Rrjeti i Grave të Kosovës

RRGK: Drejtësia në gjumë, gratë po vazhdojnë të përjetojnë dhunë

Mediat po vazhdojnë të raportojnë për raste të panumërta të dhunës ndaj vajzave dhe grave në Kosovë. Vrasje me shufër metalike, vrasje me sëpatë, e vrasje me armë nga burrat e tyre.

Kësaj radhe, sipas raportimeve të mediave, një grua në Skenderaj është goditur 10 herë me thikë nga burri i saj, në pjesën e gjoksit, abdomenit si dhe në disa pjesë tjera të trupit. I dyshuari është arrestuar, ndërsa rasti është cilësuar si “tentim vrasje”. Çka pas këtij veprimi të institucioneve? Deri kur do të sillemi sikur dhuna ndaj grave është vetëm një lajm më shumë?  Çfarë drejtësie e pret këtë grua? Nuk do të jetë drejtësia e Donjeta Pajazitajt, Valbona Marku – Nrecajt dhe vajzës së saj të mitur, apo drejtësia e së ndjerës S.M që në korrik të këtij viti u vra nga burri i saj në Kamenicë.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh indinjatë të thellë për këtë rast, duke u zotuar njëherish që do të ngremë zërin për të kërkuar drejtësi për këtë grua, ashtu si për çdo grua tjetër të dhunuar, plagosur e të vrarë.

Nga viti 2019, dhuna në familje është definuar si vepër penale në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, kjo falë përpjekjeve të disa organizatave të grave. Sado që janë ndërmarrë të gjitha këto veprime për ta kriminalizuar dhunën në familje, hulumtimi i RrGK-së “Nga fjalët në vepra” (2017) dëshmon për mos seriozitetin e institucioneve; Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave për ndëshkimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore.

Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një prej formave më pak të ndëshkueshme të dhunës.

RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti dhe do t’i shfrytëzojë të githa mundësitë ligjore që dorasi të marrë dënimin më të lartë. RrGK nuk do të  ndalet derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm apo si diçka e mbyllur dhe private.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …