Rruga ende e papërfunduar Komoran-Carralevë, një rrëfim tipik i neglizhencës dhe i papërgjegjësisë ( RKL )

E gjatë dhe e pakuptimtë është odisejada e një rruge, e cila ka filluar të ndërtohet përnjëherë pas mbarimit të luftës në Kosovë, qysh në vitin 1999 dhe ende nuk është kryer.
Kështu nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Kosovës, por mjerisht kështu ndodh në pjesën jugore të Drenicës, e cila ka trashëguar ndarjen e dhunshme administrative të kohës së okupimit, e copëtuar në 5 komuna, edhe pse një territor tejet kompakt, në të gjitha aspektet. Afër 20 fshatra të kësaj pjese të Drenicës “qeverisen” nga komunat: Drenas, Lypjan, Shtime, Therandë dhe Malishevë.
Rruga Komoran Carralevë është e një rëndësie të veçantë në Kosovë, meqë lidh të gjitha fshatrat e Drenicës me rajonin e Shtime-Ferizaj-Kaçanik e tutje, ndërsa rregullimi me kohë i kësaj rruge strategjike do të shkarkonte një pjesë të madhe të komunikacionet nga Dukagjini në drejtim të Kaçanikut dhe Shkupit, duke shkurtuar këtë rrugë në më shumë se 40 kilometra. Në asnjë vend tjetër të Kosovës një rrugë e tillë, me shumë përparësi nuk do të ishte anashkaluar, sepse, si e tillë rruga është në shërbim të përgjithshëm, dhe deri diku zgjidh edhe problemet e 20 fshatrave më të varfra dhe më të keqtrajtuara të vendit tonë. Rrugën Komoran-Carralevë, qysh me mbarimin e luftës e filloi për ta rregulluar firma “Eurokos” e vëllezërve Shamolli nga Shala, (ish Sedllar). Kjo kompani e rrugëve bëri një punë kolosale, meqë shkurtoi rrugën dhe e largoi nga vendbanimet. Kompania hasi në pengesa të shumta edhe disa banorë të kësaj ane, të cilët kërkonin kompensime dhe nuk lejonin punimet. Megjithatë, firma “Eurokos” arriti t’i kryejë punimet më të rënda dhe më të vështira, por nuk arriti ta realizojë në tërësi projektin, meqë në fazën e dytë të punimeve tenderin e fitoi një kompani e rrugëve nga Dukagjini, e cila për një afat të shkurtër kohor asfaltoi pjesën nga Komarani deri në hyrje të fshatit Shalë dhe punët sërish ngecën.
Kështu mbeti pa u asfaltuar rruga në relacion Shalë, Krojmir, Pjetërshticë, Carralevë.
Tre vjet më parë, një kompani e papërgjegjshme nga Kaçaniku fitoi tenderin për finalizimin e punimeve, por sa e sa herë i ndërpreu punimet dhe i zvarriti ato deri në këto ditë, kur sërish ka rifilluar me një ritëm “të ecjes së breshkës”. Jo vetëm njëherë banorët e kësaj ane kanë trokitur në dyert e Ministrisë së Transportit dhe në ministri të tjera, në Kuvendin komunal të Lypjanit e të Shtimes. Por as u priten, as i mori kush parasysh ankimet e tyre të ligjshme.
Ish ministrat e rrugëve, secili kryente punët në rajonin e vet. Zef Morina rregulloi rrugët Dukagjinit, ministri Ahmeti rregulloi rrugët e Gjilanit dhe të Ferizajt, Fatmir Limaj për ditë po përuron rrugë në rajonin e Llapushës dhe të rrafshit të Kosovës…
Rruga Krojmir Carralevë po mbetet në mëshirën e një firme të falimentuar nga Kaçaniku, e cila çuditërisht edhe pse po i zvarrit punimet qe tre e më shumë vjet, vazhdimisht po i fiton tenderët. Pseja e kësaj historie të keqe dhe të papërgjegjshme, nuk mund të kuptohet edhe aq lehtë. Me siguri se dikush nga politika e lartë i vjel përfitimet e veta edhe nga kjo rrugë e këtyre fshatrave të gjora, të varfra dhe të nëpërkëmbura, andaj edhe ndodh kështu.
Një rrugë e gjatë 5 kilometra, rregullimi i së cilës po zgjat nëntë vjet. A nuk është ky një rrëfim i turpshëm i neglizhencës dhe i papërgjegjësisë së ish dhe tani qeveritarëve?
Kjo zvarritje tregon më së miri se në çfarë gjendje mizorie kanë mbetur rajonet, të cilat aq shumë u martirizuan për çlirimin e vendit. Duhet saktësuar me këtë rast se kjo pjesë e Drenicës ka qenë Termopila e UÇK-së, me të cilën krenohen politikanët e dalë nga lufta, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, kur edhe i vizitojnë këto fshatra dhe sjellin plot “dhurata” me premtime boshe. Në këtë pjesë të Drenicës kanë mbijetuar luftën mbi 100 mijë të zhvendosur. Pikërisht në këto anë ka vepruar edhe SHP i UÇK-së, Njësitë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, Radio Kosova e lirë, Agjencia Kosovapres e të tjera.
Vetëm pesë kilometra rrugë janë asfaltuar në këtë pjesë të Drenicës për 9 vjet. A nuk flet vetvetiu kjo shifër, kur dihet mirëfilli se sa qindra e qindra kilometra rrugë janë asfaltuar, madje edhe në rajonet më të përthyera të Kosovës?
Natyrisht se kjo neglizhencë lidhet me politikën dhe shtrirjen e saj selektive në terren. Kjo pjesë e Drenicën nuk përfaqësohet me asnjë deputet në Kuvendin e Kosovës, edhe pse afër qind për qind e banorëve kanë votuar Partinë Demokratike të Kosovës. Nuk ka asnjë ministër, asnjë zëvendës-ministër, asnjë këshilltar të kryeministrit, madje as një shofer apo zyrtar tjetër të ministrive të tjera të PDK-së.
Me mund dhe vështirësi, pesë vjet pas luftës, Azem Syla, ish komandant i SHP të UÇK-së arriti që me autoritetin e tij të intervenojë dhe të asfaltojë rrugën, dy kilometra që lidh Komaranin dhe Kizharekën. Kështu bëri edhe Bujar Dugolli, kur ishte ministër. Edhe ai asfaltoi dy-tri kilometra rrugë deri në fshatin Nekoc.
Ngelën pa asnjë metër rrugë të asfaltuar fshatrat e Rrafshnaltës: Berishë, Fshati Ri, Kleçkë, Divjakë, Javor, Luzhnicë, Dukë, Karaçicë, pastaj fshatrat Baicë, Shalë, Krojmir, Pjetërshticë dhe Zborc…
Deri kur kështu? – pyesin të indinjuar banorët e kësaj ane, të zhgënjyer nga neglizhenca dhe papërgjegjësia e qeveritarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …