Si pasojë e pandemisë COVID-19, deri në 50 mijë qytetarë të Kosovës mund të humbin vendin e punës, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Në mënyrë që vendet e punës të mos shuhen, intervenimi i Qeverisë së Kosovës për të përkrahur bizneset është i domosdoshëm, thekson ai. Ekonomia e Kosovës, sipas OEK-ut, gjatë muajve të mbylljes (13 mars – 1 qershor) ka shënuar humbje deri në 10 milionë euro në ditë, ndërkohë që humbjet po vazhdojnë pasi që në fuqi vazhdojnë të jenë ende masat kufizuese për parandalimin e koronavirusit.
