Kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, Rrustem Peçi ka shkruar se sot, më 17 nëntor, Tirana feston 74-vjetorin e çlirimit. Populli i Tiranës, si çdo vit e pret këtë festë si ditën më të shënuar, se Dita e Çlirimit është histori. Por, jo vetëm tiranasit, por i gjithë populli shqiptar e kremton 17 Nëntorin, sepse kryeqyteti është i të gjithëve dhe se çlirimi i tij ishte preludi i Çlirimit të Shqipërisë më 29 Nëntor 1944. Duan apo nuk duan armiqtë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Urdhrin: “Me çdo kusht të merret Tirana” e dha Enver Hoxha dhe askush tjetër. Duan apo nuk duan kolaboracionistët e të gjithë ata që vjellin vrer kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe partizanëve, që përpiqen ta kthejnë mbrapsht rrotën e historisë, çlirimi i Tiranës, i gjithë qyteteve, i gjithë krahinave, i gjithë fshatrave dhe e çdo pëllëmbe toke e Shqipërisë, është vepër e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, është vepër e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar që e udhëhoqi PKSH, me Enver Hoxhën në krye.
Çfarëdo që të bëjnë, ngado që të vërtiten kolaboracionistët, pinjollët e tyre, kalemxhinjtë e paguar dhe politikanët e djallëzuar, sulmin për çlirimin e Tiranës e organizoi Korparmata I Sulmuese Partizane me Komandant Dali Ndreun, Komisar Hysni Kapon, Shef Shtabi Mehmet Shehun. Ishte Komandanti i Brigadës I Mehmet Shehu, strategu i kësaj beteje frontale. Në të 19 ditët e netët e betejës për Tiranën do të provoheshin luftime nga më të përgjakshmet nga partizanët e të 11 brigadave që morën pjesë në të, për ta çliruar nga nazistët dhe veglat e tyre kolaboracionistët të Ballit Kombëtar e zogistëve, që ishin në një llogore me ta. Ishte populli i thjeshtë e i mrekullueshëm i Tiranës, intelektualët përparimtarë e patriotë që u bënë njësh me partizanët në barrikada dhe triumfuan… Tirana mbeti i vetmi kryeqytet në Botë që u çlirua vetëm me forcat partizane pa ndihmën e askujt tjetër. Thjesht pyesim: Ku ishte Mid’hati me Ballin e tij kur partizanët përlesheshin me nazistët për çlirimin e Tiranës?! Në një llogore me hitlerianët.