Skënder Çeku

Ryzhdi Baloku: Në verë të vitit 1998 lufta e kishte përfshirë gati tërë Dukagjinin

(Me rastin e 19 vjetorit të betejës së Loxhës dhe rënies së Skënder Çekut, Hero i Kosovës, pjesë nga libri: Udhëtim nëpër vitet dramatike shqiptare)

Ndonëse brenda në Pejë, edhe pse nuk kishte luftime gjendja ishte e tendosur me lëvizje të shpeshta të trupave serbe që ishin pajisur me mekanizma luftarakë dhe nga çasti në çast dukej sikur të ishte para shpërthimit. Në qytet ndihej atmosfera e luftës, derisa në Loxhë lufta pothuajse që ia kishte filluar. Në këtë fshat që graviton në periferi, shumë afër qytetit, gati nga të gjitha anët e Dukagjinit ishin paraqitur vullnetarë për ta mbrojtur, duke u inkuadruar në UÇK. Aty ishin radhitur edhe shumë djem trima nga Peja.

Shtëpia e familjes së Mentorit në Loxhë ishte shndërruar në depo armësh të sjella nga Shqipëria, të cilat më herët ishin paraparë për mbrojtje në Pejë, mirëpo tani koha nuk jepte afat, të gjitha këto duhej shfrytëzuar në Loxhë.

Muaji korrik i vitit 1998, bënte vapë, arrinin temperatura të larta. Në njërën anë ishte përqendruar ushtria çlirimtare e Kosovës e ndihmuar prej disa zonave, e që në tri pika kishin vënë në veprim nga një armë kundërajrore të quajtur ”gulinov” nga të cilat një ishte paraparë të qëndronte statike në një vend strategjik dhe dy të tjera të jenë lëvizëse të montuara mbi automjete.

Në anën tjetër gjithnjë e më tepër përqendrohej ushtria, policia dhe paramilitarët serbë që përgatiteshin ta sulmojnë fshatin në tri drejtime. Një drejtim i sulmit parashihej të vepronte prej anës së krahut të qytetit përmes lagjes Dardania, tjetri nga krahu i drejtimit prej fshatit Raushiq, si dhe i treti nga drejtimi i fshatit Gorazhdec që banohej tërësisht me popullatë serbe.

Trimat e UÇK-së kishin ngjeshur radhët duke u pozicionuar në istikame, me një moral të lart atdhetarie. Ishte afruar koha për jetë apo vdekje.

I gjithë arsenali luftarak i artilerisë dhe këmbësorisë serbe kishte arritur, vetëm pritej çasti që të zbrazej mbi këtë fshat.

Qarkullimi i trupave serbe nëpër qytet ishte shpeshtuar, ata lëviznin me automjete të ndryshme motorike.

Pothuajse të gjithë serbët e malazezët e aftë për luftë ishin të veshur në uniforma policore apo ushtarake. Kishin arritur edhe trupat vullnetare të Arkanit, Sheshelit e Drashkoviqit.

Uniformat e kamuflazhit ishin dy llojesh, disa me ngjyrë të kaltër e disa ngjyrë ulliri në të gjelbër, të përzier me ngjyrë kafe. Disa nga ata në dorë apo krah mbanin nga një shirit, me ngjyrë të kaltër ose me ngjyrë të kuqe.

Shumica e tyre i kishin vizatuar fytyrat me ngjyra të ndryshme dhe dukeshin si komando. Disa të tjerë mbanin maska të ngjitura për fytyrë me vizatime të ngjyrosura si të parët, që vështirë ishte për t’i identifikuar.

Me 6 korrik të vitit 1998 forcat militare serbe e nisën ofensivën e parë kundër këtij fshati, së pari me gjuajtje nga artileria e rëndë. Lufta filloi, duke u intensifikuar me shtimin gjithnjë e më të madh të trupave serbe që kishin arritur.

Loxha sulmohet me të gjithë arsenalin ushtarak jugosllav, si: pushkë, automatikë, armë kundërajrore e quajtur ”gulinov”, topa artilerie të kalibrit të rëndë, tanke, automjete të ndryshme të blinduara, ”praga”, raketa të quajtura ”kaçusha”, raketa me teledirigjim dhe armë tjera konvencionale.

Krisma ndihej në të gjitha anët, serbët kishin filluar t’u afrohen pozicioneve të UÇK-ës, nga afër iu ndihej edhe zëri që flisnin në serbishte, ndërsa në anën e shqiptarëve u ndihej  britma ”mos leni burra”.

Loxha u bë arenë beteje si ajo në fushë të Kosovës e vitit 1389, por tani në mes të forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe në njërën anë si agresorë dhe në anën tjetër e vullnetarëve shqiptarë të inkuadruar në UÇK që ishin radhitur në mbrojtje të këtyre trojeve dhe të kësaj popullate.

Bënin luftë shqiptarët me serbë e malazezë si në vitin 1912 kur ishte sulmuar Kosova dhe viset tjera shqiptare.

Herë pas here ndihej ushtima nga gjuajtja e topave, buçitnin granatat dhe fishkëllenin raketat sipër pozicioneve të trimave shqiptarë.

Djemtë e Pejës dhe të rrethinës ishin pozicionuar në vijat e para të frontit. Nuk pushonte rrebeshi i plumbave në drejtim të armikut dhe ndihej britma: ”O prite djalë prite, mos leni djem të na hyjë shkau”.

Serbët në anën tjetër tentonin të depërtojnë, por kot, nuk po i lëshonin djemtë sokola që kishin lidhur besë si në kohën e Skënderbeut, që për këtë tokë të Kastriotit me e dhanë jetën.

Serbët si kuçedra duke qitur tym e flakë me arsenal luftarak tokësor të të gjitha llojeve, tentonin për ta thyer rezistencën e luftëtarëve shqiptarë që i kishin dalë zot atdheut e luftonin si dragonj.

Shqiptarët që të inkurajohen mes veti e t’ia dëgjojnë zërin njeri tjetrit, në mënyrë që të kuptojnë se a janë mirë, gjatë kohës së luftimeve, kohë pas kohe këndonin këngën: ”Besa besë, besën ta kamë dhanë, për Kosovë jetën du m’e  dhanë …”

Gjatë këtyre luftimeve, aty plagosët rëndë Labinoti njeri prej dy vëllezërve që ishin pozicionuar njeri pranë tjetrit në vijën e parë të frontit. Në ato momente të vështira kur predhat binin pa ndërprerë Kreshniku mundohet t’ia lidhë plagët, mirëpo pasi e sheh se nuk ka rrugëdalje tjetër, nëpër breshëri plumbash e bart të vëllain në shpinë dhe e largon në vend më të sigurt për t’ia dhënë ndihmën e parë, derisa Memli nuk e ndalte së qituri rrebeshin e plumbave.

Bardhyli që ishte i këtij fshati dhe e njihte terrenin,  kishte vendosur ”gulinovin” në një pozicion strategjik që konsideronte se do t’i pengojë forcat serbe të depërtojnë në drejtim të Loxhës, ndërsa Nexhmedini me ”gulinov” që e kishte vendosur mbi makinë të tipit Xhip, lëvizte herë në një anë, e herë në anën tjetër duke lëshuar rrebeshe plumbash.

Me një rast gjatë lëvizjeve të shpeshta të njërës nga makinat ku ishte vendosur ”gulinovi” për shkak të terrenit të papërshtatshëm mbi të cilin kalon automjeti, duart e trimit lëvizin dhe tyta ngritët më lart, kështu që nja dy rrebeshe plumbash të saj fluturojnë përtej vijës së cakut. Këta plumba ”gulinovi” fluturojnë deri në lagjen e Kalasë, e disa edhe deri në qendër të Pejës, por për fat pa viktima civilësh në qytet.

Në një anë Hakiu me snajper e kërkon cakun e duhur, derisa Avniu me breshëri plumbash nuk ia lë vendin armikut. Diku më andej nga kasetofoni ndihej kënga për Adem Jasharin dhe UÇK. Rafalët nuk prajnë. Më tutje Shaqa thërret: ”O djem bjerini shkaut bjerini, o mëshojuni bijve t’shkines, e mos ju leni vendin”. Herë pas here në qiell ngjiteshin re tymi nga detonimet e predhave.

Pos djemve të Pejës me rrethinë që i kishin zënë pikat strategjike për ta parandaluar depërtimin e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë, këtu ishin pozicionuar edhe shumë luftëtarë tjerë nga anët e ndryshme të Dukagjinit.

Në këtë ofensivë, serbët kryesisht përdorën armatim artilerie, si: tanke e topa të kalibrave të ndryshëm. Mirëpo kësaj here për sulm nuk e përdorën aviacionin.

Në këtë luftë të ashpër ranë dëshmorë edhe një numër ushtarësh trima të UÇK.

Përkundër epërsisë në armatim që kishin serbët, këtë betejë e fituan shqiptarët. Këtu thyhet miti serb për pathyeshmërinë e ushtrisë së tyre.

Pos shumë paramilitarëve, policëve e ushtarëve serbë të vrarë, në këtë betejë vritet edhe krye polici Peroviq nga Peja. Nga emri UÇK serbët tani e ndienin frikën në palcë.

E gjithë kjo nuk mbetet me kaq. Në shenjë hakmarrjeje serbët vrasin shqiptarë në Pejë duke iu hyrë edhe nëpër shtëpi.

Pas kësaj humbjeje, serbët përgatiten për sulmin tjetër kundër këtij fshati. Sulmi i dytë nis me 11 korrik,  pesë ditë pas ofensivës së parë. Në këtë ofensivë gjatë sulmeve, serbët tentojnë t’i tërheqin kufomat e pjesëtarëve të vet që ishin vrarë në ofensivën e parë brenda territorit të kontrolluar nga UÇK, por edhe kjo ofensivë nuk iu bëri punë.

Edhe pse në këtë ofensivë kishte të plagosur e të rënë dëshmorë, numri i serbëve të vrarë ishte përsëri disa herë më i madh. Tani serbëve iu ra morali luftarak në tërësi, gjë që shihej gjatë qarkullimit të automjeteve të tyre nëpër rrugët e qytetit, ku vëreheshin me shishet një litërshe duke u endur nga dora në dorë dhe duke pirë raki. Nganjëherë zbritnin nga automjeti dhe e rrihnin ndonjë kalimtar të vetmuar të rastit. Në këto rrethana afër rrokaqiellit e rrahën Faikun.

Serbët nuk ndalen më këtë dhe përsëri u përgatitën për ofensivë tjetër. Kështu duke e ditur se çka po përgatitet kësaj here, nga Loxha shumica e forcave të UÇK-së bëjnë tërheqje nga fshati së bashku me popullatën e mbetur civile shqiptare.

Ofensivën e tretë serbe, mbesin për ta pritur një numër i ushtarëve të Ramushit. Këta luftëtarë të UÇK-së që qëndruan në mbrojte të këtij territori në krye me Skënderin, ishin në numër jo të madh, e të pamjaftueshëm për ta përballuar ofensivën që po e përgatitnin serbët. Mirëpo, me moralin më të lartë kishin vendosur të përballën edhe kësaj here me ta, derisa t’iu ep Zoti fuqi.

Pas 35 ditë riorganizimi nga fillimi i ofensivës paraprake, forcat serbe ofensivën e tretë e fillojnë me 15 gusht, por kësaj here sulmin kundër Loxhës e fillojnë me përdorim të aviacionit.

Derisa artileria dhe këmbësoria serbe e kishte rrethuar këtë vend, qielli mbi fshatin Loxhë u mbulua nga aeroplanët luftarakë. Helikopterët luftarakë shihen të ngritur mbi varrezat e Kakariqit dhe lagjen e Kalasë në Pejë, që nga largësia hidhnin raketa pa pra mbi këtë vend, nga ana tjetër mbi Loxhë aeroplanët nga lartësia qiellore lëshonin bomba, njërën pas tjetrës, pa ia nda.

Gjëmimi i topave nuk ndalej, në qiell ngjitej tym e pluhur, rrënohej fshati nga granatimet, ndërsa luftëtarët trima të UÇK-ës që ishin mbetur për ta mbrojtur këtë vend, tani ishin rrethuar në të katër anët prej forcave serbe.

Trimat e UÇK-ës rezistuan duke zhvilluar një luftë të ashpër dhe të pabarabartë. Në këtë betejë plagoset rëndë Skënderi.

Me formën e luftës serbe të ”tokës së djegur” me teknikë luftarake të një epërsie të konsiderueshme nga ajri e toka, përkundër kësaj rezistence heroike, luftëtarët e UÇK-ës, e vërejnë se forcat janë të pabarabarta, prandaj vendosin të tërhiqen së bashku me të plagosurit. Arrijnë të dalin nga rrethimi për t’i vendosur të plagosurit nëpër spitale të improvizuara të UÇK-ës jashtë këtij territori.

Përkundër angazhimit të mjekëve shqiptarë të UÇK-ës, që t’ia shpëtojnë jetën nga plagët e marra, Skënderi pas dy ditësh ndërron jetë për të mos u harruar, duke u radhitur me shkronja të arta në historinë e lavdishme të kombit shqiptar.

Pas kësaj lufte si hakmarrje për humbjet që kishin pësuar forcat serbe gjatë kësaj ofensive dhe atyre të mëhershme, vendosin që këtë vendbanim shqiptar ta zhdukin nga faqja e dheut. Si zakonisht që bënin, së pari iu qasën plaçkës. E vodhën pasurinë nga shtëpitë e fshatit në tërësi, që pastaj ajo u bart me automjete policore në formë të organizuar duke i shkarkuar ato në stacionin policor të Pejës. Ajo çka mbeti pa u plaçkitur prej policëve, u plaçkit nga serbët e Gorazhdecit dhe nga disa romë që jetonin afër këtij vendi.

Në hyrje të stacionit policor të Pejës, publikisht ndalonin automjetet për ta shkarkuar prenë e plaçkitur, për ta bartur brenda objektit policor. Zakonisht me dhunë për hamall pa kompensim, i angazhonin ”dilerët e devizave” që e shkarkonin mallin nga automjetet duke e bartur një pasuri të tërë me: radio e TV aparate, video rekorderë, antena satelitore, kamera, shara motorike, aparate të ndryshme amvisërie dhe gjëra tjera me vlerë.

Pasi banorëve iu vodhën pasurinë, i filluan rrënimet e shtëpive të mbetura të fshatit dhe të mureve që i rrethonin ato, duke i rrafshuar për tokë me ekskavator gjigant. Rrënuan edhe xhaminë e fshatit.

Pas këtyre rrafshimeve, këta barbarë propagandonin se ky vend këtu më nuk do të banohej prej shqiptarëve dhe se ky vend do të quhet me emërtimin ”ravno pole” që në shqipe mund të përkthehet si: fushë e rrafshët.

Lufta tani e kishte përfshirë gati tërë Dukagjinin. Çdo kund ku ziheshin shqiptarët, që ishin banorë të zonave ku luftohej, pa marrë parasysh se ku ishin gjendur, me të shikuar të lejes së identifikimit nga ushtarët, policët apo paramilitarët serbë, merreshin si pengje lufte nën pretekst se kanë zënë ”terroristë”. Disa prej të zënëve peng, aty për aty vriten, të tjerët i torturojnë për vdekje nëpër burgje. Për paramilitarët serbë ishte e mjaftueshme të jesh shqiptar, për pretekst të ekzekutimit.

 

Pjesë nga libri: Udhëtim nëpër vitet dramatike shqiptare.

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …