Ruzhdi Jashari

Ruzhdi Jashari: Plaçkitja dhe Shkatërrimi i Fondit Arkivor të Kosovës nga Serbia, para dhe gjatë luftës 1998-1999

(Fjala e mbajtur më  30 maj 201, me rastin e përurimit të tri botimeve të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës)

Plaçkitja dhe Shkatërrimi i Fondit Arkivor të Kosovës nga Serbia, para dhe gjatë luftës 1998-1999,Vepër që nderon IHKLK, vet autorin Svirca dhe Kosovën në tërësi.

Secili prej nesh do te nderohej me rastin e shkrimit të pak rreshtave lidhur me publikim e këtyre librave, që me forcën e argumentit sjellin para nesh dhe opinionit ndërkombëtar, tregimin për gjenocidin serb në Kosovë. Andaj jam i previlegjuar që me rastin e daljes nga botimi dhe përurimit të librave shkencorë të prodhuara nga ekspert e profesionistë të IHKLK, të cilët me këmbëngulësi po punojnë që me forcën e argumentit, të nxjerrin para opinionit publik; vendës e ndërkombëtar; krimin serb shumë dimensional, para dhe gjatë luftës 98/99 në Kosovë.

Lufta e viteve 1998- 1999 nxori heronj, e njerëz që nuk e kursyen as jetën për lirinë tonë. Por pas lufta kërkoj, dhe kërkon; njerëz që japin në vazhdimësi për vendin e tyre; profesionistë e dijetarë, me tabanë kombëtarie, që me fuqinë e argumentit t`iu dalin zot kërkesave që jua shtron koha.

Vargut të këtyre njerëzve, me punë vetmohuese, i është bashkëngjitur edhe z.Svirca, i lindur në Prishtinë, i diplomuar në histori dhe magjistruar në Institutin Roçester për Teknologji. Duke qenë përjetues i okupimit të egër të rexhimit serb, i kalitur me punë dhe përgjegjësi të ndryshme që nga Institucionet e Qeverisjes së Përkohëshme të Kosovës, Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve etj, z.Svirca, mbi supe mori një barrë sa të rëndë aq edhe fisnike, lidhur me publikimin e shumë artikujve, hulumtimeve dhe punimeve profesionale shkencore në revista të vendit dhe ndërkombëtare.

Autori, me saktësi shkencore, duke njohur brutalitetin shkatrrimtar, jo vetëm të rrenimit ekonomik e gjenocidit mbi popullsinë civile, por edhe të zbatimit të planit serb “Patkoi” mbi taktikën e “tokës së djegur”, vjen sot para nesh me publikimin “Plaçkitja dhe Shkatërrimi i Fondit Arkivor të Kosovës nga Serbia, Para dhe Gjatë Luftës 1998-1999”, me të cilin botim mund të krenohet Kosova, ku “retorikat politike” gjunjëzohen para argumentit shkencor. Tashmë e kemi në dorë këtë libër për secilën tryezë politike e diplomatike, ër në Këshill të Evropës e në BE, në UNESKO e organizata të shumta ndërkombëtare, ku saktësia e argumentit, në relacionet ndërkombëtare e fundosë, secilin pretendim të Serbisë kundër shtetësisë sonë, në fushën e hulumtimit që ka bërë autori dhe ndikon në fuqizimin e subjektivitetit shtetëror si dhe synimet tona për aderime në mekanizmat e ndryshme ndërkombëtare.

Veprat e këtij lloji janë “ambasadorë” që ju bëjnë nderë autorëve dhe vendit tonë. Duke tejkaluar “trullosjet momentale të shoqërisë sonë”, nëpër kohët që po kalojmë, punimet e këtilla janë “përmendore”, kurse autorët e tyre janë “heronj që i kërkon koha dhe vendi ynë”.

  1. Svirca në mënyrë të spikatur dhe të argumentuar, gjurmon aspektin historik të ndërtimit të lëndës arkivore të Kosovës, të administrimit politik, juridik e kulturor, të trashëgimisë dhe mbajtjes e ruajtjes të të dhënave arkivore, si segment i fuqishëm i identitetit tonë kombëtar.

Libri pasqyron një lidhje kronologjike të zhvillimeve historike, që nga koha e Dardanisë, koha e sundimit të Perandorisë Osmane, koha e pushtimeve serbe dhe ndarjet politike-administrative të Kosovës; ne vilajeteve, banovina-qarqe etj., ku në mënyrë të spikatur dhe profesionale, ndiqet aspekti i ndërtimit të administrimit dhe ruajtjes së fondit arkivorë e kulturor të Kosovës.

Theksojmë, se deri më sot (18 vjet pas lufte), Kosova nuk ka pasur ndonjë publikim kaç të sakt dhe kaç të kompletuar të kësaj fushe, përveç ekzistimit të disa raporteve të shkurtëra dhe individuale.

Studimi paraqet, plaçkitjen dhe shkatërrimin e trashëgimisë sonë nga Serbia, duke vënë në pah shkeljet e të drejtës ndërkombëtare, pasojat dhe detyrimet e shteteve gjatë luftërave dhe pushtimeve që kanë për fondin kulturor dhe arkivor të popujve, pa marrë parasysh përkatësitë e tyre etnike.

Pokështu theksohet edhe e drejta e Kosovës, në trashëgiminë, ruajtjen dhe mbajtjen e fondit arkivor e kulturor me rastin e suksesionit, si subjektivitet konstituiv i ish federatës jugosllave në bazë të kushtetutës së vitit 1974.

Studimi duke marrë parasysh rëndësinë e pasurisë arkivore, vlerat sociale, ekonomike, politike, juridike, historike e kulturore; ka marrë për bazë rregullat e përgjithëshme ndërkombëtare dhe shtetërore që i referohen lëndës arkivore. Ka trajtuar të dhëna burimore prej, mbi 240 dokumenteve, librave dhe nga interneti. Ka dhënë dëshmi të shumta me dokumente, fotografi e harta të ndryshme lidhur me shkatrrimin dhe plaçkitjen e fondit tonë arkivor nga Serbia. Gjithashtu ka marrë në konsideratë raportet ekzistuese të institucioneve, mekanizmave të administratës shtetërore, raporte të organizatave qeveritare e joqeveritare brenda dhe jashtë vendit.

Që në fillim janë analizuar dokumentet ndërkombëtare që e rregullojnë fushën e mbrojtjes së lëndës arkivore. Pastaj janë analizuara dokumentet ligjore që kan të bëjnë me Kosovën lidhur me mbrojtjen ligjore të lëndës arkivore të perijudhave: 1912 – 1939, 1939 -1945, 1945 – 1990, 1990 – 1999, me fokusim të vçant perjudhën e fundit të shkatërrimeve, etno-cidit dhe kulturo-cidit serb mbi Kosovën, gjatë viteve 1998 – 1999.

Janë analizuar publikime dhe praktika të ruajtjes dhe mbrojtjës së lëndës arkivore, në raste të luftërave, konflikteve dhe katastrofave natyrore. Gjithashtu është dhënë një historik i institucioneve përgjegjëse për sistemimin, mbledhjen, administrimin dhe publikimin e trashëgimisë arkivore.

Libri është i ndarë në nëntë kapituj, duke filluar nga historiku i politikave të mbrojtjes ligjore të lëndës arkivore dhe administrimit të saj në territorin e Kosovës, për të vazhduar me fakte që tregojnë përmasat e shkatërrimit të fondeve arkivore në institucione, me qellim të pastrimit etnik të Kosovës, ku në hollësi dokumentohet përgjegjësia penalo-juridike e Serbisë mbi parimet e të drejtës ndërkombëtare në restituimin e fondit arkivor.

Autori ka mbledhur dhe ka dokumentuar përmasat e plaçkitjes dhe shkatërrimit, mënyrën e ekzekutimit, dhe ka përshkruar pasojat e këtij kulturo-cidi për Kosovën.

Bazuar në të dhënat e mbledhura, në referim të drejtës humanitare ndërkombëtare, legjislacionit në fuqi të kohës dhe parimeve tjera juridike, autori, përkufizon krimet në fondin arkivor si KRIME LUFTE dhe ETNO-CID, si pjesë e planit serb të strukturuar gjenocidal kundër shqiptarëve.

Përmes shembujve, dhe dokumenteve ndërkombëtare, autori krijon një pasqyrë të qartë të shkeljeve ligjore, përgjegjësisë ligjore e politike dhe nxjerrë në pah të drejtën e patjetërsueshme të shtetit tonë për të kërkuar restituimin e lëndës arkivore të plaçkitur nga Serbia.

Si rrjedhojë e kësaj, është analizuar edhe aspekti i trajtimit të fondit arkivorë në bisedimet e Brukselit, për të cilin proces dhe proceset tjera në të ardhme ka dhënë disa rekomandime që do të mundë t’ju shërbejnë institucioneve tona shtetërore.

Qëllimi i publikimit, sipas autorit, nuk është vetëm evidentimi i dëmeve, por edhe nisja e një procesi politik e juridik nga ana e shtetit tonë për restituimin e lëndës arkivore që, sipas te gjitha parimeve të drejtës vendore e ndërkombëtare, i takon Republikës së Kosovës.

Autori insiston në nisjen e procesit kundër Serbisë për restituimin e lëndës arkivore, ndonëse mund të jetë një proces i gjatë, ai këtë, e rekomandon në nbështetje të drejtës ndërkombëtare, duke u mbështetur në një numër të madh të Konventave, të ashtuquajtura si legjislacion i fortë (v.a), si te: Konventa e Hagës (1899), (1970), (1954), e Gjenevës (1949), e UNESCO-s (1970), Konventa e Vjenës për Trashigimin e Shteteve, Konventa Evropiane Për Krimet në Pronën Kulturore (1985) etj.

Në shërbim të ketij qëllimi, autori para nesh specifikon edhe një mori rezulutash, traktatesh, protokolesh, etj. duke na bërë me dije se konformë të drejtës së restituimit në pëputhje me të drejtën ndërkombëtare është edhe Opinion i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Pakoja e Ahtisarit, i cili po ashtu na rekomandon se duhet referuar në të ashtuqujturën e drejta për njohjen e “Sovranitetit Retroaktiv” dhe parimit universal të UNESCO-s ku thuhet se: “dëmtimi i pronës kulturore që i përket cilitdo populli do të thotë dëmtim në trashëgiminë kulturore të të gjithë njerëzimit”

E përjetuam “dëbimin biblik” nga trojet tona, ku perveç vrasjeve përmes metodave më barbare të të gjitha kategorive e grup moshave të qytetarëve tanë, dhunimeve e poshtërimeve, vrasjeve masive të burgosurve etj., Serbia shkatrronte edhe dokumentat personale të qytetarëve, në përputhje te projektit të saj për pastrim etnik të Kosovës.

Andaj, autori insiston se institucionet tona nuk i kanë shfrytëzuar dokumentet ligjore ndërkombëtare, marrëveshjet multilaterale, dokumente ndërkombëtare që prekin shtetin tonë si dhe aktet tjera normative për ta realizuar të drejtën e restituimit të lëndës arkivore.

Nuk janë shfrytëzuar as Konventat mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, Paktet Ndërkombëtare, Deklarata Universale mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (1948), Parisë dhe dy Deklaratave ndërkombëtare mbi të drejtat universale të njeriut të nxjerra në; Teheran (1968) dhe Vjenë (1993), ku bazë numër një e kanë parimin e dinjitetit të individit, dhe të dhënat personale, si pjesë e pandashme e jetës se tij.

Autori në përfundim te librit rekomandon se:”Pa marrë parasysh që ky është një proces i gjatë dhe i mundimshëm, Kosova nuk duhet në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim të heq dorë nga e drejta e saj e patjetërsueshme për restituimin e pasurisë kulturore, në përgjithësi e sidomos pronës arkivore në veçanti. Heqja dorë do të thotë cenim i identitetit kulturor, etnik, politik dhe shtetërorë, me këtë edhe cenim i kontinuitetit etnik, juridik, administrativ e kulturorë si dhe shkelje e normave dhe parimeve bazë vendëse e ndërkombëtare”.

Andaj, Svirca thekson, se: “Për këtë arsye duhet iniciuar një proces i veçantë i përgatitur mirë, me përfshirje edhe të institucioneve të drejtësisë vendëse e ndërkombëtare, të institucioneve profesionale, dhe të diplomacisë etj.”

Për fund theksojmë se Autori, përveç këtij hulumtimi që sot është para lexuesit tone e ndërkombëtar, në gjuhën shqipe dhe angleze ka përfunduar edhe hulumtimin mbi librocidin në Kosovë. Gjithashtu është duke punuar në hulumtimin mbi dhunën kulturore të Serbisë në vendin tonë dhe mbi qendrat e ndalimit me civil, gjatë luftës në Kosovë. Këto publikime, veë tjerash, janë edhe dokumente shumë të rëndësishme, që me kujdes duhet të shfrytëzohen nga politikë bërësit dhe dialoguesit që sot vazhdojnë udhëtimet e tyre, në drejtim të Brukselit, për bisedimet me Serbinë.

I nderuari Svirca, dhe të gjithë ata që nxjerrin në dritë  vepra “monumentale” të këtyre përmasave, që në themel kanë vlerat universale te lirisë dhe demokracisë, e dimë të gjithë ne qytetarët, e veçmas lexuesit se ju mungon përkrahja adekuate për Ju, por na lejoni që t`i bashkohemi këtij suksesi dhe projekteve Tuaja në të ardhmen.

Sipas mitologjisë greke; për grat dhe burrat, që nuk janë “të fortë me muskuj”, por që bëjnë vepra të mëdha, thuhet se: janë “heronj” dhe lënë “nofka” prapa, pra Ju jeni të tillë.

Andaj ju përgëzojmë  dhe urojmë t’i vazhdoni pandalshëm skalitjet e vepra të tilla mbi letra të bardha, që unifikojnë hapësirën shqiptare e shkojnë përtej ambicieve të ulëta ditore, karrieriste të ndasive tona.

Prishtinë, 30. 5. 2017

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …