Ndryshe nga politikanët e Kosovës që kanë avancuar Serbinë në rrugën e saj për t’u bërë pjesë e BE-së, kroatët, rumunët e bullgarët kanë nisur të kushtëzojnë Beogradin. Në Bukurusht e Sofje po kërkohet edhe zyrtarisht nga Serbia që të avancojë të drejtat e pakicave vllehe dhe bullgare, përkatësisht përfaqësimin e tyre në institucionet shttetërore. Këto dy shtete e kanë përkrahur Kroacinë në përpjekjet për të kushtëzuar hapjen e kapitullit mbi gjyqësorin dhe sundimin e ligjit me suprimimin e ligjit mbi juridiksionin universal për krime lufte , përmirësimin e pakicës kroate dhe përmbushjen në tërësi të bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës. Kështu, bullgarët dhe rumunët kanë nxjerrë në sipërfaqe kërkesat për shtimin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të tyre në të gjitha organet e administratës shtetërore në Serbi. Si Shqipëria ashtu edhe Kosova asnjëherë nuk i kanë vënë kushte Beogradit për të avancuar gjendjen e shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kjo vetëm sa po i hap rrugën politikës represive të Beogradit ndaj shqiptarëve të Kosovës Lindore, të cilët edhe pse në numër janë më shumë sesa serbët në Kosovë, praktikisht nuk gëzojnë kurrfarë të drejte.
