një vazhdimësie historike të ndërprerë padrejtësisht, por si rezultat i fitimit të këtij territori si plaçkë lufte, dhe të sanksionuar ndërkombëtarisht nga një institucion, i cili, në thelbin e tij nuk kishte parimet e sotme që drejtojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, por parimin e ruajtjes me të gjitha mjetet dhe mënyrat të “Koncertit Europian”. Dëshiroj të pranoj në këtë kontekst se veprimtaria e shteteve ballkanike dhe e Fuqive të Mëdha në realizimin e këtij vendimi, u ndihmua nga gjendja në të cilen dilte shoqëria shqiptare e asaj kohe. Pushtimi Otoman pesëshekullor kishte konservuar barbarisht konservatorizmin mesjetar, ruralizimin e shoqërisë shqiptare, mbajtjen në frenim të çdo prirjeje për ringritje kulturore dhe civilizuese të shoqërisë në tërësi. Fuqitë e Mëdha në këtë mënyrë, në vend që t’i hapnin poret jetësore një kombi në rrugën e tij për ripërtritje qytetare dhe europiane, e cunguan atë territorialisht, i këputën arteriet jetësore dhe ushqyen faktorët që bëjnë lehtësisht të manipulueshëm dhe të kontrollueshëm një popull të penguar historikisht në rrugën e tij të zhvillimit.

Sot, rindertuesit e të ardhmes së Kosovës, do të duhet të shpengojnë këtë vend dhe popull nga ankthi i pritjes së pafundme, që po krijon çdo ditë e më shumë amulli të përgjithshme ekonomike dhe sociale dhe frikën e një të ardhmeje të pasigurtë. Ndihma e dhënë deri më tani për ta çuar deri në prag aspiraten për liri, nuk mund të ndalet pa e përfunduar edhe aktin e vet final: njohjen de jure të lirisë. Njohja e pavarësisë së Kosovës është po aq e rendësishme sa edhe procesi i demokratizimit, de-komunistizimit e de-otomanizimit të saj të njimendte dhe integrimi i kujdesshëm dhe i institucionalizuar i forcave të mirëfillta intelektuale në drejtimin politik të një vendi që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …