Mona Agrigoroaiei: Intervistë me nënkryetarin e Komunës së Preshevës, Xhelal Mehmeti
Cili është konteksti historik që ndikon në situatën aktuale të shqiptarëve në Luginë të Preshevës?
-Ndër shekuj çështja e shqiptarëve të kësaj ane është mjaft delikate, veçanërisht pas kolonizimit të kësaj zone nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene përfundimisht shqiptarët e kësaj treve janë ballafaquar me një sistem izolues e spastrues. Pasojat e një sistemi të tillë bënë që asnjëherë shqiptarëve nuk iu kanë plotësuar të drejtat elementare, e të mos flasim për avansim dhe integrim. Kjo bënë që me ” Referendumin e 1-2 Marsit 1992 ” rreth 98 % i thanë Po bashkimit me Kosovën, por situata e shqiptarëve ngelet akoma edhe më e rëndë, që në vazhdim kishte sjellë edhe konfliktin e armatosur të vitit 2001, ku pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve arrihet një marrëveshje e njohur si ” Marrëveshja e Konçulit”, që në parim do të garantonte stabilitet në rajon dhe të nisë dialogu me qeverinë e Beogradit, për përmbushjen e kërkesave të palës shqiptare. Sot që po flasim nuk ka progres ngase format dhe përpjekjet kanë ndryshuar, por qeveria serbe ngelet në të njëjtën filozofi. Thjesht për to kjo zonë dhe popullata e saj është vetëm se një “term”.
Cila është situata aktuale e shqiptarëve në atë zonë të mbetur nën shtetin serb?
– Është shumë e vështirë të përshkruhet me pak fjalë situata aktuale, në thelb çështja ka ngecur e pa zgjidhur, të drejtat themelore akoma mbeten të pa plotësuara nga Qeveria serbe, si çështja e gjuhës, e simboleve kombëtare, mosnjohja e diplomave, mohimi i teksteve mësimore në shkollat shqipe, militarizimi i rajonit me forca paramilitare e të ndryshme,janë pasqyra më e mirë, se qeveria serbe nuk ka treguar asnjëherë gatishmëri për këtë rajon. Të gjitha këto kanë rezultuar që të rinjtë të mos shohin perspektivë në vend dhe obligohen të ikin drejt shteteve të perëndimit për të kërkuar një jetë më të mirë. Papunësia me rreth 70-80 % tregon qartë në çfarë pike kritike ndodhet ky rajon.
A është shteti serb një shtet tolerant me shqiptarët dhe si manifestohen në raport me to?
-Mendoj se termin tolerancë me kujdes të veçantë e trajton shteti serb, ngase “mediatiksht” dalin si të reformuar, por në praktikë është totalisht e kundërta, pra mjafton të shihet se në Serbi jetojnë mbi 100 000 shqiptarë, e trajtohen si mos më keq, edhe pse me konventë ndërkombëtare do të duheshin plotësuar me kohë këto kërkesa. Shqiptarët vazhdimisht kanë qenë të gatshëm për zgjidhje, madje edhe janë integrues, inicues të iniciativave apo dialogut për të tejkaluar këtë situatë, por mbetet të shihet se cili do të jetë roli i faktorit ndërkombëtar për të shtyrë këto procese drejt progresit.
Çfarë plane ka administrata komunale në Komunën e Preshevës për vitet në vijim?
-Pushteti lokal është i kufizuar në fushëveprim , në këtë kohë të kapitalizmit është normale që roli i administratës komunale është të menaxhoj në mënyrë të përpiktë detyrat e saj, të sjellë kreativitet, të jetë më bashkëpunues dhe transparent. Idetë tona janë që në mënyrë graduale të parandalojmë fenomenin “zbarzje” duke lobuar për investime, ashtu që të ulet përqindja e papunësisë dhe të rikthehet besimi e shpresa se një ditë gjërat do të ndryshojnë .
Si e shikoni të ardhmen e popullit shqiptar në këto tri komuna të mbetura nën Serbi?
– Dihet dëshira jonë dhe rruga në të cilën jemi ka vetëm një drejtim, pra ajo është drejt BE, shpresoj që faktori ndërkombëtar të bëjë punën e vet ashtu që dhe qeveria serbe të e kuptojë që ajo është rruga e duhur, prandaj duke shpresuar në këtë, çështja e shqiptarëve do të zgjidhet me kohë.
Cila është domethënia strategjike e kësaj zone?
– Zona për të cilën po flasim shtrihen në 1250 km2, me të drejtë konsiderohet një pikë shumë e veçantë dhe strategjike, nëpër këtë zonë kalon autostrada E-75 “korridori 10” që njihet udhëkryq i Evropës, po ashtu kalon linja e hekurudhës. Trekëndëshi me Maqedoninë dhe Kosovën, e bënë një zonë interesante, veçanërisht tërheqëse për investime , me resurse ende të pa shfrytëzuara si njerëzore dhe natyrore, kjo zonë do të duhet të bëhet vend i shënjestruar i investitorëve të huaj.