Ruzhdi Hajdini-Gjaka 1955-2014

Ruzhdi Hajdini-Gjaka 1955-2014

Ruzhdi Hajdini, njëri ndër flamurtarët e parë të Republikës së Kosovës, ka lindur në vitin 1955 në fshatin Miroc të komunës së Besianës, (ish-Podujevë). I takonte një familjeje me tradita atdhetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen në Prishtinë.  Qysh i ri me qëllim për ta ndihmuar familjen inkuadrohet në punë. Një kohë ka punuar në një hotel të Prishtinës.

Në fillim të demonstratave të marsit e prillit të vitit 1981, duke parë sesi forcat policore po torturonin madhe edhe po i vrisnin mizorisht shqiptarët liridashës që kërkonin “Republikë-Kushtetutë”, atij i lind ideja për të rrëmbyer armët.

Më 2 prill të vitit 1981  së bashku me Sami Lecin, Zijadin Hoxhën, Vehbi Lecin, Osman Krasniqin Ibush Kelmendin, Agim Selmanin, Hajrullah Dragushën, Agim Lecin e shumë të tjerë  kishte ngritur një barrikadë në Besi dhe me ndihmën e shumë protestuesve u kishte rrëmbyer armët policëve rezervistë që vinin nga Serbia në Kosovë për ta shtypur kryengritjen e marsit dhe prillit të atij viti.

Ruzhdiu ishte i pari që i rrëmbeu armën një rojtari të një objekti dhe me atë armë së bashku me protestuesit e tjerë filluan të ndalojnë veturat dhe automjetet ushtarake të njësive rezerviste serbe që po vinin nga Serbia  me qëllim për t i shtypur protestuesit…

Në aktakuzën e ngritur nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës kundër grupit të parë të të rriturve K. 147/ 81, më 13. 8. 1981, ndër të tjera thuhet:  “Më 2 prill 1981, në rrugën e asfaltuar Prishtinë-Podujevë, prej rrugës “Jabllanica” të Prishtinës e deri në fshatin Besi, KK Prishtinë, në kushte veçanërisht të rënda: Ruzhdi Hajdini, Sami Leci, Zijadin Hoxha, Vehbi Leci, Osman Krasniqi, Ibush Kelmendi, Agim Selmani dhe Agim Leci kryen vepra penale të drejtuara në: rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore, minimin e rregullimit shoqëror ekonomik, minimin e sistemit shoqëror politik, thyerjen e bashkim vëllazërimit, prishjen e barazisë së kombeve e kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të Jugosllavisë. Ky grup demonstruesish me forcë ia morën pushkën me 5 fishekë rojtarit të OPB-së “Bisernica”, pastaj këtë pushkë ia drejtuan vozitësit Ilija Xhelatoviq, të cilit ia morën veturën dhe u drejtuan në OPB “Higjeno-Teknika”, ku po ashtu rojtarit me forcë ia marrin pushkën e gjuetisë me 3 fishekë…. Pastaj në rrugë për në Besi, me gurë dhe mjete të tjera i dëmtuan automjetet e punëtorëve të sigurimit… iu kundërvunë me forcë punëtorëve të sigurimit dhe forcave të tjera, që vepronin në shpërndarjen e demonstratave. Ata e vendosin flamurin kombëtar shqiptar në një shtyllë elektrike, këpusin lidhjet telefonike dhe brohorasin:

 “Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”!

“Lironi shokët nga burgu”

“Trepça punon për të tjerët”.

 Gjithnjë duke përdorur forcën, ky grup ndaloi kamionin FAP me targë: Pr. 262 – 83 dhe me të shkojnë në fshatin Lebane. Aty i japin zjarrin automjetit të markës mercedes, pronë e një ndërmarrje të Nishit me targë: NI 111 382. Këtij kamioni të ngarkuar me mall ia dhanë zjarrin. Po atë ditë ata kryen edhe shumë vepra të tilla penale në fshatin Besi…. Më 3 prill 1981, të armatosur me dy pushkë automatike dhe një pushkë të gjuetisë u tubuan në vendin e quajtur “Te Qukat” te Mulliri i Pashës, ku më vonë u shpërndanë në drejtime të ndryshme. Këtij grupi militant ndërkohë i bashkohen edhe Hajrullah Dragusha e të tjerë…”

 Aktakuza përshkruan veprat e këtyre militantëve të parë të Republikës së Kosovës. Ata veprojnë në mënyrë të organizuar, demonstrojnë kërkesën tashmë plebishitare për Republikën e Kosovës, shkrepin plumba mbi veturat e policisë, por nuk vrasin njerëz, madje as policë as bashkëpunëtorë të tyre. Pastaj në aktakuzë përshkruhen edhe veprime të tjera, “të inkriminuara”, sikur ishte rasti i marrjes së bukës nga një kamion, me qëllim për t’ua shpërndarë qindra protestuesve, të cilët nuk largoheshin nga barrikada. Ata zënë rrugën, ndalojnë automjetet dhe legjitimojnë udhëtarët. Të ardhurve të paftuar nga Serbia ua marrin automjetet, të cilat i vendosin në barrikada. Të ndaluarit as i rrahin, as i maltretojnë, por ju bëjnë me dije se herën tjetër duhet të marrin me vete “pasaportat” e Republikës së Kosovës…

Këto janë shkurtimisht veprat “penale” që kishte kryer ky grup militant më 2 dhe 3 prill të vitit 1981, në kohën kur zemërimi popullor kishte shpërthyer fuqishëm dhe tërë mllef kundër padrejtësisë, në ditët kur shpirti kryengritës i rinisë shqiptare kishte marrë hapin historik për krijimin “me hatër ose me luftë” të Republikës së Kosovës. Pjesëtarët e këtij grupi nuk i kanë mohuar veprimet e tilla, të cilat i kanë ushtruar në shenjë revolte kundër forcave policore dhe ushtarake të RSFJ-së, që kishin vrarë demonstruesit paqësorë mu në qendër të Prishtinës. Ata kishin synuar të krijonin bërthamën e parë të armatosur çlirimtare, por gjatë një afati të shkurtër kohor ishin arrestuar nga policia. Për këto ngjarje të cilësuara si vepra të rënda penale, të drejtuara kundër RSFJ-së, në shqyrtimin kryesor verbal, publik, në prani të prokurorit Publik të Qarkut të Prishtinës, Pjetër Kola, në prani të akuzuarve dhe mbrojtëseve të tyre, më 31 gusht 1981, Gjykata mori këtë aktgjykim dhe dënoi me burg:

Ruzhdi Hajdini, nga fshati Miroc, 25 vjeçar, i cili u dënua me 15 vjet burg.

Sami Leci nga fshati Barilevë, 20 vjeçar, u dënua 14 vjet burg.

Zijadin Hoxha nga Prishtina, 20 vjeçar, u dënua 15 vjet burg.

Vehbi Leci nga Barileva, 18 vjeçar u dënua 12 vjet burg.

Osman Krasniqi nga Bërnica e Epërme, 10 vjet burg.

Ibush Kelmendi nga fshati Prugoc, u dënua 10 vjet burg.

Agim Selmani nga Barileva, 13 vjet burg.

Agim Leci, po ashtu nga Barileva, u dënua 12 vjet burg.

Hajrullah Dragusha nga Prugoci dënohet dy vjet burg, pasi paraprakisht ishte modifikuar aktakuza kundër tij.

Në arsyetim të shqiptimit të dënimeve të tilla drakonike, Gjykata e Qarkut në Prishtinë në kolegjin e përbërë nga: Ismet Emra, kryetar, Slobodan Zhivkoviq, anëtar, Azem Eminiporot, Lubisha Miçiq dhe Qazim Goxhufi anëtarë… shkruan se nga të dhënat rezulton se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, të cilat janë të përshkruara në dy petitume të kësaj aktakuze, veprime këto që janë të inkriminuara dhe ekzekutorët janë penalisht përgjegjës, andaj në veprimet e tyre plotësohen të gjitha tiparet e figurave të veprave penale nga neni 114 të LPJ-së dhe që përkrah ashpërsisë së manifestuar gjatë veprimit armiqësor duhet të ndëshkohen sipas nenit 139 të Ligjit Penal të Jugosllavisë….

Me këtë rast ishte dënuar 12 vjet burg, i riu Agim Leci, i cili sapo kishte mbushur 18 vjet. Vetëm për disa ditë kishte kaluar kufirin ligjor dhe ishte dënuar si i rritur dhe jo si i mitur, sikur ishin dënuar edhe disa nxënës, që ua kishin rrëmbyer pushkët disa rezervistëve serbë. Ky ishte grupi që asokohe u dënua me shkallën maksimale të dënimit, që parashihnin ligjet e RSFJ-së në atë kohë. Ndërsa të dënuarit ishin keqtrajtuar mizorisht, si gjatë periudhës së hetimeve, ashtu edhe gjatë kohës së mbajtjes në burg. Dhuna e ushtruar kundër këtyre militantëve të Republikës, i kaliti edhe më tej ata. Inspektori kryesor i SPB-së në lëndën e këtij grupi ka qenë Gjergj Berisha.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë, Ruzhdi Hajdinin e dënon 15 vjet burg dhe nga Burgu i Prishtinës në vitin 1982 e depërtojnë   për ta vuajtur dënimin në Burgun e Qarkut të Suboticës, ku është mbajtur deri në vitin 1990. Pas kthimit nga burgu nuk gjen dot punë të përhershme për shkak se trajtohej kundërshtar i rrezikshëm i regjimit jugosllav.

Pas luftës i kthehet punës në hotelieri, ndërkohë pranohet në punë në Ministrinë e Administratës Publike, ku ka punuar deri në qershor të vitit 2014.

Vdiq në Prishtinë, më 19 qershor 2014.

Me rastin e vdekjes një telegram ngushëllimi familjes së Ruzhdi Hajdinit i ka dërguar edhe ish kryeministri  i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi.

Në telegram thuhet: Vdekja e parakohshme e Ruzhdiut është humbje e madhe për familjen, për miqtë si dhe për institucionet në të cilat punoi. Ruzhdiu ishte një ndër veprimtarët më të dalluar të viteve ‘80, vite në të cilat lëvizja kombëtare në Kosovë mori hov të madh, që më në fund u kurorëzua me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …