Pushteti të i mbajë duart larg nga pavarësia e mediave
AVONET shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me zhvillimet e fundit në Komisionin e Pavarur për Media (KPM), ku anëtarët e këtij institucioni vendosën të zgjedhin një kryetar të ri para përfundimit të mandatit të kryetarit aktual.
Zhvillime të tilla ngrejnë dyshime serioze mbi ligjshmërinë dhe pavarësinë e veprimeve dhe anëtarëve të këtij institucioni, duke vënë në pikëpyetje respektimin e kushtetutshmërisë dhe legjislacionit pozitiv në vendin tonë. Ndryshimet e rregullores dhe procedimi i zgjedhjes së kryetarit të ri pa transparencë dhe pa një proces të rregullt , përbën një praktikë shqetësuese, e cila mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e lirë të mediave dhe lirinë e shprehjes në vend, të cilat janë edhe liri dhe të drejta të garantuara nga akti themeltar i Republikës së Kosovës, Kushtetuta e Kosovës.
Ky veprim, i cili është përcjellë me reagime të shumta nga mediat, shoqëria civile dhe ekspertë ligjorë, konsiderohet si një hap që rrezikon autonominë e një prej institucioneve kyçe për garantimin e pluralizmit medial. Në një demokraci funksionale, institucionet e pavarura duhet të mbeten të paprekura nga ndikimi politik dhe ndërhyrjet e pushtetit.
Ne kërkojmë nga KPM që të shqyrtojnë revokimin e këtij procesi dhe të garantojnë se çdo vendim në KPM bëhet në përputhje të plotë me ligjin dhe parimet demokratike. Zbatimi i ligjit në mënyrë selektive dhe ndryshimi i rregullave në favor të interesave të caktuara dëmton besimin në sistemin institucional të vendit.
AVONET kërkon urgjentisht nga KPM dhe institucionet e tjera relevante që:
-
Të ofrojnë transparencë të plotë mbi procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të KPM-së.
-
Të garantojnë se veprimet e ndërmarra janë në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.
-
Të ndalojnë çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në institucionet e pavarura.
-
Të sigurojnë që KPM të mbetet një institucion i pavarur dhe i paanshëm në raport me pushtetin politik.
Në një shoqëri e cila kultivon dhe ruan vlerat demokratike, institucionet e pavarura nuk mund të jenë objekt i manipulimit politik, dhe çdo tentativë për të kontrolluar hapësirën mediale duhet të refuzohet me vendosmëri nga të gjithë akterët e shoqërisë civile, komuniteti medial dhe qytetarët e Republikës së Kosovës
AVONET do të vazhdojë të ndjekë këtë çështje nga afër dhe të angazhohet për fuqizimin e demokracisë dhe lirisë së mediave në Kosovë.