Rufki Suma

Rufki Suma: Arrestimi i liderëve të vendit është padrejtësia më të madhe që iu ka bërë Kosovës që nga shpallja e pavarësisë

Në një  intervistë për TV-Diellin, kryetari i komunës së Hanit të Elezit ka folur për pandeminë, sistemin arsimor në këtë komunë, për probleme në sigurimin e ujit të pijes, për Gjykatën Speciale, krimet serbe dhe për dialogun Kosovës Serbi, për të cilin thotë se duhet të ndërpritet.

 

Duke folur për pandeminë që ka shkaktuar virusi korona, kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma,  ka thënë se ky vit ka qenë një vit me shumë probleme sidomos me pandeminë Covid-19. Kur ne pritnim të fillonim realizimin e projekteve kapitale, na pllakosi pandemia ku u izolua e gjithë Kosova po ashtu  edhe Hani i Elezit. Na u imponua një situatë krejt ndryshe nga vitet e më parme. Ne në atë kohë kemi marr vendim në kuvendin komunal që të paktën t’i lirojmë ose ta bëjmë një zbritje prej 25% nga taksat komunale për biznese, dhe 60% për qiranë, e dimë se nuk kanë qenë të mjaftueshme sepse ne kishim llogaritur 3 muaj por pandemia po zgjat ende.

Pandemia zgjati gjithë vitin e uroj te mbaroj me shpejt e të mos kemi probleme të tilla. Me këtë rast i ngushëlloj edhe të gjitha familjet që humbën të afërmit e tyre nga kjo sëmundje. Zyrtarisht 2 persona kanë humbur jetën. Sa i përket kësaj situate ne kemi pasur donacione nga donatorët por edhe mbështetje nga niveli qendror. Në QKMF kemi pasur 60 % të infektuar, po na kanë dalë në ndihmë me aq sa kanë pasur mundësi por ja kemi dalë ta kalojmë këtë situatë. Tani kemi raste pozitive por jo me simptome të rënda. Aktualisht jemi duke bërë teste serologjike nga ndihmat që janë ndarë nga qeveria rreth 281 mijë euro për komunën tonë. Me to  kemi blerë testet dhe pajisjet e tjera. Sipas raporteve të publikuara. ne kemi pasur 77 persona me Covid. Momentalisht kemi vetëm një person të infektuar. Duket se  shumica e kanë kryer sëmundjen. Personat me simptoma të rënda janë përcjell në Spitalin e  Ferizajt po edhe në Prishtinë.

 

Në sistemin arsimor këtu në Han të Elezit pandemia na ka gjetur të përgatitur sepse mësimdhënësit veç qysh moti janë të pajisur me laptop, ka rrëfyer më tej kryetari, Suma. Pak nxënës që nuk kanë pas pajisje janë siguruar. Mjetet higjienike janë siguruar në të gjitha shkollat, asnjë klasë nuk ka mësuar nga distanca, ngase nuk ka pasur të infektuar. Pra mësimi nuk është ndërprerë, por është bërë me ndërrime.

Personeli shëndetësor ka pasur prioritet për të bërë teste serologjike, pastaj ata që kanë pasur simptome, tash mërgimtarët që kanë ardhur i bëjnë testet por ata nuk i lëmë të presin. Ne kemi marrë 3 mijë teste, që për banorët tanë janë pa pagesë. Bashkëpunimi me spitalet rajonale,  kanë qenë të mira. Spitali i Ferizajt i ka trajtuar pacientet edhe nga Hani i Elezit. Përkundër pandemisë ne kemi kaluar 75% të të hyrave vetanake.

Projektet që kanë qenë duke u punuar nga viti i kaluar janë realizuar disa: si projekti i ndërtimit tç sallës së sporteve te shkolla në Paldenicë, pastaj kemi nisur ndërtimin e sallës së sporteve,  në shkollën Veli Ballazhi, në Gorancë. Shtëpia e kulturës këtu në Han të Elezit që faza e parë ka kushtuar 500 mijë euro, 250 mijë euro i ka dhënë MKRS. Vitin që hyjmë duhet të sigurojmë edhe 300 mijë euro, në total shkon vlera në 1 milion euro. Pastaj jemi duke punuar për ndriçimin publik, jemi duke bërë rregullimin me kubëza betoni në zona rurale.

 

Projekti me Bashkimin Evropian si projekt ndërkufitar me Maqedoninë jemi në bashkëpunim me komunën Gazi Baba të Shkupit, pastaj projektin nga MI që kap shumën nga 1.5 milion euro rruga Hani i Elezit Gorance Glloboçicë. Pajisjet për kabinetet e nevojshme në disa shkolla me material shpenzues.

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, z Rufki Suma, thotë se problemi kryesor tek ne është me ujin e pijes. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje me zyrën zvicerane dhe Bifurkacionin në mënyrë që nëse shkon si duhet të përfundojë në qershor të vitit 2021. Por niveli i ujit është i ulët,  kemi probleme me furnizime me ujin. MAPL dhe Gizi gjerman na ka ndarë disa grante për realizimin e disa projekteve. Kemi bërë planifikimet për vitin e ardhshëm për projektet tjera. Ne e bëjmë mirëmbajtjen me kompaninë lokale. Në raport me vlerësimin ne kemi pas disa mospajtime ngase ne jemi shpallur komuna e dytë, por mjetet financiare nuk janë ndarë ende. Në bazë të rregullores së ministrisë së pushtetit Lokal është dashur të ndahet për ne shuma 150 mijë euro, por nuk na janë dhënë,  edhe pse kemi kërkuar të drejtën tonë, pra jemi shpall fitues por nuk na japin mjetet. Ne kur bëjmë vërejtjet tona ata heshtin nuk na përgjigjen, ose kemi raste kur vlerësohemi me zero pikë edhe kur e dimë se kemi realizuar 90 % të punës. Nëse kanë preferenca për komuna të caktuara është mirë mos të na shtinë në garë fare, sepse ne realisht punojmë për qytetarin tonë. Ne kemi kompaninë publike lokale dhe jemi shumë të kënaqur.

 

Lidhur me  arrestimi i liderëve të vendit, të cilët po mbahen në burgun e Hagës, kryetari, Ryfki Suma deklaron se kjo  është padrejtësia më të madhe që i është bërë Kosovës që nga shpallja e pavarësisë nga faktori ndërkombëtar dhe atë me akuza për krime luftë ndaj UCK-së. Unë vazhdimisht kam reaguar qysh në momentin e themelimit të gjykatës speciale e cila po akuzon çlirimtarin, kemi reaguar edhe lidhur me emërtimin e kësaj gjykate. Ka mundur të bëhet një gjykatë për krimet e bëra në Kosovë, kjo do të ishte  edhe obligative për shtetin, sepse  çdo shtet e ka gjykatën për krimet që janë bërë. Ne kemi pasur edhe më herët kushtëzime siç ka ndodhur edhe votimi i demarkacionit me Malin e Zi, me kushtin se do të bëhet liberalizimi i vizave që ende nuk ka ndodhur.

Kryetari Rufki Suma ka theksuar së është e pakuptim që kjo gjykatë të gjykojë krimet e pretenduara deri në vitin 2000 atëherë kur UÇK është demilitarizuar në shtator të vitit 1999. Sipas tij institucionet tona kanë rënë nën grackën e ndërkombëtarëve dhe kanë themeluar këtë gjykatë të pa drejtë dhe të njëanshme. Presionet e ndërkombëtarëve kanë qenë të shumta. OKB-ja  ka mundur t’ ia vazhdoj mandatin Hagës ose të themelojë ndonjë zyre në Kosovë por assesi të themelojë një gjykatë një etnike.

Liderët tanë kanë pasur një mori arsyesh për mos e votuar themelimin e kësaj gjykate. Suma e ka quajtur të turpshëm gëzimin e disave për arrestimin e ish-ushtarëve të UÇK-së. Kryetari i Hanit të Elezit ka potencuar së përkundër asaj që  thuhet së kjo gjykatë është e Kosovës nuk e ka asnjë element të shtetit tonë. është e pakuptimtë që kjo gjykatë të gjykojë krimet e pretenduara deri në vitin 2000 përderisa UÇK është demilitarizuar në shtator të vitit 1999. Në vend së të gjykohen kriminelet serbë që kryen krime lufte, masakra e gjenocid në Kosovë, ne kemi akuza kundër pjesëtarëve të UCK-së.

 

Ne si komunë në vitin 2012 kemi bë një padi për krimet që kanë bërë këtu në komunën tonë por gjykatat tona nuk janë marrë me të, thuhet se e kanë dërguar në EULEX. Ne kemi pas të drejtë të bëjmë akuza por gjykatat tona kanë heshtur në këtë drejtim me arsyetimin se në nuk kemi të drejtë, ka thënë kryetari Suma.

Për mua është absurde që ende të ketë bisedime me Serbinë, ngase nuk kemi asgjë profitabile. Ne me ata mund të bisedojmë vetëm për kthimin e të pagjeturve. Ngase Serbia nga këto bisedime veç përfiton. Pra nuk ka pas nevojë të ketë bisedime. Sepse nuk jemi palë të barabarta. Kosova duhet të kushtëzojë bisedimet. Po të kishin qenë liderët serbë në Hagë,  Serbia as qe do të diskutonte me ne. E pala jonë,  përkundër që krerët e shtetit janë në Hagë,  nuk i ndërpresin bisedimet. Kjo është absurde, ka thënë mes tjerash,  kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma në intervistën për TV-Dielli, të cilën e realizoi, redaktorja, folësja e TV-Diellit dhe e Radios-Kosova e Lirë, Arbanë Qeriqi-Gashi.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …