Me rastin e 20 qershorit, Ditës Botërore të Refugjatëve, Organizata e Kombeve të Bashkuara njofton se gjatë vitit 2020, rreth 82 milion njerëz janë detyruar të largohen nga vendlindjet e tyre dhe të migrojnë ne vende tjera. Duke folur për këtë dukuri të dhimbshme e me pasoja të shumta për refugjatët, ndihmës Komisionar i Lartë i UNHCR-së, Gillian Triggs ka tërhequr vërejtjen se ajo që është mjaft tronditëse është fakti se gjatë dhjetë viteve të fundit, numri i njerëzve që janë refugjatë ose janë zhvendosur me forcë është dyfishuar. Rreth 48 për qind janë fëmijë ose të rinj, kështu që ne vërtet kemi breza fëmijësh të cilët janë larguar nga vendet e tyre të origjinës. OKB-ja njofton se në përgjithësi, 1 në 95 njerëz janë zhvendosur me forcë, duke përfshirë më shumë se gjysmën e popullsisë së Sirisë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Sirianët përfaqësojnë grupin më të madh të të zhvendosurve ndërkombëtarisht dhe ekspertët thonë se nevojat e tyre janë të shumta.