Për deklarimet publike me frazën “Kosova shtet me shumicë myslimane”, apo të disave se, shqiptarët në Kosovë janë 95% mysliman, nënkupton kontekstin e definimit fetar të këtij vendi.
Sipas mendimi tim, një përkufizim i tillë paraqet një tezë, sa të gabueshme, po aq edhe të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën.
Ç’është e vërteta, ekziston një pakicë e besimtarëve të cilët ekspozohen zhurmshëm nëpër hapësirat e oborreve përreth xhamive, për lënë përshtypje se paraqesin një komunitet të madh fetar. Lidhur me ta, në biseda private qytetarët shprehin dyshime se krerët e tyre financohen nga armiqtë e shtetit të Kosovës, andaj mendoj se AKI duhet t’i shtrij hetimet edhe në këtë drejtim, me qëllim të ruajtjes së integritetit shtetëror të Kosovës. Mirëpo, t’i kthehem temës të cilën e kam parashtruar që në fillim, për ta rrumbullakuar sa më shkurt.
Duke u bazuar se askund në Kushtetutë nuk shkruan se Kosova është shtet me shumicë myslimane dhe se asnjëherë në këtë vend nuk është bërë regjistrimi i cili ligjërisht i ka obliguar qytetarët e saj për t’u deklaruar patjetër sipas përkatësisë fetare (ngaqë sipas meje, deklarimi fetar nuk ishte obligues), e që po ashtu mendoj se po të kishte pasur aty një rubrikë në pyetësor të regjistrimit ku do të shkruante se “feja e shqiptarit është shqiptaria”, jam i bindur se 95 % të shqiptarëve (e ndoshta edhe më shumë) do ta miratonin një përcaktim të tillë deklarimi.
Sipas mendimit tim, feja është një produkt njerëzor, siç janë edhe partitë politike, andaj logjika shpie se ekziston vetëm një Zot, por megjithatë në rruzullin tokësor ka shume besime fetare. Pra, shikuar nga ky këndvështrim, feja nuk është diçka fondamentale apo jetësore, pa të cilën nuk bënë.
Si ilustrim lidhur me këtë temë shqyrtimi, do ta marr një shembull konkret nisur nga vetja.
Edhe pse nga prindërit e kam trashëguar emrin me kuptim të deshifrimit në gjuhen arabe, e po ashtu edhe fenë myslimane, megjithatë asnjëherë nuk kam shkuar të falem në xhami, madje as që di të lutem sipas riteve fetare të këtij besimi. Pos kësaj (sipas mendimit tim), edhe pse pjesa dërmuese e shqiptarëve besojnë në Zot, megjithatë mendoj se nuk janë fetar të devotshëm. Po të bëhej një anketë, do të shihej qartë se pjesa dërmuese e shqiptarëve të cilët e kanê trashëguar myslimanizmin nga prindërit, janë myslimanë (si unë) që nuk kanë fare njohuri lidhur me ritet fetare.
Nisur nga këto fakte, mendoj se kishte qenë mirë që Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ta organizoj një simpozium shkencor me karakter ndërkombëtar, me qellim që në mënyrë gjentile e studimore ta sqaroj këtë çështje për opinionin e gjerë, ngase shqiptarët s’kanë asgjë të përbashkët me arabët, e në këtë kuptim as me turqit, pos robërisë pesë shekullore nga ta.
Si përfundim mund të them: Le ta di bota mbarë se shqiptarët myslimanë, sunit e shit, me shqiptarët e besimit të krishterë, ortodoks, katolik e protestant, etj., janë vëllezër të një gjaku, të një gjuhe, të një kulture, me të njëjtat zakone dhe se ADN e tyre është 100% e njëjtë.