Ne, organizatat e poshtëshënuara, mbështesim fuqimisht nismën e shkollës fillore “Elena Gjika” në Prishtinë për përdorimin e termave “Prindi 1” dhe “Prindi 2” në formularët zyrtarë të shkollës për prindërit e fëmijëve. Kjo iniciativë, siç theksohet në komunikatën e shkollës, ka për qëllim promovimin e përfshirjes së plotë të të dy prindërve në procesin arsimor, duke garantuar bashkëpunimin dhe ndarjen e përgjegjësive për të mirën e fëmijëve.
“Është e rëndësishme që të dy prindërit të jenë pjesë e shkollimit dhe garantues të bashkëpunimit”, thuhet mes tjerash në deklaratën e shkollës, dhe ne e mirëpresim këtë qasje që fuqizon barazinë prindërore dhe e nënvizon rolin e të dy prindërve në edukimin e fëmijëve.
Si organizata që mbrojmë të drejtat e grave, ndiejmë se kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt adresimit të diskriminimit që shpesh është ndjerë në proceset administrative, ku tradicionalisht është kërkuar vetëm emri i babait. Ky diskriminim nënvlerëson kontributin dhe rolin e rëndësishëm të grave në jetën e përditshme të fëmijëve, duke injoruar faktin që, në shumicën e rasteve, kujdesi ditor për fëmijët bie mbi nënat, ndërsa vendimet kryesore mbeten në duart e baballarëve.
Nismat e tilla në dokumente zyrtare jo vetëm që eliminojnë këtë pabarazi gjinore, por gjithashtu promovojnë barazinë prindërore, duke krijuar një hapësirë ku të dy prindërit trajtohen të barabartë.
Çdo familje ka të drejtën të vendosë për mënyrën e edukimit të fëmijëve të tyre në hapësirat private, por ne besojmë se iniciativa si kjo, në dokumente publike dhe zyrtare, janë të mirëseardhura dhe përfaqësojnë një përparim të rëndësishëm në drejtim të barazisë gjinore.
Organizatat mbështetëse:
Rrjeti i Grave të Kosovës – RrGK
Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD
Qendra Kosovare për Studime Gjinore – QKSGJ
Civil Rights Defenders
Fourth Wave
Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut – YIHR KS
QIKA
Artpolis