Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka thënë se njerëz që janë angazhuar rishtazi në këtë parti kanë lidhje me ish-pushtetin. Ai ka thënë se njerëz të tillë nuk i duhen PDK-së dhe se është koha që kjo parti të largohet nga ky diskurs cinik. “Ka një kohë që e kam pushuar aktivitetin tim në strukturat e PDK-së, por nuk mund të rrija neutral e të mos reagoj ndaj personazheve që njihen për afërsinë e tyre me ish pushtetin e që sot, kinse në emër të reprezentimit të PDK-së, aktrojnë superioritet e lidership ndaj personaliteteve më meritore të hierarkisë së UÇK-së. Kjo nuk duhet të tolerohet nga PDK”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Mustafës
PDK-Origjina dhe hienat…
PDK-ja është parti e themeluar nga njerëz që kanë demonstruar kredenciale të larta morale e kombëtare në kohët e arritjeve të mëdha kombëtare. Me kalimin e viteve, ajo ka akomoduar edhe oportunistë e njerëz që kanë qenë të afërt me ish pushtetin e para vitit 1999. Sot, me njerëz që janë angazhuar rishtazi (doktoranta, mastera të internetit e lloj-lloj kualifikimesh) në PDK, kemi arritur deri aty sa dikush që vjen nga lidhje të afërta me ish pushtuesin, të jap ‘çertifikata’ për individ brenda PDK-së, që përcaktojnë shkallën e lojalitetit të tyre ndaj vlerave të UÇK-së, madje, këtë ‘çertifikatë’ ja akordojnë edhe vet eprorëve të UÇK-së. Të tillët nuk i duhen gjë PDK-së dhe ata, është koha të largohen nga ky diskurs krejtësisht cinik. Ka një kohë që e kam pushuar aktivitetin tim në strukturat e PDK-së, por nuk mund të rrija neutral e të mos reagoj ndaj personazheve që njihen për afërsinë e tyre me ish pushtetin e që sot, kinse në emër të reprezentimit të PDK-së, aktrojnë superioritet e lidership ndaj personaliteteve më meritore të hierarkisë së UÇK-së. Kjo nuk duhet të tolerohet nga PDK. Është e tepërt.