Ruzhdi Jashari: Munish Ramadani( 1918 - 2009) një jetë e tërë në shërbim të dritës dhe diturisë

Munish Ramadani (1918 – 2009) një jetë e tërë në shërbim të dritës dhe diturisë

Është bërë e zakonshme që në “përvjetorë” të flasim në shenjë respekti dhe nderimi për pishtarët e dritës, për edukatorët dhe mësuesit e parë të shkollës shqipe, ndonëse fillet e saj janë shumë të hershme. Në institucionet arsimore,  7 marsi shënon “Ditën e mësuesit”. Por, alfabetin e shkruar me shkronja shqipe, mësuesit do të kenë nderin e zbatimit unik, në shkollat shqipe vetëm pas vitit 1908, nga Kongresi i Manastirit. Jemi të nderuar që të shpalosim pak kujtime në këtë drejtim, që sadopak brezat e tashme të njihen me përpjekjen e mësuesve se: sa e rëndë, sa e gjatë dhe plot sakrifica ishte rruga e tyre deri në ditët e sotme.

Janë të rralla figurat që me sakrificë për të tashmen dhe të ardhmen e popullit tonë të shumëvuajtur, pa liri njerëzore e kombëtare e shkruan pavdekësinë e tyre. I këtillë ishte Munish Ramadani i cili lindi me 7 tetor 1918 në Jezercin e rëngave dhe të krenarisë, në vendin e “Epopesë” dhe burrave të lavdisë, ku e kaluara e këtij fshati ishte përplot sakrifica dhe histori për liri kombëtare. Familja Limani, si kundërshtare e regjimit të kral-evinës serbe ishte detyruar të shpërngulej për në Shqipëri, në kohën kur shpërnguleshin qindra e mijëra banorë të Kosovës për Turqi Më 1929, i ati i Munishit, Limani, e kishte mësyrë Shqipërinë. Munishi si 11 vjeçar me lot në sy do ta linte Jezercin e dashur dhe shokët e fëmijërisë, por me ëndrra të pashuara për vendlindjen. Familja e Munishit ishte e dalluar në aspektin kombëtar, jo vetëm në këtë fshat por edhe më gjërë, për këtë, ushtria serbe në vitin 1912, e kishin arrestuar Ramën, (gjyshin e Munishit), babain e tij Limanin me vëllanë, Jahën dhe 16 bashkëfshatar tjerë, ku duarlidhur i kishin nisur për Ferizaj.

Ushtria serbe, në hyrje të fshatit Balaj, të komunës së Ferizajt e kishin ekzekutuar Ramën 62 vjeçar, ndërsa tjerët i kishin burgosur në Ferizaj. Në Shqipëri fillimisht ishin vendosur në Lushnje e Kamenicë të Lushnjes, por për shkak të kushteve të rënda dhe të prekur nga sëmundja e malarjes që po merrte jeta njerëzish, familja e Munishit do të vendosej në Pogradec, buzë liqenit pitoresk të Ohrit. I rrëmbyer nga sëmundja e malarjës, në Pogradec kishte vdekur vëllau 7 vjeçar Haliti i cili nuk i kishte mbijetuar kësaj epidemie.

Nga vjeshta e vitit 1929 deri më 1935 bashk me familje jetojnë në Pogradec nga punët e ndryshme që bënin; vëllezërit Smajli e Jakupi, i ati Limani dhe vet Munishi.

Munishi, ndonëse shumë i ri, kur kishte 11 vjet u bë krah i familjes, ai filloi punët si shërbëtor në familje agallarësh, e pastaj në punëtoritë e kohës, të punimit të tullave dhe tjegullave. Ai, në Pogradec do të kryej filloren pesëklasëshe, duke pasur fatin e pajisjes me edukatë dhe dije, nga dijetarët dhe patriotët e kohës.

Do të brumosej me nektarin e diturisë që sjellte shkolla e parë shqipe e Normales ë Elbasanit e ngritur më 1909, një vit pas krijimit të alfabetit të shkronjave shqipe të 1908-ës, në Manastir.

Gjithashtu mësusesit e Munishit kishin dije nga shkolla greke, shkolla turke dhe ajo çirilike, ku me pasion atdhe-dashurinë e përcjellnin për gjeneratat e reja, duke veçuar këtu mësuesit e tij të parë, si: Esat Minarollin, Banush Zhubin, Tushi Pashkon (vellau i Mitrush Pashkos-Mitrush Kutelit të Famshëm të letrave shqipe). Munishi këtu do njihte edhe Lasgush Poradecin, Nonda Bulkën, Asim Vokshin e shumë njerëz të mëdhenj të kohës, ku frymimi i tyre ndikoi edhe në formësimin, kalitjen dhe pjekjen e tij drejt shtigjeve të jetës.

Ky, mbase do të jetë fanar drite në ndriçimin e zik-zakeve të jetës dhe punës së Munishit në të mirën e popullit të shumë vuajtur. Pas Pogradecit familja e Munishit për 8 vite do të jetojnë në Fushë-Mbret të Elbasanit. Aty për, rreth 50 familje emigrantësh kosovar, Mbretëria e Ahmet Zogut, në vitin 1935, kishte ndarë nga 50 ari tokë për familje, ku ndër të njohur tjerë të respektuar do të jetë edhe familja e Shefqet Kapetanit nga Bainca e Drenicës.

Më 1939 Italia fashiste e okupon Shqipërinë, ky ishte një përjetim i rëndë për Munishin, i cili bashkë me 20 shokë tjerë kosovarë do ta kundërshtojnë me demonstrata të hapura. Më1943, Munishi martohet dhe si burrë i pjekur në moshë 25 vjeçare, vendos që të kthehet në Jezercin e tij të dashur. Në këtë kohë edhe vëllai i tij Smajli, kishte ardhur nga Shqipëria me shërbim në Prefekturen e Prishtinës. Me këtë rast Jezerci do të rinisë bashkë me Munishin kthesën e re në rrugëtim drejt dritës së diturisë, ndonëse përplot tragjedi, drama e të papritura nga regjimet e reja; fillimisht të italianëve, pastaj gjermanëve dhe pas 17 nëntorit të vitit 1944 (çlirimi i Ferizajt me rrethinë nga okupimi gjerman), të partizanëve dhe Jugosllavisë Titiste.

Veprimtaria kombëtare në shërbim të popullit dhe vendit

Okupimi i Kosovës në vitin 1941 nga italianët dhe gjermanët, solli ndryshime tek shqiptarët në Kosovë, veçmas në hapjen e shkollave shqipe dhe adminstratë civile, ku shkollimi në gjuhën amtare nuk pengohej. Nuk pengohej as flamuri dhe simbolet kombëtare. Përderisa nga ana tjetër, Shqipëria që ishte vet e robëruar, nuk mund t’u jepte liri viseve tjera që u bashkuan administrativisht me të.

Realisht ky i ashtuquajtur “bashkim”, ishte në funksion të qëllimeve e përfitimeve afat shkurtra të vet pushtuesve e jo të çështjes sonë kombëtare, kur dihej se gjeografia e atëhershme e Kosovës ishte ndarë dhe futur nën shumë administrime si: gjermane, italiane e bullgare. Por realisht shqiptarët në Kosovë nga regjimi serb, shumëfish më tepër ishin poshtruar, vrarë e dhunuar, deri në mohimin e të gjitha të drejtave, përfshirë gjuhën dhe shkollimin e tyre nga regjimi serb dhe regjimi i ri komunist.

Nuk harrohen shkëndijat e para të shkollës shqipe, që filloi të punojë me 7 mars 1887 në Korçë me mësuesin e saj, Pandeli Sotiri, e pasuar pastaj nga shkolla e Prizrenit në vitin 1889, me mësuesin Mati Logorecin, që si rreze drite shpërthyen në errësirën shekullore të kombit tonë. Mirpo pavarësisht rrethanave, Kosova nën okupimin e ri nga qeveria “Verlaci” e Shqipërisë nën pushtimin italian, me përkujdesjen e ministrit të arsimit Ernest Koliqit, në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosoves.

Ky ishte revolucion i vërtet në luftën për edukim, dije dhe dritë kundër territ.

