Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova u ka bërë thirrje strukturave të kësaj partie, që të respektojnë marrëveshjen e koalicionit, në bazë të së cilës Thaçi duhet të zgjedhet president. “Të respektohet marrëveshja e LDK-së e cila është nënshkruar dhe është qëndrim i strukturave të partisë”, ka thënë Rugova. Kjo deklaratë e tij vjen pas zërave gjithnjë e më të fortë brenda LDK-së që kundërshtojnë zgjedhjen e Thaçit president. Së fundmi, kryesitë e degëve të LDK-së në kryeqytet, përkatësisht ajo në Ulpianë dhe Tophane kanë bërë thirrje të hapura që të mos votohet Thaçi për kryetar të Republikës.
1. 2. 2916 ora 6 dhe 8.00
Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se problemi i fundit i lidhur me Klinikën e Kardiologjisë është vetëm një nga problemet e shumta në shëndetësinë kosovare. Situata e krijuar është produkt i skemave përfituese të klaneve të cilat janë të lidhur me krimin e organizuar, që janë të mbështetura nga partitë politike në pushtet. “Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë janë përgjegjës direkt për politikat, monitorimin dhe funksionimin e gjithë sistemit shëndetësor në Kosovë. Siç dihet të dy Ministrit edhe Agani dhe Rrahmani kanë prerë shiritat për funksionalizimin e Kardiokirurgjisë dhe e njëjta nuk funksionon ende”. “Edhe ish Kryeministri Thaçi dhe ky i tanishmi Mustafa kanë lejuar madje kanë ndihmuar që kjo skemë e krimit e organizuar të mirëmbahet dhe të avancohet. Këtë e kanë realizuar jo vetëm përmes Ministrave të Shëndetësisë por edhe përmes lidhjeve parapolitike që kanë zaptuar çdo sektor në Shëbimin tonë spitalor qoftë publik qoftë atë me kapital privat”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Pas kthimit nga Brukseli edhe pse i fyer e i përçmuar nga bashkëbiseduesit serbë, kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk do të negociohet më në Bruksel dhe se funksionalizimi i këtij mekanizmi do të bëhet konform marrëveshjeve të deritashme. Kësisoj, ai mohoi mundësinë e tërheqjes nga marrëveshja, e cila nuk është në përputhje me frymën e Kushtetutës. Mustafa i ka shprehur këto qëndrime para kabinetit qeveritar, deria ka folur për takimet që këtë javë ka zhvilluar në Bruksel, si me përfaqësues të Bashkimit Evropian, po ashtu edhe me ata të Serbisë. Në këto takime, ka thënë të jetë biseduar lidhur me implementimin e marrëveshjeve të deritanishme, me trendin e implementimit të tyre dhe me masat që duhet t’i ndërmarrin të dyja palët, në mënyrë që marrëveshjet të implementohen.
Pas publikimit të trillimeve në disa medie, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar kundër shkrimeve të porositura nga qarqe të ndryshme poltike ku thuhet e AAK-ja do të bëjë koalicion me PDK-LDK-në. ”Skrimet e fundit në disa medie për gjoja një koalicion të ri qeverisës ku do të përfshihej edhe AAK-ja, janë trillime ordinere, që për qëllim kanë diskreditimin e AAK-së dhe liderin e saj Ramush Haradinaj. “Për hir të informimit të saktë, e njoftojmë opinionin publik, se nuk ka asgjë të vërtetë nga pazaret imagjinare për një qeveri ku do të përfshihej AAK-ja, dhe se kjo parti, së bashku edhe me dy partitë tjera opozitare, do të vazhdojë kauzën e saj të drejtë e të vendosur në ndaljen e degradimit të mëtutjeshëm të qeverisjes së vendit”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Me rastin e 19-vjetorit të rënies së dëshmorëve Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu është mbajtur akademi përkujtimore. Në emër të familjarëve të tre dëshmorëve, Bajram Zejnullahu, u ka bërë thirrje të gjithë liderëve që të bashkohen dhe ta çojnë përpara shtetin e Kosovës, sepse shteti është më i vlefshëm sesa personi. Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka deklaruar se FSK-ja ka ndjekur traditën patriotike të dëshmorëve të kombit. “Jam thellësisht i bindur se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës në kuadër të ndërmarrjes së masave për krijimin e institucioneve më vitale të shtetit, do t’i ndërmarrin të gjitha masat për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës brenda këtij viti, e cila ka për objektivë anëtarësimin në NATO. Nuk ka dyshim se heronjtë e kombit si Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, por edhe dëshmorët tjerë kanë dashur që ne të punojmë dhe e ndërtojmë shtetin që sundon ligji”, ka deklaruar Demolli.
