RrGK publikon Raportin Analitik “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen”  

RrGK: Ligji i ri për Komisionin e Mediave Shkel Ligjin për Barazinë Gjinore

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) reagon fuqishëm për vendimin e parlamentit për të hequr zotimet paraprake për barazinë gjinore nga Ligji i ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), të miratuar të enjtën.

Neni 10 i Ligjit të mëparshëm kërkonte që të paktën dy nga shtatë anëtarët e KPM-së të ishin gra. Ligji i ri nuk përmban një kërkesë të tillë, edhe pse e rriti kuotën në tre në vend të dy përfaqësuesve nga grupet etnike pakicë.

Dështimi i qeverisë dhe i parlamentit për të kërkuar një ekuilibër gjinor në KPM është në kundërshtim me Ligjin për Barazi Gjinore të vitit 2015, i cili kërkon që të gjitha organet në Kosovë të mbajnë një ekuilibër gjinor, të përcaktuar si 50% e secilës gjini.

RrGK-ja është thellësisht e shqetësuar nga dështimi i parlamentit për të siguruar që Ligji për Barazinë Gjinore të zbatohet. Përfaqësimi i ulët i grave në vendimmarrje mund të kontribuojë në dëgjimin e pamjaftueshëm të zërit të grave në proceset vendimmarrëse. Si rezultat, puna e KPM-së mund të mos pasqyrojë në mënyrë adekuate nevojat dhe prioritetet e grave në të ardhmen.

Gjithashtu ndajmë shqetësimet e shprehura nga Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja se Ligji nuk pasqyron rekomandimet e bëra nga Këshilli i Evropës.

Duke kujtuar hulumtimin tonë të fundit që diskuton dëmet që mediat sociale mund të shkaktojnë ndaj grave, vajzave dhe personave të komunitetit LGBTQIA+, ne jemi gjithashtu të shqetësuar se ligji nuk përmban kritere dhe procedura të qarta për adresimin e përmbajtjeve të dëmshme siç është dhuna kibernetike me bazë gjinore.

Prandaj, RrGK i bën thirrje parlamentit që të rishikojë këtë Ligj në konsultim të ngushtë me ekspertë ligjorë, të medias dhe të shoqërisë civile; të ndryshojë Nenin 14, duke siguruar pjesëmarrje të barabartë të grave dhe burrave në KPM; dhe të vendosë kritere dhe procedura më të qarta për trajtimin e përmbajtjes së dëmshme, veçanërisht dhunës kibernetike me bazë gjinore.

Për më tepër, RrGK i bën thirrje qeverisë dhe parlamentit të sigurojnë zbatimin e Ligjit për Barazinë Gjinore në legjislacionin dhe politikat e ardhshme duke përfshirë një kuotë për pjesëmarrjen e barabartë (50%) të grave dhe burrave në të gjitha organet. Kjo është thelbësore për barazinë, përfaqësimin, gjithëpërfshirjen dhe vendimmarrjen më demokratike që përfaqëson interesat e grave dhe burrave. RrGK gjithashtu bën thirrje për një kuotë gjinore për pjesëmarrjen e grupeve pakicë në komisione si KPM dhe organe të tjera vendimmarrëse, në mënyrë që të dëgjohen zërat e ndryshëm të grave dhe burrave. RrGK mbetet e përkushtuar për të mbështetur qeverinë dhe parlamentin për zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore përmes hulumtimeve të bazuara në dëshmi, komentimit të projektligjeve dhe dialogut të mëtejshëm. I bëjmë thirrje qeverisë dhe parlamentit që të përdorin më mirë ekspertizën tonë, si dhe të organizatave të tjera të shoqërisë civile, Agjencisë për Barazi Gjinore dhe zyrtarëve të barazisë gjinore nëpër ministri dhe komuna në proceset e politikëbërjes në drejtim të parandalimit të shkeljeve të tilla të mëtejshme të Ligjit për Barazinë Gjinore.

Kontrolloni gjithashtu

Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka ‘prituar’ të flasë para gazetarëve për autostradën Prishtinë-Gjilan

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka folur edhe për autostradën Prishtinë-Gjilan. Ai ka thënë se …