Rrahman Jetullah Tafa (4.1962 - 11.4.1999)

Rrahman Jetullah Tafa (4.1962 – 11.4.1999)

Fshati Carralevë është një vend i njohur i historisë shqiptare, sidomos i epopesë së luftërave për çlirim nga robëria turke. Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë tre dëshmorë dhe shumë martirë. Në altarin e lirisë, nga ky fshati, që ishte edhe bazë e fuqishme strategjike e luftës, kanë rënë dëshmorë: Rrahman Tafa, Milaim Beha, Xheladin Xheladini, ndërsa vëllai i dëshmorit, Ali Tafa ishte vrarë nga forcat serbe, në vitin 1990. Luftës së UÇK-së iu kishte bashkuar pjesa dërrmuese e rinisë dhe intelektualëve këtij fshati strategjik, por edhe heroik.

Rrahman Tafa lindi në prill të vitit 1962, në një familje të varfër fshatare, por e shquar për besë e atdhetari. Babain e Rrahmanit e kishte torturuar mizorisht pushteti serb gjatë aksionit për mbledhjen e armëve nga shqiptarët në Kosovës, në dimrin e viteve 1955-1956, me ç’ rast nga torturat që kishte pësuar nga milicia e Titos dhe e Rankoviqit, kishte mbetur invalid gjatë tërë jetës.
Rrahmani ka mbaruar shkollën tetëvjeçare në vendlindjen e tij. Edhe pse i etur për dije e arsim, nuk e vazhdoi shkollimin, por qysh i ri trupi i tij i njomë do të kalitet me punë të rënda fizike, duke punuar me qëllim për të siguruar bukë për vëllezërit e prindërit. Ai se bashku me Aliun dhe vëllain e tretë, Bajramin, punoi punë të rënda fizike, por kishte një ndjeshmëri të shprehur të mllefit që ushqente kundër regjimit okupator i cili u kishte lënë një vragë të pashlyeshme në familje. Sa herë që këta tre vëllezër shikonin babain, nuk kishin si të mos kujtoheshin për shkaktarin e katandisjes së babait.
Kishte vetëm 16 vjet kur Rrahman Tafa, së bashku me bashkëfshatarin e tij, Emrush Behluli, ia kishte shpërthyer gomat milicit jugosllav, Qerim Krushica, i cili shërbente në policinë lokale të Therandës, (ish-Suharekë). Nuk kishte vonuar dhe vepra e tyre zbulohet. Rrahmani dhe Emrushi arrestohen dhe dënohen me nga dy muaj burg, të cilin e mbajnë në burgun e Gjurakocit.
Pas lirimit nga burgu, Rrahmani edhe pse i ri merr rrugën e kurbetit. Kalon kufirin ilegalisht dhe fillimisht vendoset në Zvicër kur edhe punon deri në vitin 1990. Asokohe në Kosovë zhvilloheshin protesta të ashpra kundër regjimit kriminal të Milosheviqit. Rrahmani së bashku me vëllezërit dhe me shumë bashkëveprimtarë nga fshati, merr pjesë në protestat e përgjakshme, duk e u përleshur fyt për fyt me milicinë serbe dhe ndonjë shqipfolës të stacionit policor të Shtimes.
Më 4 shkurt të vitit 1990, Rrahman Tafa, Ali Tafa dhe shumë protestues të tjerë barrikadohen në Grykën e Carralevës dhe e zënë rrugën. Pa vonuar kishin intervenuar forcat policore, të cilat edhe kishin hapur zjarr kundër protestuesve. Vëllai i Rrahmanit, Aliu, i cili ishte më i moshuar ishte plagosur rëndë. Rrahmani me shokë arrijnë ta dërgojnë në Spitalin e Prishtinës, por me 5 shkurt, Aliu ndërron jetë.
Në varrimin e dëshmorit Ali Tafa, në Caralevë, edhe pse nën kërcënim të tytave të milicisë kishin marrë pjesë mijëra shqiptarë liridashës të kësaj ane. Pjesëmarrja e tillë i kishte bërë përshtypje të veçantë Rrahmanit, i cili qysh nga ajo ditë do të ketë vetëm një rrugë në jetë, rrugën drejt luftës së armatosur për t i sjellë vendit liri dhe për ta shporrë përgjithmonë armikun serb nga trojet shqiptare.
Gjatë viteve 90, ka vepruar ilegalisht.
Pas rënies dëshmor të vëllait, Aliut, Rrahmani kishte blerë pushkën dhe priste ditët kur do të jepej kushtrimi për liri.
Përmes bashkëfshatarëve të tij, si: Ramadan Behluli, Ismet Ismajli, Nezir Haliti e të tjerë, në fillim të viteve 90, Rrahman Tafa kishte kontaktuar dhe ishte anëtarësuar në organizatën “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin Kombëtar”. Ka vepruar ilegalisht në Komitetin Kombëtar për Bashkimin e Trojeve shqiptare, me seli në Krojmir. Kjo organizatë, kishte shtrirë veprimtarinë prej Graiçevcit, Carralevës, Krojmirit e deri në Skënderaj.
