Për praktikuesit e kulturës dhe organizatat e shoqërisë civile në rajon
Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) ka nisur një projekt të ri “Fondi Kulturor Rinor për Ballkanin Perëndimor”. Është një projekt shumëvjeçar, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Gjermane dhe i mbështetur nga Qeveritë e Ballkanit Perëndimor, i projektuar për praktikuesit e kulturës dhe organizatat e shoqërisë civile nga fusha e kulturës. Projekti synon të mbështesë aktivizmin kulturor të udhëhequr nga të rinjtë dhe zgjidhjet kreative për çështje të ngutshme sociale dhe politike në rajon, duke kontribuar në bashkëpunimin rajonal, dialogun ndërkulturor, ndërtimin e paqes dhe pajtimin.
Individët mund të aplikojnë për grante deri në 3,000 EUR, ndërsa OSHC-të mund të aplikojnë për grante deri në 6,000 EUR. Aplikimet janë të hapura deri më 12 nëntor. Detaje më të hollësishme mund të gjeni në këtë link: https://www.rycowb.org/western-balkans-youth-cultural-fund/
Eventi hapës në Tiranë
RYCO prezantoi një iniciativë të re në aktivitetin hapës në Tiranë. Nga ministra dhe ambasadorë të shquar e deri te përfaqësues të kulturës dhe aktivistë të pasionuar, RYCO priti një grup divers të ftuarish të cilët shijuan një mbrëmje të mbushur me art, muzikë dhe frymëzim.
Fjala e hapjes nga Bora Muzhaqi, Ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët e Shqipërisë, Karl Bergner, H.E. Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Sekretari i Përgjithshëm i RYCO-s Albert Hani dhe Menaxherja e Projektit Sherife Ismaili parapërgatiën skenën për disa biseda frymëzuese të mbajtura nga aktivistët e kulturës dhe të drejtave të njeriut Nikola Pisarev dhe Bjeshka Guri.
Në fjalën e hapjes, ministrja Muzhaqi theksoi se sa fort beson se kultura na bashkon.
“Mezi pres të shoh fituesit e parë dhe të shoh aktivistët e parë që do të përfshihen në këtë projekt dhe do të prodhojnë fjalët e para të artit për të gjithë ne. Dhe shpresoj t’i shoh në rrugët e Shqipërisë dhe nëpër rrugët e pjesës tjetër të rajonit për të na bashkuar”, tha ministrja Muzhaqi.
Duke mbështetur praktikuesit e kulturës dhe OSHC-të në të gjithë rajonin, RYCO dëshiron t’u ofrojë të rinjve mundësi për t’u shprehur dhe për të qenë kreativ, por edhe i zëshëm për çështjet që i shqetësojnë ata.
“Kultura ka kapërcyer kufijtë, barrierat, politikën, ideologjitë dhe ndarjet. Në një botë që ndonjëherë mund të ndihet kaotike dhe e ndarë, kultura mund të shërbejë si një forcë bashkuese. Nëse i shtoni rininë dhe aktivizmin, do të merrni një katalizator të fuqishëm ndryshimi, shumë të nevojshëm në rajonin tonë. Me një zemër plot entuziazëm dhe motivim, ftojmë të rinjtë me ide kreative të bashkohen me ne në këtë nismë pioniere, në mënyrë që të ndryshojmë rajonin së bashku”, tha Sekretari i Përgjithshëm i RYCO Albert Hani.
Projekti i Fondit Kulturor Rinor të Ballkanit Perëndimor mbështetet gjithashtu nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Ai do të zgjasë deri në vitin 2026, me disa thirrje të reja të hapura çdo vit.