Sa herë vjen Nëntori, nga viti në vit, në ditë të vështira e të lumtura bëhen bashkë shqiptarët liridashës në Shqipëri, Kosovë, në Iliridë, në Kosovën Lindore, në trevat shqiptare të Malit të Zi në mërgatë dhe në Çamëri.
Sa herë vjen Nëntori, nga viti në vit, bëhen bashkë për të kujtuar të kaluarën e lavdishme dhe heroike, bëhen bashkë për të përkujtuar dëshmorët, martirët, heronjtë dhe gjithë ata burra e gra që dhanë jetën e tyre për Shqipërinë, e cila as është dhënë e as po jepet, por po qëndron e patundur me besim se ora shqiptare, nuk po i ndalon tik-taket, në rrugë për bashkim të të gjitha pjesëve të atdheut në një shtet të vetëm, në një Shqipëri.
Kalendari kombëtar i shqiptarëve ka në mesin e vet, tre muaj të veçantë, që lidhen me rëniet e ngritjet, me humbjet e fitoret, me lindje dhe vdekje të personaliteteve ndër më të njohurit, në historinë e kombit tonë.
Nëse Janari mund të përkufizohet si muaj i lindjeve dhe vdekjeve të personaliteteve të rëndësishme të kombit, Marsi është muaji që shënon kryengritjet, rëniet e ngritjet, ndërsa Nëntori është muaji i fitoreve historike. Krejt këto gjykime e konstatime janë relative, por konsiderojmë se këta tre muaj janë muajt më karakteristikë të Kalendarit Kombëtar, duke u mbështetur në enciklopeditë shqiptare dhe në literaturën historike përgjithësisht.
Më 28 nëntor të vitit 1443 u shpall rimëkëmbja e Principatës së Kastriotëve. Atë ditë me rastin e marrjes së Krujës, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu urdhëroi që në Kështjellën e Krujës të ngrihet Flamuri me shkabën e zezë dykrenore i Principatës së Kastriotëve.
Më 28 Nëntor të vitit 1912, (në kohën kur trevat shqiptare në Ballkan ishin përfshirë nga Luftërat e përgjakshme Ballkanike dhe kur shtetet sllave dhe ato të Evropës ishin mobilizuar për ta dëbuar Turqinë, duke i konsideruar edhe shqiptarët si mbetje turke), Ismail Qemali me bashkëluftëtarët e bashkëmendimtarët e tij, ngriti në Vlorë, Flamurin Kombëtar me shqiponjë të zezë dhe me fushën e kuqe, duke shpallur edhe Pavarësinë e Shqipërisë.
Më 28 nëntor të vitit 1955, në Prekaz të Drenicës, Shaban Jasharit i lindi djali, të cilin e përgëzoi me emrin Adem. Ai në moshën e tij 43-vjeçare, së bashku me familjen e ngushtë dhe të gjerë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i rezistoi fuqishëm makinerisë kriminale serbe të Milosheviqit, duke shënuar kështu Epopenë e UKÇ-së e cila në qershor të vitit 1999, ne ndihmën e NATO-s, përzuri përgjithmonë sunduesit dhe kolonizatorët serbë nga Kosova.
Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit, Halit Geci në Llaushë, me urdhër të Adem Shaban Jasharit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte dalë publikisht dhe kishte kërkuar mobilizim gjithë-popullor për luftë të armatosur kundër regjimit kriminal të Millosheviqit dhe ushtrisë e policisë së tij vrastare.
Janë këto katër Data ndër më të rëndësishmet të Kalendarit tonë kombëtar.
Sa herë vjen Nëntori, nga viti në vit, shqiptarët liridashës në Shqipëri, Kosovë, në Iliridë, në Kosovën Lindore, në trevat shqiptare të Malit të Zi dhe në Çamëri bëhen bashkë për të kujtuar të kaluarën e lavdishme dhe heroike, bëhen bashkë për të përkujtuar dëshmorët, martirët heronjtë dhe gjithë ata burra e gra që dhanë jetën e tyre për Shqipërinë, e cila as është dhënë e as po jepet, por po qëndron e patundur me besim se ora shqiptare, nuk po i ndalon tik-taket, në rrugë për bashkim të të gjitha pjesëve të atdheut në një shtet të vetëm, në një Shqipëri.
Edhe pse nëntori i 117-të e gjeti Shqipërinë me dhembje e pikëllim nga tërmeti, shqiptarët u bënë tok në një shtet të vetëm, i hapën zemrat, i hapën portat për vëllezërit e motrat që i goditi fatkeqësia natyrore, duke u bërë një trup i vetëm, në një Shqipëri të vetme, të natyrshme, për të cilën kujtohemi sidomos në ditë të vështira e të rënda, por jo aq sa duhet edhe në ditë të tjera, kur mund të bëjmë shumë më tepër, për veten tonë, për ardhmërinë e kombit, për Shqipërinë kudo ka jetojnë shqiptarët në trojet e tyre historike e etnike.