Me shqetësim të madh, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së fundmi ka pranuar Aktgjykimin për shfajësim të të akuzuarit për keqpërdorim seksual me persona nën moshën 16 vjeç. Rasti në fjalë, fillon të trajtohet nga organet e drejtësisë pas gjashtë vitesh raportim dhe pas katër vite gjykim. Në aktgjykimin e pranuar, i akuzuari lirohet nga aktakuza, me arsyetimin që “në mungesë të provave” nuk është provuar fajësia e të pandehurit.
E mitura, atë kohë 9 vjeçare, në vitin 2012, me ndihmën e nënës së saj, raporton rastin e abuzimit ndër vite nga njerku i saj. Prokuroria Themelore në Prishtinë, pranon Kallëzimin Penal në 27.07.2012, vetëm për të zhagitur rastin, për të ritraumatizuar të miturën e abuzimit, duke e marrë deklaratën e saj të përsëritur disa herë, deri në vitin 2022 – ku merret vendimi sipas së cilit gjykata dhe prokuroria nuk kanë arritur të vërtetojnë fajësinë e të pandehurit, duke dhënë vazhdimisht arsyetimet, të cilat RrGK për hir të shpalosjes së mendësisë patriarkale të ngujuar thellë në sistemin gjyqësor në Kosovë ka vendosur t’i citojë si në vijim:
“Konteksti në të cilin është raportuar rasti i abuzimit, nga nëna e së miturës, është i diskutueshëm”.
Gjykata e thotë një gjë të tillë, duke aluduar që nëna e së miturës e ka raportuar rastin e abuzimit të vajzës, vetëm pasi që e ka vërejtur se “bashkëjetesa e saj me të pandehurin po shkon drejt një fundi të pariparueshëm” – duke ju referuar si fund i pariparueshëm dhunës konstante fizike të cilën e ka ushtruar i pandehuri mbi nënën e së miturës.
Në këtë mënyrë, përkundër që gjykata pranon se dhuna konstante fizike ka qenë e përsëritur, në të njëjtën kohë, gjykata konstaton se:
“Gjykata ka parasysh që në raste të tilla kur ndodh sulm apo ngacmim seksual, apo keqpërdorim seksual brenda anëtarëve të familjes, sidomos siç është rasti këtu kur mungon vullneti i njërës palë, është e pritshme që të vërehet ndryshim në sjellje dhe raporte të çrregulluara mes familjarëve të familjes që pretendohet të jenë të përfshirë”
Tutje, përpos që në paragrafin më lart, gjykata e konsideron “raport të çrregulluar” dhe “mungesë të vullnetit të njërës palë” abuzimin seksual me të miturën, e njëjta po ashtu ngre pyetjen tendencioze, dhe tejet shqetësuese:
“Nëse raportet mes të dëmtuarës – dëshmitares (nënës së vajzës) dhe të pandehurit, nuk do të ishin përkeqësuar, a do të raportonte e njëjta rastin e keqpërdorimit seksual të vajzës së saj?” Me këtë pyetje, gjykata fajëson dëshmitaren për mos-raportim, dhe njëherit, ngre pyetje të cilat janë komplet subjektive, dhe nuk ndërlidhen me rastin, i cili është, abuzim seksual ndaj të miturës 9 vjeçare, që nga viti 2005 (kur e mitura kishte 8 vjeç) e deri në vitin 2011.
Tutje po i citojmë edhe disa nga arsyetimet tjera skandaloze të gjykatës, përkatësisht, Departamentit për të Mitur, në lidhje me shfajësimin e të pandehurit:
Duke iu referuar faktit që e dëmtuara e mitur, vazhdimisht ka dhënë detaje të reja, dhe data gjatë të cilave është abuzuar, gjykata thekson:
“Ky ndryshim në deklarim me kalimin e kohës, duke përfshirë edhe raste të tjera të cilat nuk ishin treguar më herët, në vlerësimin e gjykatës, shpërfaq një tendencë të dëmtuarës së mitur së pari për DRAMATIZIM të situatës dhe paraqitje të pandehurit si veçanërisht abuzues në raport me fëmijët.”
Gjykata e konsideron se një e mitur, e cila në kohën kur raporton rastin kishte 11 vjeç, është në gjendje të krijojë skenare të abuzimit seksual, madje në detaje, (për arsye se gjykata i liston rastet të cilat i ka shpjeguar e mitura, tejet qartë dhe rrjedhshëm).
Sidoqoftë, e konsideron se fajësia e të pandehurit është e diskutueshme, për arsye se “është krejtësisht e pabesueshme që e dëmtuara e mitur, po qe se të ekzistonte sulmi seksual i cili pretendohet, të mos ta kishte shprehur atë apo të vërehej nga persona të tjerë, përfshirë nga nëna e saj” dhe përkundër faktit që ekzistojnë provat materiale për dhunën konstante fizike të cilën e ka shkaktuar i pandehuri ndaj nënës së të miturës.
Shkeljet ligjore në këtë vendim janë të shumta duke filluar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës e cila nuk e ka kualifikuar veprën penale në pajtim me nenin 198 paragrafin 2, lidhur me paragrafin 5 pikën 7 të Kodit të Përkohshëm Penal, pasi që i dyshuari ishte njerku i saj, por kualifikimi është bërë vetëm me paragrafin 2 të KPK-së, e që ka qenë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin.
Tutje, Gjykata Themelore e Prishtinës e liron të dyshuarin, me arsyetimin kinse “në mungesë të provave” kur në të njëjtën gjykatë janë paraqitur prova të shumta dhe gjykata ka refuzuar procedimin dhe ekzaminim të tyre, përfshirë provat si në vijim:
- a)Letrën e shkruar nga e dëmtuara, në të cilën e njëjta rrëfen për gjendjen e rëndë emocionale dhe fizike, si pasojë e abuzimit ndër vite, dhe e cila është konfirmuar të jetë e shkruar nga vajza e mitur, nga Agjencioni i Forenzikës;
- b)Dëshmitë e përreth katër personave të përfshirë, përfshirë zyrtarë policorë;
- c)SMS kërcënues për tërheqjen e raportimit të rastit, i drejtuar ndaj nënës së të dëmtuarës, i dërguar nga i pandehuri;
- d)Raportet mjekësore të së dëmtuarës, të cilat kanë vërtetuar gjendjen e rëndë të së miturës;
Gjykata pa treguar arsyet, ka refuzuar nxjerrjen e ekspertizës mjeko ligjore, edhe pse ka ekzistuar një kërkesë nga ana e Prokurorisë dhe nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar për nxjerrjen e kësaj ekspertize e cila do të kishte me qenë prova kryesore e rastit.
Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mbi 70% të rasteve të dhunimeve seksuale viktima janë vajzat e mitura. Përkundër kësaj, ne çdo ditë po dëshmojmë dështimin institucional, dhe tutje, tendencën për fajësimin e viktimave, të cilat nën rrethana tejet të kufizuara, po zgjedhin të raportojnë rastet, pikërisht tek institucionet të cilat po i neglizhojnë ato.
Duke e pasur parasysh këtë, RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850.