RrGK fillon fushatë vetëdijësuese për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me politikat e përgjegjshme gjinore për familjen

RrGK fillon fushatë vetëdijësuese për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me politikat e përgjegjshme gjinore për familjen

Sot, me 9 dhjetor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në partneritet me Odën Ekonomike dhe Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), kanë filluar fushatën vetëdijësuese për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me politikat e përgjegjshme gjinore për familjen.

Kjo fushatë po bëhet me qëllim të informimit të qytetarëve rreth Direktivës së Bashkimit Evropian (BE) mbi balancin punë-jetë, dhe arsyet pse ajo duhet të adaptohet në Kosovë dhe të futet në Ligjin e Punës, si dhe lidhur me atë se çfarë përfitojnë të punësuarit e punëdhënësit nga kjo gjë.

Fushata do të prezantojë gjithsej 10 poste online në të tri gjuhët (shqip, anglisht dhe serbisht), një video animacion i cili tregon dhe jep shembuj konkret se si mund të aplikohet Direktiva e BE-së mbi balancin punë-jetë dhe në fund do të ketë edhe dy pamfletë drejtuar të punësuarve dhe punëdhënësve.

Raporti “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen”, njofton publikun me këtë direktivë dhe përfitimet që kanë të gjithë nga aplikimi i saj, si dhe krahason ligjet e Kosovës me ato të BE-së. Të gjeturat e këtij raporti ndihmojnë që të kuptojmë më mirë këtë direktivë dhe atë se si duhet Kosova të përmirësojë kornizën ligjore në mënyrë që të jetë në të njejtën vijë me ligjet e BE-së.

Duke ditur rëndësinë që ka zbatimi i kësaj direktive, RrGK inkurajon Qeverinë e Kosovës që të harmonizojë ligjet dhe politikat me Direktivën e BE-së mbi balancin punë-jetë dhe inkurajon të gjithë punëdhënësit që të zbatojnë këtë direktivë në vendin e punës për një të mirë të përgjithshme dhe për përmirësimin e perspektivës gjinore në tregun e punës.

Po ashtu, kujtojmë se Programi i Agjencisë për Barazi Gjinore “Programi i Kosovës për barazi gjinore” për vitet 2020-2024 parasheh se rritja e punësimit të grave dhe vajzave ndodh atëherë kur bëhet adresimi i diskriminimit në punësim, përmes ndryshimit të Ligjit të Punës, për të garantuar pushimin prindëror, pushimin e lehonisë dhe atë atësor, në pajtim me këtë direktivë. Gjithashtu, strategjia e RrGK-së për Fuqizimin Ekonomik të Grave e hartuar për vitet 2019-2022, tregon se vetëm 20% e grave janë të regjistruara si pjesëmarrëse aktive në tregun e punës, ndërkohë që kjo shifër për burrat është 65.7%.

Kjo fushatë realizohet si pjesë e nismës “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi”, si dhe mbështetet nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.

Për më shumë informata, prononcime apo intervista në lidhje me fushatën, na kontaktoni në: [email protected]

Kontrolloni gjithashtu

BDI; Përgënjeshtrim i deklaratave të Albin Kurtit mbi Gjuhën Shqipe, që inkurajojnë Gjykatën Kushtetuese

Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe …