19 vjet nga masakra ndaj familjes Deliu në Abri të Drenasit

Rrëfim i Imer Deliut për Masakrën në Abri të Epërme, të kryer nga serbët, më 26 shtator të vitit 1998

 

…Dita e 26 shtatorit 1998 fillon me riga shiu dhe pa konfrontime mes forcave serbe dhe UÇK-së. Në një largësi prej 2.5 km, prej nga unë vëzhgoja, rreth orës 12.00, vërejta se forcat serbe hynë në Lagjet Deliu dhe Muliqi. Filluan t’i djegin shtëpitë dhe pasurinë tjetër. Dëgjoheshin të shtëna rafalësh. Shiu, tymi dhe flaka nuk lejonin që dylbitë të përcillnin në detaje veprimet e tyre, prandaj vëzhgimi u pamundësua dhe e vetmja gjë që vërtetonte praninë e tyre në këtë pjesë ishin rafalët e automatikëve apo krismat e granatave të dorës dhe tre helikopterët e tyre që silleshin mbi fshat.

Në mbrëmje, mes 26 e 27 shtatorit 1998, me Afrim Hysenajn tentuam të futeshim në lagje dhe të shkoja te familja që ishte e strehuar në tendë, por ishte e pamundur për shkak të pranisë së madhe të forcave serbe. U detyruam të kthehemi. Edhe 27 shtatori ishte i njëjtë. Binte shi e kishte edhe mjegull. Dëgjoheshin të shtëna kohë pas kohe, për dallim nga një ditë më parë. Tashti fshatin e vëzhgonin vetëm dy helikopterë. Nga fundi i ditës së 27 shtatorit forcat serbe filluan të tërhiqen nga fshati Abri për t’u vendosur në fshatin fqinj, Likoc, që ishte rreth 1.5 km nga Lagjja Deliu. Tërheqja e tyre komplete përfundoi rreth orës 22:30.

Natën, mes 27-28 shtatorit 1998, nga Lagjja Strumcaku vendosa të vij në lagjen time. Afrim Hysenaj, bashkëfshatar dhe bashkëluftëtar imi, vendosi të më shoqërojë. Filluam rrugën maleve dhe së bashku arritëm te rruga Abri-Likoc prej nga dallojmë një tendë prej najloni. Në atë mëngjes të mjegulluar me shi na u duk se ishte tank i armikut. Më vonë doli se nuk qe tank, por tendë. Për një moment jemi ndalur. U kthyem rreth 200 metra prapa ku takuam Bashkim Deliun, një i afërm imi. Edhe Bashkimi kishte qëllim të shkojë në lagje, sepse në shtëpi kishte lënë babanë 94 vjeç të paralizuar.

Pasi u konsultuam, mora vendim që Afrimi të shkojë t’i marrë shokët dhe të fillojë ta kontrollojë Lagjen Hysenaj dhe Muliqi. Ndërsa unë me Bashkimin, në një rrugë tjetër, të provojmë të hyjmë në Lagjen Deliu. Në rast se nuk arrijmë të hyjmë, atëherë të takohemi sërish aty. Unë dhe Bashkimi rrugës kemi parë gjurmë të shumta të armikut si gëzhoja të armëve të kalibrave të ndryshëm dhe sëndukë të municioneve, por në forca serbe nuk kemi hasur.

Me të arritur në lagje, afër shtëpisë sime, hasëm në kufomën e parë. Ishte vëllai im, Adem Deliu. Afër kufomës gjetëm 16 gëzhoja automatiku. Vëllai ishte qëlluar me tre plumba në kokë, ndërsa plumbat e tjerë e kishin marrë në kraharor. Me Bashkimin e morëm kufomën dhe e strehuam brenda rrethojës së oborrit. Vazhduam rrugën nëpër troje të lagjes, të cilat tërësisht ishin të djegura. Arritëm në truallin e Bashkimit ku gjetëm kufomën e dytë. Ishte mixha Fazli, 94-vjeçar. Kufoma qe afër shporetit të druve në shtëpinë e të ndjerit. Shtëpia ishte djegur tërësisht e më të ishte djegur edhe mixha Fazli. Atij i dallohej ashti i kokës dhe eshtrat e trupit deri në gjunjë. Këmbët ishin tretur e bërë hi e pluhur. Nuk ndërmorëm asgjë. Kemi vazhduar drejt vendit ku ishte strehuar familja. Rrugës kemi hasur në kufomën e tretë, të Zeqir Deliut, djalit të axhës. Ishte i vrarë me armë zjarri, me shumë të qëlluara nga një distancë. Pasi shikuam këtë kufomë, me Bashkimin vazhduam rrugën. Rreth 30-40 metra para se të arrijmë te tenda ku ishte strehuar familja hasëm kufomën e katërt, Ali Deliun. Ishte i shtrirë në shpinë, me duar të hapura. Ishte i prerë në fyt me thikë dhe thikën e kishte të vendosur sipër në gjoks. Nuk vërejta plagë të tjera dhe vazhduam rrugën për në tendë. Afër tendës gjetëm edhe dy kufoma. Pajazit Deliun, brenda tendës dhe, 5-6 metra larg tendës, ishte kufoma e Hava Deliut, e hallës sime. Kufoma e pestë, e Pajazit Deliut, nuk kishte kurrfarë shenjash nga armët e zjarrit, por koka e tij nga prapa ishte e zbrazët. Trutë e të ndjerit ishin të vendosura para fytyrës së tij në shtrojën e shpuzës, kurse pjesa e përparme e fytyrës ka pasur hundën e thyer dhe gojën me gjak.

Kufoma e gjashtë, e Hava Deliut, ka pasur këmbën e majtë të këputur nën gju dhe plagë të shumta në trup dhe kokë. Pasi binte shi, e lus Bashkimin që të më ndihmojë që kufomën e Havës ta vendosim brenda tendës, por Bashkimi më tha se nuk guxoj ta kap nga gjendja e rëndë psikike. Kufomën e vura vetë brenda tendës, ndërsa Bashkimi është larguar nga vendi i ngjarjes rreth 50-60 metra. U detyrova që tani të përballem me situatën i vetmuar…

“I premtova Jetonit se do ta ruaj orën e tij përjetë”

Kufoma e shtatë ishte 20-25 metra larg tendës. Ishte e Jetonit, e djalit tim, shtrirë në krahun e djathtë, me dorën e djathtë nën kokë, kurse të majtën të shtrirë. Në dorë i shkëlqente ora. Në atë moment m’u duk sikur po ma afron orën për kujtim. Pa e prekur kufomën e shikoj orën e cila punonte dhe tregonte kohën 05:49 të mëngjesit. I premtova me zë se orën tënde do ta mbaj tërë jetën si kujtim. Kufoma në anën e djathtë kishte nofullën e poshtme dhe dhëmbët e thyer, veshin e djathtë të prerë përmes dhe kokën në anën e djathtë të çarë. Po në anën e djathtë kishte edhe një plagë të çelur në kraharor.

Pesë a gjashtë metra më larg pashë kufomën e nënës sime. E përqafova si të ishte e gjallë. Nga xhepi nxora disa dardha të cilat i kisha marrë enkas për të dhe ia lashë pranë gojës së hapur që më parafytyrohej si ofshamë e fundit të jetës së saj. Trupi i nënës Hamide Deliu ishte kufoma e tetë me radhë, e dëmtuar në kokë, në anën e djathtë dhe pulpën e këmbës së majtë. Mbështetur për shpine të nënës ishte kufoma e nëntë, e kunatës Luljeta Deliut, e shtrirë në krahun e djathtë me këmbë të përmbledhura. Ishte qëlluar në kokë, sikur nëna, por kjo në anën e majtë të kokës. Ajo ishte shtatzënë në muajin e nëntë, ku Hava Deliu (halla ime), më 24 shtator 1998 po në atë tendë, foshnjën e palindur e kishte pagëzuar me emrin Malësor ose Malësore, me shkas se fryti u rrit në barkun e nënës nëpër male.

