Më 8 Mars të këtij vitit gratë e Kosovës do të protestojnë me një sërë aktivitetesh organizuar nga: Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës Programi Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore, Artpolis, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Qendra për Barazi dhe Liri, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Feminizmi Shqiptar. Më 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, nuk festojmë, por marshojmë kundërshtojmë dhunën në baza gjinore dhe qëndrojmë të bashkuaa për barazi dhe drejtësi gjinore në Kosovë. Kundërshtojmë çdo formë të dhunës gjinore, duke filluar nga dhuna në familje, ngacmimi seksual, dhuna ekonomike dhe emocionale. Po ashtu, kritikojmë shtrëngimet e shumëfishta ekonomike dhe institucionale si kondita që gjenerojnë dhunë në baza gjinore. Është fakt se fuqia shoqërore, ekonomike, politike dhe interpresonale mirëmbahet nga marrëdhëniet e pabarabarta të gjinisë, thuhet mes tjerash në një kumtesë të Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës.
Dhuna në baza gjinore është shprehje e pushtetit dhe mjet i kontrollit të subjektivitetit dhe seksualitetit. Si dukuri dhe praktikë e pabarabartë gjinore, dhuna në baza gjinore është shënjues i mungesës së pavarësisë dhe autonomisë. Dhuna në baza gjinore cenon të drejtat qyetatare dhe pamundëon realizimin e tyre. Prandaj, Marshojmë, S’festojmë sepse dëshirojmë t’i japim fund dhunës në baza gjinore dhe tu themi të gjitha institucioneve në Kosovë dhe shoqërisë Kosovare kundërshtimin tonë me një fjali të vetme: Mjaft më me arsyetime! Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas – 8 Mars, sjellim në vëmendje dhunën në baza gjinore përkundër dallimeve shoqërore dhe ekonomike, politike, nacionale, gjuhësore dhe kulturore. Pashtu, ne bëjmë të dukshëm aktivizmin shoqëror kundër dhunës në baza gjinore. Aktivizëm ky që konsiston nga Lëvizja e Grave dhe shoqëria civile në njerën anë, teoria dhe arti në anën tjetër. Megjithate, të gjitha këto vëjnë në shesh dhe kundërshtojnë dhunën në baza gjinore në marrëdhëniet e shumëfishta shoqërore në sferën private dhe sferën publike. Dhe të gjitha/ë flasin një gjuhë në protestën kundër dhunës në baza gjinore dhe thërrasin: Mjaft më me arsyetime!