I këtill ishte edhe kthimi i Munishit në vendlindje në Jezercin e tij të dashur, i cili krenar e faqebardhë i kishte mbijetuar regjimit gjakatar serb.

Pas kthimit nga Shqipëria, Munishi punoi si nëpunës në Komunën e Nerodimës, deri në shtatorin e vitit 1945, kur vullnetarisht, i ndihmuar nga këshilltarët e fshatit e hapi kursin e mësimit të shkrim leximit në Jezerc.

Me vetiniciative me ndihmën e Mulla Hamit Gutës, Munishi në tavanin e xhamisë së fshatit në vitin 1945, hapi dy klasë të fillores, duke vënë kështu themelet e para të shkollës shqipe në fshat. Ai, nga Mulla Hamit Guta do të merr në dorëzim nxënësit që vijonin mejtepin qysh nga viti 1943.

Lista e emrave të nxënësve të klasës së parë fillore në Jezerc ka 53 nxënës, të regjistruar në dhjetorin e vitit 1945.

Munishi në prillin e `47-ës emërohet Shef i Sektorit të Arsimit për Rrethin e Ferizajt.

Në këtë detyrë me përkushtim të jashtëzakonshëm e jep maksimumin e tij në hapjen e vatrave të diturisë në shumë fshatra, deri te zonat e thella malore, që shtriheshin në komunat; Ferizaj, Kaçanik e Viti. Vetëm gjatë vitit 1947/1948 hapën 18 shkolla.Munishi përveç ngritjes së shkollave ishte i përkushtuar edhe në sigurimin e kuadrit, përcjelljen dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Ai gjithashtu dha kontribut të veçant edhe në ngritjen kulturore, ku nën përkujdesjen e tij në vitin 1948 për herë të parë në Ferizaj themelohet trupa teatrore.

Për faktin e këtij angazhimi dhe thartimit të ideve patriotike në kohën kur ai ishte në migracion në Shqipëri dhe kursin pedagogjik të Prizrenit (1946), Munishi paraprakisht largohet nga partia, dhe në vendin e punës arrestohet më 2 shkurt 1949 në Ferizaj, me pretekst se “ky ishte informbyroist”.Asnjëherë ky preteks nuk ishte vërtetuar.

 

Burgosja dhe Goli-Otoku

Munishi me angazhimin dhe sukseset e tij i kishte zemëruar udhëheqësit partiak të kohës, ai ftohet nga sekretaresha ekzekutive e Komitetit te Rrethit në zyrën e saj më 2 shkurt 1949, me që rast i drejtohen tytat e armëve nga një operativist i UDB-ës dhe një polic, se: “në emër të popullit jeni i arrestuar”. Pas bastisjeve në banesën e tij në Ferizaj, Munishi futet në qeli burgu me një gjatësi 4m dhe mbi një metër gjerësi, me një dritare të vogël sipër derës së qelisë pa xham. Për 6 ditë, në këtë acar, ai nuk do të ketë as shtrojë e mbulojë, ku më vonë do t`ia sjellin një dyshek dhe dy batanije. Në qelin e burgut të Ferizajt mbahet 35 ditë, gjithsej në këtë burg do të qëndroi 7 muaj, ku asnjëherë nuk i ishin lejuar vizita nga familja.

Pastaj 5 ditë në burgun e Prishtinës, dhe prej aty me shumë të burgosur tjerë nga Kosova transferohën nën shkopitë e torturës në Ada-Ciganlia në Beograd.

Pas 5-6 dite të burgosurit ngarkohen në vagonë të transportit dhe nisën për në Rjekë.

Munishi ishte me pranga së bashku  me Hasan Shalën, drejtorin e gjimnazit të Prizrenit gjatë ngarkimit të tyre në një vapor i cili do të udhtonte 6 orë deri në ishullin shkëmbor të Goli-Otokut. Gjatë udhëtimit pamëshirshëm rriheshin me dru, u shkaktonin lëndime e rrjedhje currilash të gjakut, deklaron Munishi ne librin e tij “NJË JETË E TËRË KUJTIME” 2001.

Ky ishte grupi i dytë në këtë ujdhesë të cilët ishin sistemuar nëpër baraka nga 150 veta, që për shtrojë kishin dërrasat, ndërsa për mbulojë kishin pranuar nga dy batanije.

Të burgosurit kalojnë tortura të rënda deri në fund të vitit 1950, ku grupi prej 1000 vetave po përgatitej për një regjim pak më të lirë.

Në maj të `51 dërgohen për punë fizike në hekurudhën në ndërtim Breza-Varesh të Bosnje Hercegovinës, ku në fund të korrikut 1951 lirohen nga vuajtja e burgut. Asnjë dokument apo vendim gjykate, nuk i ishte dhënë Munishit nga asnjë organ i “pushtetit”, dhe për 30 muaj rresht familja kishin qenë pa njohuri për vend-ndodhjen e tij, kështu kishte ndodhur me të burgosurit e Goli-Otokut. Por hija që e kishte ndjekur deri në Goli-Otok, do t`i shkon pas Munishit edhe pas burgut, i cili do të jetë i “diferencuar” nga pushteti e partia, por asnjëherë nga populli dhe rrethi i bashkëfshatarëve të tij. Ai, pas burgosjes një kohë punoi në kooperativën bujqësore në Nerodime dhe, nga viti 1960 punoi si përkthyes në K.K në Ferizaj deri në pensionimin e tij më 1974.

Në drejtim të së ardhmes

Munishi ishte brengosur, kur kishte mësuar pas pensionimit më 1979 se, shkolla e Gjurgjedellit, të Kaçanikut, e ndërtuar me iniciativën e tij para burgosjes (1949), ende kishte mbetur pa dritare dhe e pameremetuar. Ai, pas vetes la veprën “NJË JETË E TËRË KUJTIME”, e botuar më 2001, e cila për nga përmbajtja, saktësia, besnikëria ndaj të vërtetës dhe kujtesa e regjistrimit të ngjarjeve; i jep fuqinë e një margaritari të rrallë, në thesarin e shkrimeve tona të kësaj ane.

Munishi ndërroi jetë më 26 mars 2009. Me këtë burrë të virtyteve të larta, krenohet Jezerci dhe Ferizaji me rrethinë. Munishi ishte i pari që shkolloi vajzat e tij, ku këtë shembull e ndjekin pa hezitim edhe hoxhallarët dhe bashkëfshatarët e tij. Nisur nga ky pishtar drite, Jezerci ka qindra të shkolluar, profesionesh të ndryshme, dhe me grada akademike të shpërndarë në Kosovë, jashtë saj dhe në diasporë. Vetëm familja M. Ramadanit ka dhjetëra të shkolluar me fakultete të ndryshme: Mjek, profesor, ekonomist etj. burra e gra, ku me përkushtim punojnë në shërbim të vendit dhe popullit. Mbase “stopi i ngritur” kundër nënshtrimit dhe okupimit do të del në vazhdimësi nga kjo familje. Ku “krushku” i radhës kundër okupimit, ishte nipi i tij, Agim Ramadani, i cili në vitet 80 burgoset, disa vite, për shkak të organizimit dhe pjesëmarrjes në demonstrata për Republikën e Kosovës. Jetish Kadishani, për Munishin, më `99, në Prishtinë, botoi librin; “PISHTARI I DRITËS”. Ndërsa në të përditshmet, “Rilindja”, “bujku” si dhe revistat “shkëndija”, “dielli” etj.u shkruan artikuj të ndryshëm për këtë burrë meritor, nga Mehmet Kajtazi, Behxhet Jashari, Jetish Kadishani etj.

Po e përmbylli këtë shkrim me një mesazh nga libri i Munishit i cili thotë: “Jam i vetëdijshëm se përpjekja për lirinë kombëtare nuk ka normë të caktuar, nuk ka kufizim, nuk ka çmim. Pra duhet sakrifikuar”.Andaj le të jet ky mesazh, për të gjithë ne. Ta kujtojmë për herë mundin e sakrificën e atyre para nesh dhe këtë “amanet” të këtij burri të urtë ta kem përherë në kujtesë.

 

Ruzhdi Jashari

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …