Rrahman Hyseni: Në 22-vjetorin e rënies, u përkujtua dëshmori i Kosovës Lindore, Florim Rushiti, i rënë në Pashtrik

Rrahman Hyseni: Në 22-vjetorin e rënies, u përkujtua dëshmori i Kosovës Lindore, Florim Rushiti, i rënë në Pashtrik

Të mërkurën në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, është përkujtuar dëshmori Florim Rushiti- nga fshati Kapit i Medvegjës, i cili ra heroikisht në altarin e lirisë më 26 mars të vitit 1999 gjatë luftimeve në Pashtrik. Familjarë, bashkëluftëtarë dhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve të ndryshme, kanë përkujtuar dëshmorin, Flurim Rushiti, i rënë heroikisht gjatë operacionit “Shigjeta” njësiti diverzato- vëzhguese TF-0 me komandant Fadil Zenullahu, në majen e Pashtrikut.

Medvegja është simbol i qëndresës së pamposhtur në të gjitha rrebeshet e historisë sonë kombëtare. Me frymën atdhetare në këto troje ishte rritur dhe Florim Rushiti, i njohur me nofkën “Kingji”, luftëtar i UÇK-së dhe dëshmor i kombit. Kujtimet e tij i ruajnë familjarët dhe të gjithë ata që e njihnin. Kujtimet e tij i ruajnë familjarët dhe të gjithë ata që e njihnin. Nëna, Aza Rushiti, është ajo që e di më së miri se kush është Florimi, ngase ajo i ruan kujtimet për të dhe tregon gjithçka që nga lindja e tij. Thotë se ardhja në këtë jetë për djalin saj ishte gëzim i madh, por ai gëzim u shndërrua në dhimbje dhe krenari. Thonë se pas familjes në radhë të dytë është shkolla, ajo që të udhërrëfen për të ardhmen. Kujtime për Florimin kishte dhe kujdestari i klasës Abdyl Aliu, i cili na tregon për të që, përveç se i bukur, ishte edhe nxënës i zellshëm dhe me shumë ambicie për jetën, ndërsa shoqja e klasës, Drita Uka, përveç shoqërimit me Florimin tregon dhe për orën e mësimit në lëndën e historisë, meqë, teksa rrëfeheshin ngjarjet për historinë e vendit, Florimin e rëndonin shumë.

Vëllai më i madh i Florimit, Lulzimi, na rrëfen për shkuarjen në Gjermani së bashku me të vëllanë. Me shkuarjen në Gjermani, Florimi ishte takuar me Ganimet Oruçin, e sipas Ganimetit kishin krijuar shoqëri të ngushtë. Hakif Bajrami e përshkruan takimin e tij me Florimin në një simpozium shkencor. Në atë rast, Florimi ia kishte rrëfyer hallin e tij në mospranimin në radhët e ushtrisë.

Mirëpo, Hakifi i kishte thënë se atdheun mund ta ndihmosh në çdo mënyrë, jo vetëm duke qenë i pari në front. Por, siç na tha ai, çkado që i thoshe Florimit, në sytë e tij vërehej që shkuarja në front ishte e vetmja zgjidhje që do t’ia qetësonte shpirtin.

Hamdi Maloku na rrëfen për takimin e parë me Florimin. Thoshte se ai nuk kishte besim tek ai t’i rrëfente që kishte shkuar herën e parë në Kosovë, dhe për mospranimin e radhët e ushtrisë derisa e kishte kuptuar që të dy e kishin të njëjtën rrugë. Duke vazhduar rrëfimin, Hamdiu tregon që Florimi ishte takuar me Fehmi Lladrovcin dhe familjen e tij e që e kishin pritur shumë mirë. Më vonë, Florimit i kishte ardhur lajmi për rënien e Fehmi Lladrovcit. Rënia e Fehmi Lladrovcit në altar, atë nuk e linte të qetë. Tani donte ta merrte hakun për Fehmiun, në të njëjtën kohë. Tani më për Florimin nuk kishte kthim prapa.

Para se të shkonte në luftë, vendi i parë që u ndal Florimi ishte Kumanova, ku u mirëprit nga familja Sadiku, e sipas Muhamet Sadikut, Florimi ishte një djalosh shumë i pashëm, i mençur,trim e i sinqertë. Në një anë vuajtja e tij dhe në anën tjetër vendosmëria për në luftë shiheshin qartë në sytë e “Kingji”.

Florimi së bashku me shokun e tij Hamdi Malokun kishin vazhduar rrugën për në Burrel. Aty e kishin takuar një bashkëluftëtar tjetër, Behxhet Kuçin, i cili tregon për formimin e njësitit nga ushtarët më të shkathët e më të fortë, e në mesin e tyre ishte edhe Florimi.

Një ndjesi tjetër e tregon gjenerali Kudusi Lama, i cili rrëfen shumëçka për Florimin. Pika e fundit ku u ndal ai me ushtarët ishte ajo e mobilizimit në Cahan, ku këtë e rrëfejnë edhe banorët e atyshëm, Avni Koleci, Qamil Cahmani, Agron Cahani dhe për nisjen e tyre në vijën e parë të zjarrit rrëfen bashkëluftëtari Remzi Selimi. Nga kjo nisje, sipas tyre, kishin arritur në malet e Pashtrikut. Për rrjedhat e ngjarjeve në malet e Pashtrikut tregojnë ish-luftëtarët e UÇK-së, Nexhmedin Berisha, Muhamet Bajrami dhe të tjerë. Ata rrëfenin se Florimi i tërhiqte shokët e plagosur, nuk i linte, dhe çdoherë futej sa më brenda pozicionit serb. Në një rast të tillë ai u qëllua me snajper, kurse shokët nuk arrinin të depërtonin ta bënin tërheqjen e tij.

Ish-ushtari i UÇK-së, Sami Hajzeraj, tregon për tërheqjen e kufomave dhe në mesin e tyre ishte dhe Florim Rushiti, të cilin e kishin dërguar në varrezat e Radovicës. Së fundi, familjarët e tij tregojnë për dhembjen në një anë dhe krenarinë në anën tjetër që e kishin një djalë të tillë. Për Florimin nuk ndien dhimbje dhe krenari vetëm familja, por e gjithë shqiptaria.

Florim Rr. Rushiti-Kingji, lindi në vitin 1979 në fshatin Kapit të Medvegjës, i cili me kufizimin e lirisë, përuljen si shtresë, këto dhe shumë primesa të tjera, u detyrua që shumë i ri ta marrë rrugën e kurbetit e të shkojë në Gjermani për të qenë ndihmës i familjes…Edhe pse jetonte shumë larg, me zemër gjithmonë ishte afër atdheut, rriste dhe kultivonte brenda vetes ndjenjat patriotike dhe atdhetare, si dhe urrejtjen shpirtërore kundër armikut… Zëri i atdheut sikur e thërriste gjithmonë Florimin në ëndërr e në zgjim, gjersa një ditë vendosi t’i përgjigjej atij zëri, duke marrë rrugën për në Burrel të Shqipërisë, ku e priste detyra e parashtruar vetvetes të stërvitej dhe të hynte në radhë… “Kingji” ishte nofka e Florimit nga një epror shqiptar i Akademisë Ushtarake Shqiptare “Skënderbej”, ngase ai vërtet ishte i tillë, shumë i dëgjueshëm…

Pas përfundimit të detyrës së stërvitjes, Florimin e priste detyra e radhës, e parashtruar ndaj tij. Ai e dinte që kjo detyrë ishte jo e sigurt dhe se ishte çështje jetike, mirëpo zërit të atdheut i ishte përgjigjur me betimin “O VDEKJE ,O LIRI !”.

U nis për në malet e Pashtrikut së bashku më trima të tjerë. Më 26 Maj 1999 u ndeshen ballë për ballë me armikun. Në atë vend armiku pësoi humbje të mëdha, e në këtë front të rrezikshëm plagoset rëndë bashkëluftëtari i “Kingjit”- Muhamet Bajrami, ndërsa Florimi hidhet pa hezitim në ndihmë që ta tërheqë nga ajo pozitë, mirëpo më kot, ngase plumbat e rrëmbejnë edhe atë, duke rënë aty dëshmor për lirinë e atdheut të vet, për Kosovën, por edhe për Medvegjën, Preshevën e Bujanocin e tij. Ai ra heroikisht për të mos vdekur kurrë…

Vëllai i tij Lulëzimi, me të dëgjuar që Florimi kishte rënë në altar, e merr armën në dorë dhe u bashkëngjitet radhëve me synimin për liri. E babai i tyre, Rrahmani, përveç dhembjes, ndiente edhe krenari që kishte rritur bij të tillë që do t’i dilnin zot vatanit. Motrat e Florimit, Lumnija e Miradija, sa ishin tronditur, aq ishin krenare me të vëllanë dëshmor, ndërsa nënë Aza nuk pajtohej me faktin se i biri ishte vrarë, duke thënë se nuk kishte vdekur, por vetëm po pushonte pas betejave për lirinë e fituar.

Florimi ndodhej në maje të Pashtrikut,1986 metra mbi nivelin e detit, prej nga sodiset Rrafshi i Dukagjinit, përkatësisht qyteti historik i Lidhjes së Prizrenit. Florimi këtu në mëngjesin e 26 majit u zgjua rreth orës 4 dhe u nis në këtë aksion së bashku me bashkëluftëtarët e tij në këtë teren të lartë e krejtësisht të zhveshur dhe të vështirë për ta gjetur ndonjë guvë për t’u pozicioniar. Ato ditë të përflakura të Luftës Çlirimtare,sikur në tërë Kosovën,ashtu edhe Koshare e Pashtrik, po jehonin rafalet e pushkëve të ushtarëve të UÇK-së kundër ushtrisë serbe.

Edhe në kufirin shqiptaro-shqiptar ,bijat dhe bijtë më të denjë të kombit, me çdo çmim kishin vendosur ta hiqnin kufirin e imponuar duke shkulur edhe piramidat kufitare. Florim Rushiti,si gjithmonë edhe kësaj radhe, ishte në vijën e parë të sulmit. Ai u ngrit në këmbë duke qëlluar trupat e armikut, sepse në ato çaste tejet të rrezikshme, e këndelli zëri i shokut që tashmë ishte i plagosur dhe po kërkonte ndihmë. Florim Rushiti-Kingji, gjithnjë në nivel të detyrës me guxim të pashoq hyri brenda pozicioneve të armikut, pa e menduar fatin e vet ngase liria e atdheut ishte më e shtrenjtë se vetë jeta e tij. Kështu e kishte edukuar familja, Medvegja e tij dhe Kapiti që e lindi dhe e rriti.

Në atë vend ku e kapi plumbi Florimin mbin lulëkuqe lirie dhe në atë vend, pas 19 vjetësh, bashkëluftëtarët, familja dhe miqtë, me krenari i ngritën Pllakë Përkujtimore për të mos e harruar kurrë.

Këtë pavdekësi e dëshmojnë poetët, këngëtarët dhe shkrimtarët tanë nga të gjitha trojet tona etnike me përkushtimet e tyre poetike. Horizonti mbi të cilin thuren vargjet, dhe Lavdia tregon indivi- dualitetin poetik, duke arritur në përmbledhje poetike me vargje të zgjedhura, brenda së cilës shprehen të bëmat heroike të të rënit në malet e Pashtrikut, ku dhe sot ndihet aroma e gjakut të dëshmorit. Në to ndihet gjithashtu edhe mallkimi për plumbin e kobshëm që e ndaloi atë në gjysmën e këngës së luftëtarëve, këngë që sot vazhdon të këndohet në liri.

Në vargje shprehet edhe ndjenja e nënës, e cila i flet me shumë dashuri të birit “Fli, bir i nënës”, me dhimbjen e shpirtit të saj, duke e bërë atë stoike për të birin e lartësuar në qiellin hyjnor.

Ne u jemi mirënjohës dëshmorëve për jetë për kontributin e tyre në realizimin e lirisë sonë kombëtare, e njëri ndër ta ishte edhe Florim Rushiti “Kingji”

FLI, BIR I NËNËS

(Florim Rushiti) “KINGJI”

Në shtratin e shtruar

si mbulesë ilirio-dardane

në këtë kullë të trashëguar

fli me ninullat e nënëlokes shqiptare

bir i nënës, fli!

Kur dielli në Medvegjë të perëndojë

e të çmallesh me harkun e hënës

dhe ylli në atë kaltërsi të ndriçojë,

fli i qetë, o bir i nënës!

Bir i nënës, fli!

Ëndërroje Preshevën, Medvegjën e Bujanocin

 ëndërroje dhe Kosovën të bashkuar me to në liri

ëndërroji të gjitha në një nënë-Shqipëri.

Bir i nënës, fli!

kur gjinkallat ta prishin gjumin

s’e bezdis ti nënën kurrë

vjen prapë nëna e të vë në gjumë.

Bir i nënës, fli!

fli në prehrin e nënëlokes

mos më ik si pëllumb nga dora

gjakatarët ta ndërruan shtratin

në mes të rrugës ta ndalën hapin.

Bir i nënës, fli!

fli atje në malet e Pashtrikut

në mes lulëkuqeve të Kosovës

fli i qetë, biri i nënës!

atje ku ta ndiejmë ende aromën e gjakut.

Bir i nënës, fli!

në Prizrenin e lashtësisë

nga Medvegja ke të fala

një kurorë mbi shtratin e përjetësisë

një pikë loti nga të gjitha trojet e shqiptarisë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …