Rrjeti i Grave të Kosovës sërish shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e punëtoreve teknike greviste, ku dje, ditë e mërkurë, njëra prej tyre, sipas kryetarit të Federatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, është shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Sipas raportimeve, ajo ka pësuar një presion të madh psikologjik dhe po vazhdon edhe sot tretmanin.
Pavarësisht reagimeve tona të shumta, përfshirë edhe një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit për të trajtuar këtë çështje që për ne është shumë e rëndësishme madje edhe urgjente, ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim, për më tepër, as nuk ka pasur ndonjë reagim institucional. Rrjeti i Grave të Kosovës vazhdon me këmbëngulje të bëjë thirrje për një zgjidhje të MENJËHERSHME, në mënyrë që të mos ketë më situata të tilla ku punëtoret që janë në grevë që 38 ditë, të vuajnë pasoja të rënda. Kjo gjendje është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet më.