leoni

Rrëfimi i Hafirit II

Rrëfimi i Hafirit II

Kur i mbusha 18 vjet m’ thanë se duhet me nxjerrë ligitimacinë për me mujte e me shkue në Nish, n’ Serbi e me pa babën. I kish krye 12 vjet burg dhe askush nga shpija nuk e kishte pa. Po edhe nuk kish kush me shkue, nana ish vet në shpi, motra e vetme ishte shku nuse, vëllain e kishte zanë trina dhe e kish mbytë.

Pasi e nxora ligitimacine, e shita dy dhi dhe i bana paret për me shkue me voz deri te n’ Nish. Kisha hall të madh sepse deri n at’ moshë veç dy her kam shkue ne Prishtinë. E dijsha ku asht stanica e vozit, e kurrgjë ma shumë.

Një mik i shpisë, edhe ai e kishte babën n burg, me tha se kur te shkoj, vi te ti t’ marr e shkojmë bashkë.

U gzova shumë dhe shkova i kallzova nanës e veç pritsha ditën kur do të niseshim për udhë.

Nuk e di a u gëzue nana sepse  kurr nuk e kam pa të gezueme, as kurr nuk i ka shkue buza n’ gaz.  Gjith i qitshin sytë lot se i prekte qeptë.  Sa here e vetsha pse po loton, ajo m thojke se e ka preke nje qepujke.

Ajo m’ i kishte ba gati do rrobe, kishte gatue një bukë mrume dhe do gurabija, djath të fortë për me qendru ma shumë, ia kishte hjek kryet nji pule dhe e kishte pjekë ne hell.

Pak pa u nisë m’ tha:

Kur t vetë baba yt për Uruqin, kallzoi, qi e ka mbyte trina, mos harro mi thanë qashtu. Thuj kerkush s’ e ka mytë por ka fry nji frymë e madhe dhe e ka përplasë per tokë, asht kane nate dhe nuk e kemi pa kerrkush. A more vesh, se ty fjala  t’ hin per nji vesh e t del prej tjetrit.

-Hiq mos ki marak i thash.

Kisha hyp ne voz, me mikun e mixhës. Ishte kallaballëk dhe mezi  zumë nji vend n’ hajat se venet  mrena n’ soba  i kishin zane shkiet. Per ne me kapuqa te bardhe ishte vendi ne korridor. Ata folshin, keshnin, pinin, duhan, pinin raki por una, asnjë fjalë nuk e merrsha vesh. Kurr s kam mujte me msue shkinishten, edhe dy vjet n ushtri, me thane nja 20 fjal s kam msu ma shum.

Kur shkuem te burgu pashe nje vend te hapun me tela ne mes me një hapsinë t madhe.

Anej telave ishin do gjind me rroba t’ zeza t’ burgut. Njerzit afroheshin te telat dhe i prekshin duart neper tela, me t’ vetet. Un’ meta i hutuem dhe mu kujtue se baben nuk e kisha pa prej kur i kam pase tete-nante  vjet. Mbeta si qyqan tue i kqyre gjinen… Pas disa dakikash nje burrë ma bani me dor dhe u nisa drejt tij. Kur u afrova me pyeti:

– Kand po e lyp?

– Baben, i thash i hutuar.

– Si e ka emnin baba yt? Prej hutimit,  me kishte humb emni  i babs dhe mbeta si i shtangun. Gjith jam kane njefar trullani.

– Mos je Hafiri ti?- m’ veti.

– Po i thash, por emni i babs m’ kishte trete.

– Rrahmani jam, o Hafir a edhe emnin ma peske harrue, a?

– Jo vallahi nuk e kam harru, o bab’  po jam habite krejt.

– Po plaka qysh asht, a asht gjalle apo ka vdekun?

– Cila plake?  nuk e di per cilën plake po vet?.

– Plaka, nana jote de.

– Po vallahi babë, gjall asht, mir’ asht po nuk po sheh mirë. Perdite me qepë neper dorë e po i djegin syt’.

– Fata ku asht, a asht mire?

– Ka shku te burri, po vjen nganjëherë.

– Po Uruqi a ashte gjalle e ka deke?

– Uruqin e ka myte trina, me ka thane nana me t kallxu edhe ty.

– Nuk e ka myte kerkush, a?

– Jo vallahi, qashtu m ka thane nana me t thane, nuk di ma shum’.

– A po keni miell, apo kini idare.

– Po vallahi dy thasë mill kallamboqi i kam marre n mulli, kemi edhe per tre muj. – Jemi vec dy vete n shpi. Kemi edhe pese dhi, tre edha dhe pesë pula.

– E po t nguce kush, a po t shanë ndokush.

– Me m ngucë jo fort, se nuk i duroj, ata gjuj me gurë une gjuj, ata msho nuk msho.

– A ke shkue n shkolle naj vit?

– Tri vjet shkova por m ngelshshin. M thojshin ti je si hajvan, nuk di asgja.

– A t kan rreh ndonjëherë?

– Po vallahi, jo veç njiher, po as mend nuk i mbaj,  m kanë rrehe me grushta, por edhe me thupër thane.

– Kush t ka rrehe ma tepër?

– Ishte nji daskall i thonë, nji Nenad. Ai Nenadi m’ ka pas ra me grusht pse nuk e msova një kange shkinisht. Kur deshti me m ra per s dyti e lakova kryet dhe ai ra murit, aq fort dhe ia nisi me sha e me bërtite,  kukulele, kukumajko,  un ika prej shkollës e nuk shkova me. Ai nuk t mshojke si asht adet, po i kthejke doren mrapsht e t shitojke…

– A po ju ndihmon ndaj kush  me mjelle, me prashite, me kosit?.

– Vallaha jo, tash jam rrite krejt punte po baj vet. Drutë po i marr n mal t derzhaves, tinëz, se mem pa shumarët ma qojnë kaznen.

– A t kane rreh n aksi t armëve, n’ errfi?

– Po vallaha, m kane rrehe, m kanë mbajte  ne borë.  Thojshin ti e ki pushkën e babës dhe t mixhës, qi ka deke n burg. Po kur e panë se nuk kam pushkë,  ma nuk m thirren.

– Ka e kane rrehe ma shumë?

Mulla Eminin, nji vjet ka nejte rate n shtrat, po nuk ka deke, hala gjallë asht. Edhe mixhën Hafir e kan munue edhe shume tjerë. Po thon’ qi edhe kta shkite tanë  i kan ndihmu Savës e UDB-es, per me na rrehe…

– Cilët janë ata shki?

– Vallahi nuk i di krejt me emna veç ma shumë pe permenin Velen, Selen, Milin, Nuzin, e do tjerë.

– A t ka rrehe ndonjani prek kryne.

-Jo vallahi, po edhe me dashte, per nja e dy jav luj nanen,  tash jam rrite. Nana por thet ne shmiter i baj 20 vjet.

– Po ti babë edhe sa vjet ki me nejt ktu?.

– 12 i kam krye, edhe tete m kan mete, po sa t thotë Zoti, ndoshta naj falin naj vjet a naj muj.

– Tash e kam msue udhën vi ma shpesh, vi sa her t dush. Tan kohen kam kqyre n prezore t vozit. Edhe kambë muj me ardh nepër shina, kërkund nuk e humbi udhen, veç drejt.

– Jo, jo, veç dy here n vjet, jan boll dhe vetëm me voz. Don i madhi Zot e kthehem i gjalle. Eshtnat e vëllait i kam ktu. Kur t me lirojnë kam mu mundu m’ i marre eshtnat  e mi varrose te vorret tona  Nji vlla ma vranë, nje m vdiq n burg, Uruqin e paskan  myte dhe ia paskan lane trines. Veq une  tash plak  e i rrenuem dhe ti me nanen tane,  kemi mbet.

– Po vallaha, qashtu asht…

Pas nje gjyse sahati u fala me babën dhe me mikun e mixhës, pasi priten nja katër sahat hypen n voz dhe pak pa le dilli nga Nishi  mbrrim’ n’ Prishtinë, mandej per gjashte sahat, tuje hec’ kambe u ktheva n shpi, në Krajmirovc.

– Gjashtë vjet me vone babën e liruen nga burgu dhe u kthye n shpi, por vetem edhe dy vjet rrnoi e diq. Edhe qashtu t’ smute e thirrke UDB-a n Lypjan dhe une e qojsha në kamb, kur u lodhke e bajsha n’ shpin’, ka njihere e qojsha me kerr t kieve se nuk mujke me ece. Edhe atje e mundojshin. Tri  vjet me vone diq edhe nana e mbeta fillikat vetëm. Ishim t leçitun, rralle ndoj mik vinte me na pa, dhe veç natën n’  terr, sepse katuni kishte plot hafije. Pernjiher e qojshin haberin n’ Magure, apo n’ Lypjan. Po nje mik i babës prej Ribari, ma kishte dhanë ma heret motrën e vet, dhe kur u bam për martesë  u martum dhe e nisa jetën ne trollin e babës, të dy mixhallarëve dhe t’ vëllait tim. Me vone kam ndie se vellaun, Uruçin  e kishin ngulfate ne fyt  gjinja e UDB-es dhe ia kishin çite përmbi trinen e rënde me thupra shkoze, te deres se oborrit, per me mendue qi i kishte zane trina.

Shka bane insani s bane as guri, po si e ka shkrue Zoti bahet, ka thënë Hafiri në fund të këtij rrëfimi.

( Bisedën, autentike, sikur e kam nxjerrë në letër  me Hafir Rrahmanin, e kam incizuar me diktafon në vjeshtë të vitit 2004, në  shtëpimë e tij, në Krojmir).  (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …