Rrezarta Qeriqi- Pushkolli: Copëza kujtimesh kur Babi më mungoi shumë

Babi, fëmijëria ime me Ty ka disa periudha të shkurtra dhe të ndara, që ndoshta asnjëherë nuk mund të kuptohen plotësisht, për shkak të mungesës së mundësisë për të kaluar kohë të mjaftueshme me Ty. Ndonëse nuk pata fatin të rritem në vazhdimësi me ngrohtësinë dhe praninë Tënde çdo ditë, kujtoj disa copëza takimesh, që për mua ishin si një dritë shprese në errësirë.

Kur ishe në ilegalitet në Krojmir, takimet tona ishin të kufizuara. Na vizitoje në kohë të caktuara, herët në mëngjes dhe vonë në mbrëmje, dhe ato momente, edhe pse të shkurtra, ishin me shumë kuptim për ne. Më kujtohet sesi, në odën ku qëndronim në Krojmir, na mblidhje përreth dhe na mbushje fiokun me lajthia, arra, dhe fruta të stinës. Nuk kam njohur një baba që të kujdeset për fëmijët e tij ashtu siç e bëje Ti. Edhe pse kohëzgjatja e takimeve tona ishte e kufizuar, ato momente që kalonim bashkë, edhe në një formë të thjeshtë, ishin të çmuara. Më kujtohet sesi, përmes tregimeve dhe përrallave që më rrëfeje, Ti më bëje të ndihem e mbrojtur. Përveç përrallave dhe ndonjë tregimi që na rrëfeje, Ti na blije dhurata të vogla, që kishin një kuptim të madh për ne, si për shembull atë ditë kur erdhe në dhomë dhe më the: “Bija e babit, të kam ble diçka.” Me shumë kujdes e mbaje të fshehur pas shpine dhe, kur e hape, pashë pantallonat që më kishe blerë. Pa u përgjigjur, fillova të qaj, sepse kisha pritur një top. Ndërkohë, Ti më ngrite dhe më the: “Herën tjetër, do ta sjell topin.” Ky moment mbeti i paharruar në kujtesën time…

Një tjetër kujtim i fortë është vizita në burg, kur ndaheshim nga grillat dhe nuk mund të ulesha në prehrin tënd. Pavarësisht mërzisë dhe dëshirës për të qenë afër njëri tjetrit, Ti më ngushëlloje me fjalët: “Herën tjetër, kur të vijmë, babi do të jetë në një vend ku mund të qëndrojmë afër njëri-tjetrit.” Ato fjalë, gjithmonë më bënin të ndihesha më mirë dhe të shpresoja së në vizitën e radhës mund të përqafoja.

Babi, unë jam vajza e katërt me radhë, dhe kjo është një krenari që më shoqëron gjatë gjithë jetës. Nana Xhevë, na tregonte se sa shumë gëzoheshe kur të lindnin vajzat, dhe se asnjëherë nuk ke qenë i mërzitur që ke pasur katër vajza. Më ke pagëzuar me emrin Krujë, një emër historik. Por në ndërkohë na erdhi një letër nga dajat e gjyshes nga Qerreti, dhe në fund të asaj letre shkruhej: “Ju përshëndet dhe Rrezarta e vogël.” Që nga ajo kohë, motra ime e madhe, Antigona, si dhe motrat e tjera, kishin shprehur dëshirën që të më thërrasin me emrin Rrezarta, dhe kështu emri im u ndryshua…

Babi, këshillat dhe fjalët e tua gjithmonë kanë qenë udhërrëfyese për mua. Me anë të letrave, që më dërgoje nga burgu më porosisje që të mësoj të bëhem vajzë e zgjuar dhe punëtore. Ti na tregove rrugën e drejtë dhe na udhëzove në jetën tonë. Kur dole nga burgu, je munduar të jesh gjithmonë pranë nesh për çdo gjë, duke na ofruar mbështetje dhe dashuri, edhe në ato periudha të vështira.

Babi, më vjen jashtëzakonisht e vështirë të pranoj se nuk je më ndër ne. Një sëmundje që kurr emrin mos i dëgjovsha të mori nga ne, në moshën kur ishe i rrethuar me ne, me mbesa e nipër. Me shkuarjën Tënde në amshim, po e ndjejë se një pjesë e jetës sime u shkëput përfundimisht. Më mungon gjithçka që lidhet me praninë tënde, por më shumë se çdo gjë, më mungojnë ato takime të mëngjeseve muajve të fundit me me Ty.

Nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë atë boshllëk që ke lënë, pasi ai ka ngelur i thellë në shpirtin tim dhe çdo ditë, më kujtohet gjithçka që nuk mund të përjetoj më.

Babi- do të mundohem të jetoj me kujtimet më të mira për Ty, dhe do të mbaj gjithmonë në zemrën time. Të dua dhe nuk do të harroj kurrë, babi im i dashur.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Shteti është i kapur nga Partia, kërkojmë ndërhyrje urgjente nga Komisioni Evropian

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kryeministri e ka kapur plotësisht sistemin e drejtësisë, prokurorinë …