Përnjëherë pas çlirimit të Kosovës nga regjimi kriminal i Serbisë, autoritetet ndërkombëtare kërkuan demobilizimin e UÇK-së, por me qëllim për ta ruajtur “status-quonë”, pranuan që fillimisht të formohen, “Trupat Mbrojtëse të Kosovës”, pjesëtarët e së cilës në shumicë do të ishin nga radhët e UÇK-së. Në fillim të vitit 2000 përfundoi edhe transformimi i UÇK-së në TMK. Ky hap ishte marrë pas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë.
Trupat Mbrojtëse të Kosovës ishin pjesë përbërëse e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nën protektoratin e UNMIK-ut. Komandanti parë i TMK-së u emërua Gjeneral-lejtnant, Agim Çeku. Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për ri-ndërtimin dhe komunitetet.
TMK-ja u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendi që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej, por në kushte krejtësisht të pafavorshme.
Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, e dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe në Beograd lidhur ,e , “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TMK-së, dhe krijimi i një force të re, e cila u quajt Forca e Sigurisë së Kosovës, për të cilën thuhej se më vonë do të bëhej ushtria e Kosovës.
Gjatë këtyre 20 viteve të ekzistencës së një segmenti mbrojtës së vendit tonë, UÇK-TMK-FSK-ja është ndërruar e shndërruar, por nuk është pranuar si ushtri e Kosovës, edhe pse me shndërrimin e fundit, ajo parashihet të jetë një ushtri me kapacitete krejtësisht të kufizuara. Tri projektligjet të cilat i hapen rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, janë votuar më 14 dhjetor 2018 në Kuvendin e Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenbergut ka deklaruar se procesi i shndërrimit të FSK-së në Ushri, është udhëhequr në një moment mjaft të papërshtatshëm dhe pa u respektuar procedurat. NATO-ja ka paralajmëruar se do të ketë tjetër qasje ndaj FSK-së, por forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë si e vetmja forcë ushtarake. (RKL)