Kufoma e dhjetë ishte Valmiri, djali i vëllait tim, Ademit. Biberonin e kishte të varur në fyt. Vetëm pesë ditë e ndanin nga dyvjetori i lindjes. “Miri”, siç e quaja zakonisht, ishte i shtrirë në shpinë. Në fytyrë, trup e duar kishte plagë të shumta, por të imta. I afrohem kufomës së njëmbëdhjetë, bashkëshortes sime, Lumnijes. Ajo ishte e shtrirë në krahun e djathtë. Pas shpine kishte vajzën, Menduhinë, ndërsa para vetes kishte vajzën gjashtëjavëshe, Diturinë. Për një çast mendova se ishin të vdekura të tria. Kontrollova kufomën e dymbëdhjetë, të vajzës sime, Menduhisë, e cila kishte dy të qëlluara: një afër veshit të majtë, një nën fyt. Plagët ishin të mëdha. Më pas tentoj ta kontrolloj kufomën e shoqes sime, Lumnijes. Ia largova dorën e majtë nga Dituria që e kishte para vetës. Në atë çast foshnja jep shenja jete, hap sytë. E marr dhe e çoj te Bashkimi që ishte strukur në pyll duke qarë. I them se vajza është gjallë. Diturisë ia pastrova gojën prej gjaku të nënës, shkova në tendë, mora pak qumësht dhe i dhashë me biberon. Ia shpalova rrobat ashtu nëpër shi dhe konstatova se nuk ka plagë, por gjaku ishte nga e ëma. Diturinë ia lashë Bashkimit në prehër, ndërsa unë sërish shkova te kufomat, aty ku e gjeta foshnjën. Kufoma e bashkëshortes (Lumnijes) ishte e dëmtuar në gojë, në gjoks dhe në krahun e majtë. Vetëm një metër më larg ishte kufoma e trembëdhjetë, e kunatës Mihane Deliut (bashkëshortes së Ademit). Ishte e shtrirë në bark, ndërsa në shpinën e saj ishte një plagë shumë e madhe, si të kishte ndodhur ndonjë eksplodim, ku edhe organet e brendshme i kishin dalë jashtë trupit. Kufoma e katërmbëdhjetë ishte e Donjeta Hajriz Deliut, shtrirë në bark dhe e qëlluar në kokë nga prapa. Kufoma e pesëmbëdhjetë ishte e Gentianë Hajriz Deliut, e qëlluar po në kokë si Donjeta. Kufoma e gjashtëmbëdhjetë, në këtë luginë të këtij pylli, ishte Zahide Deliu (bashkëshortja e Hajrizit). Ishte qëlluar në nofullën e poshtme dhe koka ishte e shkatërruar me tru të nxjerrë jashtë…

Gjatë tërë kësaj kohe moti ishte me shi. Tani kufoma nuk kishte më, por mungonte gjysma e familjes, tre fëmijët e vëllait (Enverit), djali im dhe nëntë të tjerë, gjithsejtë 13 që më parë kishin qenë të gjithë së bashku. I kërkova nëpër pyll rreth tendës por, kot. Gjeta vetëm një palë këpucë të Hajrizit rreth 100 metra larg tendës dhe asnjë shenjë tjetër. Atëherë vendosa që të bëj përpjekje ta shpëtoj Diturinë gjashtëjavëshe. Me Bashkimin filluam rrugëtimin për në Lagjen Strumcaku. Në këtë lagje ishin të vendosur bashkëluftëtarët. Mua më kishte humbur fuqia. Shiu dhe balta bënë të vetën. Kështu, pas një ore arritëm te shokët rreth 2.5 km më tej. Atyre ua rrëfeva ngjarjen dhe Diturinë e lashë në përkujdesje të ushtareve: Rahimës, Hamides, Linditës dhe Leonorës. Ndërsa unë mora shokët dhe u kthyem prapë në lagje.

Posa hyra aty takova Florien (42 vjeçe) me dy fëmijët (Mentorin, 9 vjeç dhe Arjetën, 5 vjeçe). Ishte e tronditur dhe më tha se serbët ia kanë vrarë burrin në praninë e saj dhe kanë marrë me vete kunatin, Habibin dhe dy vajzat (Mihanën, 16 vjeçe dhe Antigonën, 14 vjeçe). Kur e pyeta se çka ka ndodhur me anëtarët e tjerë të familjes, Floria u përgjigj se nuk di, sepse posa i kanë parë forcat serbe u ndanë dhe kanë filluar të ikin. Në ikje kanë hasur në një grup serbësh të tjerë, diku rreth 200-300 metra larg tendës dhe ishin ndaluar. Pasi më informon përafërsisht vendin se ku hasën në pritë, mora shokët dhe u nisa drejt vendit të ngjarjes. Fillimisht shkuam te kufomat që tani diheshin dhe aty formuam tri grupe: Grupi i parë prej katër rojeve te kufomat; i dyti dhe i treti me nga pesë persona në kërkim të të humburve. Më vonë formojmë edhe grupin e katërt që ngarkohet për hapje të varreve. Edhe pse binte shi pandërprerë, i kërkuam të humburit por, kot. Gjetëm vetëm gjurmët (batanijet dhe ushqimin e dy vajzave). Në mbrëmje kontrollova hapjen e varreve dhe konstatova se ishin përfunduar 10 nga 16 sa duhej hapur. Kërkova që të vazhdojë puna edhe gjatë natës. Ushtari Afrim Hysenaj m’u drejtua me fjalët: “Imer, është vonë. Njerëzit janë të lodhur dhe të lagur. Po më vjen rëndë, por kam një propozim, nëse më lejon”. Fol lirisht!, – i thashë. “Diku në fshatin Tërstenikë (rreth 7 km nga vendi i ngjarjes), – vazhdoi ai, duhet të ndodhet z. Murat Musliu, anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut për Komunën e Skenderajt. Ai ka celular dhe aparat fotografik, prandaj kisha thënë mos të ngutemi dhe ta mbulojmë këtë krim të serbëve pa e dokumentuar”. Këtë propozim e pranova. Afrimi shkoi ta informonte Murat Musliun, kurse unë me njerëzit që hapnin varret shkuam të çlodheshim dhe të tereshim nga lagështia e shiut.

Gjatë natës së 28-29 shtator 1998 u organizua roja në vendin e ngjarjes, detyrë të cilën me përkushtim e kreu ushtari Avdullah Hajdaraj me skuadrën e vet. Mëngjesi i 29 shtatorit ishte i ftohtë, por pa reshje. Unë me shokët filluam punën në dy drejtime: në kërkimin e të humburve dhe hapjen e varreve. Rreth orës 8:30 të 29 shtatorit gjetëm edhe kufomat e vëllezërve Habib e Hysen Deliut. Habibi ishte i masakruar me armë të ftohta, i zhveshur dhe në shpinën e tij nga thika serbe ishin skalitur katër C-C-C-C njëra mbi tjetrën. Kurse kufoma e Hysenit ishte qëlluar me armë zjarri. Të dy kufomat ishin të mbuluara me dushk dhe të larguara nga vendi i krimit rreth 100 metra. Tani numri i kufomave arriti në tetëmbëdhjetë. Rreth orës njëmbëdhjetë në vendin e ngjarjes kishin arritur mediat e shkruara dhe tv BBC. Më ftojnë të shkoj.

Sa arrita atje, Jetullah Hasanaj më informoi se në lagjen Hysenaj (periferi të fshatit) gjenden katër fëmijë të plagosur që nuk dinë të informojnë se kush janë. Pas pak kohe me Jetullahun shkova te fëmijët. Tre prej tyre ishin të vëllait tim, Enverit: Besniku, 5 vjeç, Liridona, 3, Arlinda, 1 dhe djali im, Alberti, 2.5 vjeç. Për një moment u gëzova, por ishin aq të traumatizuar. Porsa më panë me uniformë Besnikut i ra të fikët, ndërsa të tjerët qanin dhe frikësoheshin. Nuk më njihnin fare. M’u desh një kohë që t’i stabilizoj për të më njohur. Pastaj me një traktor i dërgova në fshatin Tërdec, te daja i Besnikut. Unë detyrohem të kthehem shpejt në vendin e ngjarjes për ta filluar varrimin e 18 kufomave të gjetura. Më 29 shtator gjatë tërë ditës forcat serbe vazhduan granatimin nga Likoci (rreth një kilometër e gjysmë distancë), pasi që i përcillnin lëvizjet tona. Gjatë bartjes së kufomave na u vra kali që tërhiqte kufomat e u dëmtuan edhe më shumë kufomat e Ademit dhe Zeqirit.

Megjithatë, më 29 shtator 1998 në mbrëmje e përfunduam varrimin e 18 të vrarëve dhe tani, nga të familjes sonë ishin të humbur edhe katër veta: Sherifi, Hajrizi, Mihanja dhe Antigona. Nga 30 shtatori deri më 5 tetor çdo ditë kërkoja me shokë të humburit, por edhe i vizitoja fëmijët në Tërdec, dhjetë kilometra larg.

Më 5 tetor, rreth orës pesëmbëdhjetë gjetëm edhe kufomat e motrave Mihane dhe Antigonë Deliu (të 19-n dhe të 20-n me radhë) rreth 800 metra larg tendës. U zbuluan në saje të erës që kundërmonte në pyll, nga dy ushtarët e fshatit Abri, Ali Strumcaku dhe Afrim Hysenaj. Ishin të masakruara, me sy të nxjerrë, të therura me thikë në gjoks dhe të dëmtuara edhe në pjesët e tjera të trupit.

Më 21 tetor 1998 gjendët kufoma e 21-të, i mbyturi Hajriz Deliu, të cilin, pasi e kishin masakruar me armë të ftohta, e kishin bartur dhe hedhur në një pus rreth 12 metra thellësi. Pas këtij rasti në familje konsiderohej i humbur edhe Sherif Deliu.

Në rrethana lufte, pa kushte elementare për jetesë, mungesa e gjirit të nënës, të ftohtit dhe mungesa e përkujdesjes mjekësore, bënë që familjes Deliu, më 19 nëntor, t’i shtohet edhe një viktimë, e 22-ta me radhë, Diturie Deliu (17. 8. 1998-19. 11. 1998). Ajo e mbijetoi masakrën e 26 shtatorit, por nuk mundi t’i përballonte kushtet e diktuara nga lufta. Më 29. 3. 1999, pas gjashtë muajve e tri ditëve, gjendet i humburi Sherif Deliu, që dyshohej se, pasi qe plagosur, kishte arritur të largohet nga vendi dhe të fshihej në një përroskë të pyllit, por nuk arriti ta mbijetojë plagën dhe kishte vdekur ashtu i fshehur. Sherifi është kufoma e 23-të e masakrës së familjes Deliu që ndodhi më 26 shtator 1998.

Nuk kam forcë dhe as mund t’i bëj çfarëdo komenti këtij rrëfimi. Megjithatë, nuk më bëhet pa e shqiptuar habinë deri në mahnitje me ekuilibrin, maturinë dhe kthjelltësinë e mendjes së rrëfyesit, Imer Deliu, me të cilin e përjetova edhe vetë nga afër këtë tragjedi të paparë.[1]

[1] Rrëfimi autentik nga Imer Deliu dhënë autorit të monografisë, Afrim Hysenaj, me titull “Toka skuq e qielli nxin”.

 

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …