Rruga nacionale Gjakovë-Tropojë merr emrin e mikut të dëshmuar të kombit shqiptar, kongresistit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eliot Engel. Duke folur për kontributin e tij për popullin shqiptar, kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta tha se emri i Eliot Engel është i gdhendur në zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo ku ata ndodhen. Ndërkohë, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini tha se rruga që lidh Tropojën dhe Gjakovën do ta mbajnë me nder dhe krenari këtë emër. Edhe kryetari i Tropojës, Besnik Dushaj tha se vendimi për emërtimin e rrugës që lidhë këto dy qytete me emrin e kongresistit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eliot Engel, ishte marrë bashkërisht nga bashkia që drejton dhe Komuna e Gjakovës për të nderuar kontributin e kongresmenit që shqiptarët në të dyja anët e kufirit të jenë të lirë dhe më të bashkuar. Kryetari, Besnik Dushaj më pas nderoi kongresmenin Engel me titullin “Qytetar nderi” i Tropojës për kontributin historik në forcimin dhe konsolidimin e miqësisë shqiptaro-amerikane dhe çështjes shqiptare.
