Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar pas videos shqetësuese në një qendër për të moshuar në Pejë, ku shihen disa infermierë duke ushtruar dhunë fizike e psiqike ndaj një të moshuare në këtë qendër. Përmes një reagimi për media, RrGK-ja ka kërkuar që t’u hiqet licenca infermierëve dhe të marrin dënimin meritor konform ligjeve.
Reagimi i plotë
RrGK kërkon t’u hiqet licenca infermiereve dhe të marrin dënimin meritor konform ligjeve. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim po përcjellë rastin që ndodhi në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë. Përmes një videoje të shpërndarë sot në media shihet se disa nga infermieret e punësuara në këtë qendër përkujdesjeje dhunojnë dhe maltretojnë një grua në moshë. Pëveç kësaj, infermieret e tjera në asnjë moment nuk ndërhyjnë por mbështesin kolegen e tyre duke xhiruar dhe qeshur. RrGK përmes këtij reagimi kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, që t’u hiqet licenca të gjitha infermiereve të përfshira. Gjithashtu, RrGK kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – Departamenti për Politika Sociale dhe të Familjes, që të largojë licencën e operimit të qendrës “Orenda”, pasi që shihet se sipas rastit të fundit, në këtë qendër ndodhë keqtrajtimi me persona të moshuar.