Në ditë-rënien heroike të tre dëshmorëve të parë të UÇK-së, kryekuvendari Kadri Veseli vendosi lule dhe bëri nderime pranë shtatores së heroit të kombit, Zahir Pajaziti në Prishtinë. Më pas, do të vizituar edhe Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në fshatin Orllan, ndërsa në fshatin Lladofc të Besianës ka vizituar edhe Kompleksin “Hakif Zejnullahu”.Nderime në 19 vjetorin e rënies heroike të Zahir Pajazitit, para shtatores së heroit në Prishtinë kanë bërë edhe Visar Ymeri e Shpend Ahmeti bashkë më anëtarët e kryesisë dhe deputetët e Vetëvendosje. Zahir Pajaziti. Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu kanë rënë në një pritë të forvace policore serbe, në fshatin Pestovë më 31 dhjetor të vitit 1997.
Edhe Partia FJALA ka përkujtuar veprën e dëshmorëve Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës. Bë 19 vjetorin e rënies heroike, kjo parti kujton dhe nderon veprën e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Jeta e dhe veprimtaria e këtyre burrave të mëdhenj qe nuk kursyen asgjë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, është argument dhe porosi për gjitha brezat e rinj se si luftohet dhe vdiset për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Ushqime me afat skadence të tejkaluar, në veçanti produkte qumështi e mishi dhe nënproduktet e tyre, vazhdojnë të jenë të pranishme në tregun e Kosovës. Përfaqësues të organizatave që merren me këtë çështje vlerësojnë se, ky fenomen vazhdon të rrezikojë konsumatorin në Kosovë. Drejtori i organizatës jo qeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku tha për Top Channel se, e gjithë kjo vjen si pasojë e moszbatimit të ligjeve në vend. “Republika e Kosovës nuk ka arritur ende të krijojë një treg vendas, apo një ekonomi të lirë. Pa këto të dyja nuk mund të ketë as strategji të zhvillimit ekonomik. E gjithë kjo që po ndodh te ne ka një pamje kaotike, sepse këtu veprojnë më shumë pamundësitë e zbatimit të ligjeve, sesa ligjet. Ligjet në Kosovë nuk zbatohen ende në masë, as deri 40%, ndaj dhe në këtë rrëmujë çdokush që ka deficit të etikës tregtare dhe të biznesit, e shfrytëzon momentin për t’u pasuruar”, tha Selatin Kaçaniku.
Të paktën 10 mijë fëmijë emigrantë të pashoqëruar janë zhdukur pasi kanë mbërritur në Evropë. Ky është alarmi i lëshuar nga “Europol”-i, i cili ka vlerësuar se ekziston frika se shumë prej tyre të kenë rënë në duart e grupeve të organizuara kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore. Në përpjekjen e parë të agjencive ligjzbatuese për ta matur një prej aspekteve më shqetësuese të krizës së emigrantëve, shefi i “Europol”-it, Brian Donaldi ka thënë për “The Observer”, – gazetë e fundjavës e publikuar nga “The Guardian”, se mijëra minorenë të rrezikuar janë zhdukur pasi janë regjistruar në autoritetet shtetërore në të cilat kanë shkelur për herë të parë në Evropë. “Nuk është e paarsyeshme të thuash se jemi duke kërkuar për mbi 10 mijë fëmijë. Jo të gjithë prej tyre mund të jenë duke u shfrytëzuar në mënyrë kriminale, disa mund t’u jenë bashkuar anëtarëve të tjerë të familjes. Ne, thjesht nuk e dimë se ku janë ata, çfarë bëjnë dhe me cilët shoqërohen”, ka thënë ai.
Sekretari i Përgjithshëm, NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se edhe pse i kanë tërhequr me herë të tëra vëmendjen, Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të Turqisë. Ai e ftoi Rusinë të respektojë hapësirën ajrore të NATO-s si dhe të bëjë lëvizje të përgjegjshme. Stoltenberg, në një deklaratë në lidhje me shkeljen e hapësirës ajrore të Turqisë nga avioni rus ka deklaruar se ngjarjet e mëparshme treguan se sa i rrezikshëm është një veprim i tillë”. Duke bërë përgjegjës Rusinë Stoltenberg e ftoi atë të jetë më e përgjegjshme në veprimet e saj. “Në mënyrë që të mos përsëriten më raste të tilla Rusia duhet të marrë masat e nevojshme. Krijimi i një kontakti të drejtpërdrejtë mes Turqisë dhe Rusisë është një hap i mirëpritur. Bëj thirrje për gjakftohtësi. NATO mbështet tërësinë territoriale të aleatit të saj. Ndërkohë që vendet anëtare të NATO-s vazhdojnë të forcojnë kufirin e Turqisë është marrë vendimi për rritjen e pranisë së avionëve monitorues AWACS në dhjetor. Ky vendim është marrë përpara zhvillimit të kësaj ngjarjeje”, ka deklaruar ai.
Turqia e ka akuzuar sërish Rusinë për shkelje të hapësirës së saj ajrore, të premten kur një avion rus ka fluturuar pranë kufirit me Sirinë. Ministria e Jashtme turke e ka paralajmëruar Kremlinin zyrtar se do të “përballet me pasojat” nëse vazhdon me shkelje të tilla. Moska ka reaguar menjëherë duke i përshkruar të tilla pretendime si “propagandë e pabazuar”. Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar së tepërmi që prej nëntorit, kur për shkak të shkeljes së pretenduar të hapësirës së saj ajrore, Turqia hapi zjarr dhe rrëzoi një avion rus. Moska, ndërkaq, ka nisur që prej shtatorit të vitit të kaluar sulme ajrore mbi Siri, aty ku ka vendosur nën shënjestër forcat rebele që luftojnë kundër qeverisë së Presidentit, Bashar al-Assad, një aleat i Putinit.
Së paku 33 persona kanë vdekur nga pasojat e përmbysjes së anijes së tyre në brigjet e Turqisë, derisa po përpiqeshin të shkonin në Greqi. Zyrtarët nga Turqia kanë thënë se 75 persona të tjerë janë shpëtuar, por kanë frikë se mund të ketë edhe viktima të bllokuara brenda në anijen që është fundosur. Organizata Ndërkombëtare për Migrim thotë se më shumë se 250 persona kanë vdekur vetëm në muajin janar duke u përpjekur të hyjnë në Evropë. Kjo organizatë thotë se gjatë tërë vitit 2015, 805 persona kanë vdekur si rezultat i përmbysjes së anijeve apo barkave në brigjet turke apo greke. Më shumë se një milion emigrantë kanë hyrë përmes detit, gjatë vitit të kaluar në Evropë. Migrantët vijnë kryesisht nga Siria e shkatërruar nga lufta, por edhe nga Iraku dhe Afganistani. Në Turqi aktualisht gjenden rreth 2.5 milionë refugjatë nga Siria.