Në mars të vitit 1998, kthehet nga Sllovenia në Carralevë, Milaim Beha. Po në atë kohë inkuadrohet në pikën ushtarake të Krojmirit edhe Rrahman Tafa, i cili qysh në ditët e para tregon jo vetëm përkushtim por edhe gatishmëri për të kryer aksione. Ishte ndër të parët në Carralevë që iu kishte bashkuar luftës, së bashku me Milaim Behën, Ramadan Behlulin, Xheladin Xheladinin, Naim Ismajlin, Jakup Ismajlin, Hasan Ismajlin, Imer Ismajlin e të tjerë.
Në qershor të vitit 1998, pika e UÇK-së në Krojmir, të cilën e kryesonin Ramiz Qeriqi, Sylë Qeriqi, Elez Durmishi e të tjerë, po bënte përgaditjet e fundit për ta zënë Grykën e Carralevës. Më 14 qershor, në orën 16, në kohën kur forcat policore dhe ushtarake serbe ishin nisur në drejtim të rrugës, që shpinte në pjesën jugore të Drenicës, has në qëndresë heroike të luftëtarëve të UÇK-së, në vendin e quajtur, “Te Ura e Sahitit”. Rrahman Tafa atë ditë ndodhej në ballin e luftëtarëve të lirisë, pikërisht atje, ku ishte barrikaduar me villain, Aliun, në prill të vitit 1990, por tani në kushte dhe rrethan krejtësisht të tjera. Tash ishte Rrahmani që iu kishte zënë pritë forcave kriminale serbe. Së bashku me Jetë Hasanin, Milaim Behën, Sylë Qeriqin, Ramiz Qeriqin, Halil Ollurin e dhjetëra luftëtarë të tjerë, për katër orë rresht luftojnë ballë për ballë forcave serbe, të cilave u vrasin dy police, plagosin tetë të tjerë dhe u shkaktojnë humbje në pajisje teknike.
Tri ditë më vonë, më 17 qershor, forcat policore serbe të Shtimes, të mbështetura edhe nga një njësit ushtarak, sërish bëjnë përpjekje për të mënjanuar barrikadën e UÇK-së në Carralevë, por sërish kthehen me turp. Edhe në këto luftime ishte shquar luftëtari trim i Grykës së Carralevës, Rrahman Tafa, i cili nga një distancë tejet e afërt, i kishte goditur me shishe benzine dy tanke serbe, të cilat kishin marrë flakë.
Së bashku me luftëtarët e lirisë, të cilët po kaliteshin nga beteja në betejë, Rrahman Tafa merr pjesë edhe në luftimet gjatë ofensivës serbe të 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998, në Zborc dhe në Carralevë, kur edhe kishte rënë dëshmor, Ruzhdi Salihu nga fshati Zborc dhe ishin plagosur pesë luftëtarë të tjerë të lirisë.
Në nëntor të vitit 1998, Rrahman Tafa, Xheladin Xheladini, Enver Olluri, Arben Hyseni, Ramadan Elshani, Astrit Bytyçi, Isë Olluri, Bashkim Krasniqi, Qamil Olluri e pjesëtarë të tjerë të Batalionit “Ruzhdi Salihu” të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, nisen për në Shqipëri me qëllim për të marrë armë dhe municion.
Më 14 dhjetor gjatë kthimit në Kosovë, në mesin e 143 luftëtarëve, në ballin e të cilëve printe, komandanti Mujë Krasniqi ishte edhe Rrahman Tafa. Me rastin e sulmit të forcave serbe, gjatë kalimit të kolonës në Gorozhup të Hasit, Rrahman Tafa, Ramadan Bytyçi, pastaj luftëtarët: Emrushi, Muja, Bajrami e Azizi dhe disa luftëtarë të tjerë arrijnë të tërhiqen nga vija e rrethimit. Nga ecja e gjatë nëpër dëborë dhe acar, Rrahman Tafës i kishin ngrirë këmbët dhe i kishin rënë thonjtë. Ai me shumë bashkëluftëtarë të plagosur kthehet në Tiranë për t’u shëruar.
Në prill të vitit 1999, Rrahman Tafa së bashku me Ramiz Qeriqin, Harun Bekën e disa luftëtarë të tjerë, sistemohet në frontin e Kosharës ku komandante Agim Ramadani. Gjatë luftimeve kundër forcave të shumta serbe, që po bënin përpjekje ta ruanin kufirin, Rrahman Tafa, më 11 prill të vitit 1999, bie dëshmor.
Bashkëluftëtari i Rrahmanit, Ramiz Qeriqi e të tjerë arrijnë ta tërheqin kufomën e tij dhe e varrosin në qytetin Bajram Curri.
Pas çlirimit trupi i dëshmorit Rrahman Tafa varroset në vendlindjen e tij, afër vëllait të tij, Aliut, po ashtu dëshmor.
Rrahmani ka lënë tri vajza dhe një djalë.
Familja Tafa ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së QPK-së, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi Komunal i Shtimes. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …