Tashmë në përvjetorin e tetëmbëdhjetë, po e kujtojmë Masakrën e Reçakut. Po e kujtojmë me dhembje dhe krenari të kaluarën tonë, këtë ditë, kur ishim bërë bashkë, kudo që ishim, për të paguar çmimin për ÇLIRIMIN E KOSOVËS. Koha kërkonte sakrifica. Ne ishim gati, që me jetën tonë të rreshtoheshim në vargun e madh të sakrificave e vetëmohimeve, që ishin bërë shumë e shumë dekada para nesh, dhe po vazhdonin të bëheshin edhe gjatë luftës 1998-1999. Tanimë e keqja, dhuna, vrasjet, gjenocidi, poshtërimet e mohimi i vlerave sublime të lirisë, për një popull dhe zhbërja e Kosovës nga satrapi i Ballkanit-Millosheviq, po kulmonte në Reçak më 15 janar 1999, me vrasjet gjenocidale të 42 qytetarëve; fëmijë, të rinj, gra e pleq, të cilët paraprakisht ishin nxjerrë nga shtëpitë e tyre, pastaj, shumica e tyre ishin ekzekutuar mbi fshat. Disa reçakas të tjerë ishin ekzekutuar rrugicave e vendeve të tjera nëpër fshat. Nga policia e ushtria serbe ishin plagosur po kështu dhjetëra civil në fshat. Ky krim nuk ishte as i pari e as nuk do të mbetej i fundit në Kosove. Krimet serbe dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë do të vazhdojnë deri në Çlirimin e Kosovës dhe hyrja e Forcave të NATO-s/KFOR-it, më 12 Qershor 1999 në Kosovë.
Këto ishin kohë tjera. Në Evropë, Amerikë e vende tjera të vlerave perëndimore, humanizmi, liritë universale dhe të drejtat e njeriut ishin parime thelbësore të vendosura në doktrinën filozofike të udhëheqjes së këtyre shteteve. Kjo ishte koha e teknologjisë, koha e vlerave të demokracisë, koha e informatës dhe koha e diplomacisë. Mashtrimet serbe dhe doktrinat “filozofike” mashtruese për dekada me radhë, të mbështjella me falsifikime historike kundër shqiptarëve do të binin poshtë. Maskat serbe para opinionit botërore më në fund do të hiqeshin, në Reçak më 15 janar 1999.
Në tetor 1998 në bazë të Marrëveshjes Millosheviq-Hollbruk, në Kosovë ishte ardhur Misioni Verifikues i OSBE në krye me Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin William Walker, për të përcjellë, zhvillimet në teren dhe kthimin e forcave të ushtrisë serbe nëpër Kazerma.
Forcat tankiste dhe të artilerisë së rëndë të ushtrisë serbe të pozicionuara në Pishat e Shtimes, në një distancë ajrore më pakë se 500 metra nga fshati Reçak, pas tërheqjes nga ky pozicion në dhjetor 1998, duke shkelur marrëveshjen ishin rikthyer në fillim të janarit 1999, prapë në këtë pozicion. Qëllimi dihej, ishte ogurzi. Ky obstruksion i bërë ndaj marrëveshjes së kthimit të forcave të ushtrisë serbe në kazerma, dhe ky krim gjenocidal mbi qytetarë të pafajshëm në Reçak nuk do të kalonte, pa u ndëshkuar nga opinioni publikë ndërkombëtar.
Këto ishin skena të trishta, që kishin tmerruar edhe Misionin e OSBE-së. Ambasadori Volker deklaroi se “ky është krim kundër njerëzimit”. Obstruksioneve dhe mashtrimeve serbe u kishte ardhur fundi, Serbia nuk do ta lejonte varrimin e lirë të masakruarve i paraparë, më 17 janar në Reçak dhe do të fillonte lojën për fshehjen e krimit, me rastin e marrjes së kufomave me luftime në mes UÇK-së dhe forcave të ushtrisë dhe policisë serbe gjoja për “obdukcion”. Qëllimi ishte plasimi i rrenave dhe mashtrimit të radhës për manipulimin e opinionit publik. Këto manipulime vazhdojnë me javë të tëra dhe kërkesat e Këshillit të Varrimit të Masakruarve të Reçakut nuk ishin përmbushur nga pala serbe, ku nuk ishte lejuar një hetim i pavarur nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës në Reçak, për krimin e kryer nga serbët, nuk ishin larguar forcat serbe nga Çesta e Reçakut dhe fshatarëve nuk u ishte lejuar varrimi në tokën e tyre në Çestë të Reçakut. Janë të freskëta kujtimet tona me rastin e zvarritjes së kufomave spitaleve dhe korridoreve të QKU- së në Prishtinë. Kështu do të kalojnë më tepër se tri javë dhe me 11 shkurt 1999 familjarët në Reçak do të ndahen fizikisht nga të dashurit me rastin e organizimit të madh të një ceremonie mortore të varrimit. Ky nuk ishte një varrim i thjesht. Përderisa Prekazi kishte bashkuar shqiptarët rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë për ta luftuar okupatorin serb nga trojet tona, Reçaku kishte alarmuar bashkësinë ndërkombëtare, kishte aktivizuar Grupin e Kontaktik dhe ishte thirrur Konferenca e Rambujes më 6 shkurt 1999 në Rambullet të Francë. Reçaku bëri kthesën historike, në sensibilizim të opinionit botëror, hoqi maskat e Serbisë para opinionit publikë ndërkombëtar dhe bëri që veprimi politik-diplomatik ndërkombëtar përmes presionit publikë të shpejtohej lidhur me ndërprerjen e luftës në Kosovë dhe ndaljen e makinerisë vrastare të Millosheviqit.
Më 14 Janar-2017, përmes simbolikës inauguruese të Shtatores së Uliam Volkerit në Reçak, po japim mirënjohjen tonë të vogël, për burrin e veprës së madhe të vlerave universale të demokracisë dhe lirisë, të cilat i lëshuan rrënjët e tyre në këtë vend të vogël të Ballkanit.
Kriminelët serb të shumë masakrave gjenocidale të kryera në Kosovë, domosdo duhet të jen edhe pjesë e gjykimit, të Gjykatës së tashme Speciale, të ngritur për krimet gjatë luftës në Kosovë. Kriminelët po shëtisin të lirë dhe po mbrohen nga regjimi aktual serb. Edhe sot e kësaj dite ende nuk dihet për trupin e të pajetë të Sahide Metush Imerit e masakruar nga Forca Serbe, më 15 janar në Reçak. Është thirrje për ndërkombëtarë e vendorë se kjo drejtësi selektive sa më shpejt duhet evituar. Janë me mijëra të zhdukur dhe mijëra të vrarë e masakruar nga Serbia në Kosovë, ku drejtësia e vonuar për ta dhe shoqërinë kosovare të mos konsiderohet si drejtësi e mohuar.
Kthim mbrapa nuk ka. Është përvjetori i 18 i kujtimeve tona, janë shumë punë të pakryera. Kompleksi i Reçakut ende nuk ka mirëmbajtje, ende është i papërfunduar. Ne ende nuk e kemi as ndonjë “guidë” për vizitorët, madje diçka të tillë, nuk kanë as komplekset dhe vendet tjera historike dhe të shenjta të Kosovës. Në këtë drejtim nuk jemi në raport të mirë me kohën. Nuk kemi kohë për të humbur.
“ Serbi-dreqi i zi ma nuk do të kthehet në Reçak”, kështu e tha zoti Uliam Voker në një përvjetor në Reçak. Ndërkaq këto ditë tha se “jam i zhgënjyer nga kjo që shoh, pritjet e mija ishin krejtësisht tjera”. Prandaj nga këto që shohim dhe përmes kësaj që po kalojmë Reçaku thërret; në dije, unitet, drejtësi dhe zhvillim. Çdo ditë nga secili kërkohet së pari t`i luftojmë egot tona dhe të këqijat rreth nesh.
Mos na raft që të shohim zhvillime që “kënaqin armikun dhe zhgënjejnë mikun”. Përgjegjësitë natyrisht bien në udhëheqësit tanë në të gjitha nivelet e shtetit dhe ato të grupimeve politike, por edhe te të gjithë ne qytetarët që i amnistojmë veprimet dhe dukuritë negative që janë kundër Kosovës dhe të ardhmes sonë. Demonin e zi kurrë nuk do ta kemi në mes nesh, nëse ne nuk ia hapim portat atij. Të gjithë të rënët kudo në Kosovë dhe ata që prehën ne Reçak, do të prehën të qetë kur ne jemi të dinjitetshëm me punën dhe përgjegjësitë tona që kemi, t`ia bëjmë punën pa hile shtëpisë sonë të quajtur Kosovë.